Plutarku u 'bën mësim' borxhi grekëve modernë
5 Tetor 2011
Isidora nuk çuditet aspak që borxhi publik grek vitin tjetër do të kapë një majë të re, do të rritet nga 356,5 miliardë euro të këtij viti në 371,9 miliardë euro ose 172,7% të GDP-së. E di mirë, pa u hyrë fare të dhënave financiare të buxhetit. “Është si puna ime, që merrja karta krediti për të shlyer kartat e tjera dhe tani kam arritur të kem një borxh të akumuluar 100.000 euro. Një perëndi e di se si dilet nga ky borxh” i thotë me zë të ulët fizioterapistja, që nuk mund të mbytet nga aparaturat e kabinetit të fizioterapisë, pacientit të saj tek i bën masazh muskular.
Fajtor për borxhin është modeli i gabuar i qeverisjes së vendit
Ashtu siç nuk mund të fshehin më statistikat e “gatuara” ose të ashtuquajturat “greek statistics” borxhin total, publik edhe privat, që arrin në 700 miliardë euro (borxhi i bizneseve dhe familjeve përllogaritet në 261 miliardë euro). “Për fat të keq në vendin ku ka lindur sentenca “çdo gjë me masë” nuk u veprua sipas saj, as në fazën e kreditimit të tepruar as ne fazën e tanishme të racionalizimit dhe kufizimit të shtetit” i thotë DW gazetari i mirënjohur i së përditshmes së madhe “Elefterotipia” Paskalis Koroneos. Fajtori kryesor, sipas tij, është sigurisht elita politike, e cila për të evituar koston politike ka fshehur të vërtetën nga populli. “Modeli i qeverisjes së vendit, të paktën 30 vitet e fundit, ndiqte praktikën e mbulimit të nevojave me kreditim të tepruar” vazhdon Koroneos dhe rrëfen përgjigjen karakteristike off the record të një ministri vite më parë ndaj pyetjes se “si do të shlyhen një ditë gjithë këto borxhe?”. “Përgjigja që jepej atëhere ishte se nuk ekziston asnjë problem, vendi do të ketë zhvillim dhe do të ketë mundësi të shlyejë borxhet duke marrë borxhe të reja” shënon gazetari grek. Për fat të keq, sipas tij, në praktikë u duk se “ishte një zhvillim i bazuar mbi këmbë prej balte”.
Qorrsokaku i huazimit të tepruar
E njëjta gjë por në “mikrografi” ndodh ndërkohë me bizneset por edhe me familjet që në një pjesë të tyre të madhe kanë “ngritur duart” para bankave por edhe fajdexhinjve. Shlyerja e kësteve u pezullua, mijëra shtëpi në dhjetor dalin në ankand në qoftë se nuk shtyhet me ligj të ri afati që i ndalon, në sprovë vihet vetë mbijetesa dhe dinjiteti njerëzor. “Këto huazime kanë bërë që disa nga kolegët tanë të arrijnë në vetëvrasje, një pjesë tjetër të margjinalizohet” i thotë DW fotografi Janis Argjirokastritis në dyqanin e tij, që kështu i vogël siç është e bën më të besueshëm kur thotë se “kurrë nuk është joshur nga huatë”. “U përpoqa të jem brenda kuadrit të tregut, pa u hapur shumë se shikoja që do të më çonin drejt falimentimit siç ndodhi me laboratorë të mëdhenj të degës sonë” vijon dhe buzëqesh me nëntkest kur i kujtojmë sentencën e shkrimtarit të antikitetit Plutarkut “Ke? Mos merr hua se nuk të mungojnë. Nuk ke, mos merr hua se nuk do të mund të shlyesh borxhin tënd”. “Unë personalisht në jetën time iu shmanga një gjeje të tillë,” thotë dhe kërkon të “pushojë kreditimi” por edhe “të adoptohet një politikë tjetër që do të nxjerrë vendin dhe qytetarët nga qorrsokaku”.
Jo çdo kreditim është i gabuar dhe i rrezikshëm
I ribotuar nga shtëpia botuese “Nefeli” nën titullin “Fatkeqësitë e huazimit” shkrimi i vogël i Plutarkut të vitit 91 pas Krishtit për huazimin e tepruar të bashkëkohësve të tij të periudhës së sundimit romak sikur është shkruar për grekët modernë që përballen me makthin e falimentimit. “Mendoj që sikur të shkojnë akoma më pas politikanët dhe të kujtojnë mitet edhe kuçedrën me shumë kokë, do të shikonin se çdo të thotë borxh dhe menaxhim i urtë i tij, që të mos gjymtojë njerëzit dhe pse jo gjithë vendin,” i thotë DW publicisti Babis Agrollambos, i cili “korrekton” disi Plutarkun dhe nuk shprehet kundër çdo lloj kreditimi. “Disa herë kapitalet përbëjnë instrument zhvillimi dhe huatë mund të jenë kapitalet e zhvillimit ose zgjerimit që ka nevojë një biznes. Sigurisht që shteti nuk është as familje as biznes i thjeshtë, është diçka e veçantë që nuk duhet dhe nuk ka të drejtë të falimentojë. Sa herë ka falimentuar nuk ka venë drynin dhe nuk ka shkuar gjëkundi, për rrjedhojë jemi të detyruar të gjejmë zgjidhje jo vetëm ne, që përbejmë 2% të eurozonës, por edhe vende të tjera evropiane”.
Plutarku “flet” shqip: “Shtrijmë këmbët sa kemi jorganin”.
Plutarku fshikullon vërtet kreditorët duke i cilësuar akoma edhe “barbarë” apo “shpendë grabitqarë”, por kritikon më tepër dhe kryesisht huamarrësit për “papjekuri të skajshme”që sot mund të jenë biznesmenë me vila dhe jetë luksoze por edhe konsumatorë të thjeshtë me karta të shumta krediti akoma dhe për festa dhe pushime. “Kjo ndjenjë faji më duket se e ndjekë si hije shoqërinë greke,” thotë Agrollambos, i cili ndërkohë kërkon të mos harrohet përgjegjësia e kreditorëve duke kujtuar edhe shprehjen e njohur të Gallbreith-it por edhe të ekonomistëve të tjerë. “Në qoftë se ke hua vetëm një, problemi është i yti, në qoftë se ke hua me mijëra atëherë problemi është edhe i atyre që të kanë dhënë hua”.
Kriza e borxhit po sprovon edhe imigrantë si biznesmeni Kristo Tona nga Korça që përpiqet të qëndrojë në këmbë përballë “lakmisë” së bankave. “Njeriu mund të rrojë edhe me pak, por mund të rrojë edhe me shumë, shumë, shumë. Mirë është që të mësojë të gjitha mënyrat e jetesës se nuk i dihet se ku përfundojmë”. Por sprovon edhe imigrantë si Spiro Kenuti, që përpiqet me mish e me shpirt të mbajë shtëpinë e të blejë me kredi. “Unë e kam bërë llogarinë, sikur edhe nga dheu t'i nxjerr ato para do ta shlyej atë kredi. Paguaj 400 euro në muaj” thotë Spiro që sigurisht e ka “lexuar” Plutarkun me mënyrën e tij. Përmes urtësisë popullore. “Shtrijmë këmbët sa kemi jorganin” thotë.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Elert Ajazaj