1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Planet për pensionet në Francë: sindikatat duan grevë

12 Janar 2023

Sindikatat franceze po mobilizohen sërish kundër reformës së pensioneve. Grevat e para pritet të zhvillohen javën e ardhshme. Planet e fundit të reformës së qeverisë patën dështuar për shkak të protestave të forta.

Puna ne moshe te shkuar
Fotografi: JMP/ABACA/picture alliance

Presidenti Emmanuel Macron dëshiron që francezët të punojnë më gjatë dhe për këtë arsye të kontribuojnë më gjatë në fondin e pensioneve përpara se të dalin në pension.

Qeveria franceze dëshiron të sigurojë nëpërmjet reformës që në punë të qëndrojnë më shumë të moshuar se më parë. Në fund të vitit 2021, vetëm 36 për qind e njerëzve të moshës 60 deri në 64 vjeç ende punonin.

Duke rritur moshën e pensionit, Franca po ndjek disi edhe sistemin gjerman të pensioneve. Në Gjermani, mosha normale e pensionit do të rritet gradualisht në 67 vjeç deri në vitin 2031. Ndërsa Macroni është i bindur se reforma e pensioneve është e drejtë, pakënaqësia po shfaqet te opozita dhe sindikatat.

Fotografi: Bertrand Guay/REUTERS

Në Francë, sindikatat po përgatiten për betejë për të protestuar kundër reformës së pensioneve të shpallur nga Presidenti Emmanuel Macron. Tashmë janë paralajmëruar greva për javën e ardhshme.

"Ne do të luftojmë që kjo reformë e padrejtë të shfuqizohet”, tha kreu i sindikatës së moderuar CFDT, Laurent Berger, në radio France Inter. Philippe Martinez, i konfederatës më radikale të sindikatave CGT, kërcënoi qeverinë në kanalin televiziv BFM "Franca mund të ndalet" nëse dëshirojnë punëtorët.

Frikë nga një deficit disa miliardësh në fondin e pensioneve

Qeverisë nuk i bënë përshtypje njoftimet e sindikatave: "Ne nuk po përgatitemi për një mobilizim masiv", tha zëdhënësi i qeverisë Olivier Véran. Projekti i reformës së pensioneve është në tavolinë, tani duhet shpjeguar dhe arsyetuar, shtoi ai. Më 23 janar, projektligji duhet të paraqitet në kabinetin qeveritar dhe të miratohet para verës.

Edhe te ekonomistët francezë me sa duket nuk ka dakordësi për reformën e pensioneve. Gjatë një debati në Radio France, ekonomisti liberal Jean-Marc Daniel tha se do të ishte e mençur të ndiqni planet gjermane të pensioneve. "Gjermania ka treguar me reformën e saj se si duhet të funksionojë dhe ka rritur prodhimin duke punuar me orë më të gjata," tha ai.

Modeli gjerman i debatuar

Partneri i tij i diskutimit, ekonomisti Thomas Porcher, shprehu një pikëpamje të ndryshme. Ai e konsideroi shembullor sistemin francez të pensioneve dhe theksoi se Franca ka shkallën më të ulët të varfërisë mes pensionistëve. Sipas tij, "nëse Gjermania nxiton drejt fatkeqësisë, ne nuk duhet ta ndjekim pas”. Ai e arsyetoi opinionin e tij negativ për sistemin gjerman të pensioneve me faktin se personat që pushojnë së punuari në moshën 62-vjeçare për arsye shëndetësore apo të tjera, në të ardhmen do të marrin më pak pension sipas sistemit të ri.

Fotografi: Alain Pitton/NurPhoto/picture alliance

Reforma planifikon të rrisë gradualisht moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç deri në vitin 2030. Pensioni minimal duhet të rritet me 100 euro për të arritur në 1200 euro. Periudha gjatë së cilës francezët duhet të kontribuojnë në fondin e pensioneve për të marrë një pension pa zbritje pritet gjithashtu të rritet: 43 vjet deri në vitin 2027.

Fondi francez i pensioneve mund të përballet me një deficit prej 20 miliardë eurosh deri në vitin 2030, frikësohet qeveria. Gjatë fushatës zgjedhore, Macroni kishte premtuar një përpjekje të re për reformën e pensioneve. Përpjekja e parë dështoi në mandatin e fundit për shkak të protestave të dhunshme dhe të vazhdueshme.

 

 

 

aud (afp, tgsch)