Placek jep dorëheqjen
10 Prill 2006"Gjatë ditëve të fundit më është dashur të merrja vendimin më të vështirë të jetës, pas këshillës urgjente të mjekëve, që të heqë dorë nga posti i kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë," – u shpreh Matias Placek paradite në Berlin.
Pesë muaj më parë kryeminsitri 52-vjeçar i landit të Brandenburgut mori në dorë kryesinë e partisë më të madhe gjermane, me përgjegjësinë për ta nxjerrë atë nga një krizë lidershipi: "Më vjenë shumë keq, që nuk mund të mbajë më përgjegjësitë që më kanë dhënë, e të cilat i kam marrë me shumë kënaqësi. Duhet ta pranoj që në nëntor i mbivlerësova fuqitë e mia, por jam nga ata njerëz, që ose e bëjnë diçka mirë, ose nuk e bëjnë fare," – tha Placek të hënën në Berlin.
Sëmundja ishte shfaqur për herë të parë në fillim të janarit, me rënie të papritur të kapacitetit dëgjues e më vonë edhe me një krizë nervore. Siç tha më tej, ai nuk i kishte dëgjuar këshillat e mjekëve dhe dy javë më parë pati ardhur kriza tjetër e dëgjimit, e cila i kishte shkaktuar edhe dobësim të theksuar të kapacitetit dëgjues. Placek, megjithatë do të vazhdojë të mbajë mbi supe postin e kryeministrit të landit gjermanolindor të Brandenburgut.
Pasardhës i Placekut në postin e kryetarit të SPD-së gjermane fillimisht do të jetë kryeministri i landit Rajnhald Pfalc, Kurt Bek, - deri tani zëvendëskryetar i Partisë. Bek e ka marrë përsipër këtë përgjegjësi, por jo pa keqardhje për largimin e Placekut. "Nuk dua ta mohoj, që ditët e fundit kanë qenë të prekshme për faktin, që dikush si Matias Placek, i cili futi një sitl të ri në udhëheqjen e partisë socialdmokrate u detyrua për shkaqe shëndetësore të japë dorëheqjen dhe të mos vazhdojë më tej punën e tij," - tha Bek të hënën në Berlin.
Dyshja Placek-Bek erdhi pesë muaj më parë në krye, kur partia ndodhej në krizë. Kryetari i deriatëhershëm Franc Myntefering kishte dhënë dorëheqjen pas një grindjeje për postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Bek dhe Placek, të vetmit kryeministra landesh nga radhët e socialdemokratëve, sollën një frymë të re në Partinë Socialdemiokrate dhe ishin duke reformuar stilin udhëheqës të saj.