Po afron paketa e shpëtimit për Qipron
5 Mars 2013Pas zgjedhjes së presidentit konservator, Nikos Anastasiades si president të ri të Qipros, eurogrupi mori frymë lirisht. Nga të gjithë kandidatët, Anastasiades dukej më i besueshmi për stabilitetin e nevojshëm. Pikërisht këtë duan të shohin shtetet e Eurozonës - stabilitet, por edhe konsolidim të financave shtetërore, transparencë në sektorin e fryrë dhe të zhytur në borxhe, para se ta shpëtojnë Qipron nga falimentimi. Qeveria e re ndërkohë e ka marrë një hap të rëndësishëm në drejtim të fitimit të besimit: Ajo do të lejojë një hetim të pavarur për të parë mundësinë reale të efektit të masave kundër larjes së parave. Sipas eurokomisionierit, Olli Rehn ky premtim është "rruga më bindëse për të hequr shqetësimet." Gjermania kishte këmbëngulur për një hetim të tillë.
Paketa gati që në mars?
Megjithatë ende disa shtete të tjera të euros shohin nevojën e zbardhjes së mëtejshme të akuzave për larje parash. Maria Fekter, ministrja austriake e Financave u shpreh pa dorashka, kur tha se Qiproja duhet të krijojë një regjistër ligjor, sepse sipas saj "administrimi anonim i pasurisë së besuar" iu jep "dorë larjes së parave". Sipas Fekterit "duhet ditur se kush qëndron pas një firme, kush e ka përgjegjësinë. Kjo duhet siguruar nga ana ligjore." Sipas kryetarit të eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem politikanët do të bien dakord për Qipron që në Mars.
Pritjet ndaj Italisë
Gjendja politike në Itali pas zgjedhjeve atje nuk ishte pjesë e axhendës së bisedimeve, por ministrat janë të shqetësuar për kursin e mëtejshëm të Italisë. "Shpresojmë që kursi i reformave i kryeministrit, Mario Monti do të vazhdojë të ndiqet", u shpreh ministri i Financave të Luksemburgut, Luc Frieden. Por pikërisht Monti pësoi dështim të madh në këto zgjedhje. Beppe Grillo dhe Silvio Berlusconi, dyshja nga e cila nuk priten reformat si pretendon KE, kanë marrë më shumë se gjysmën e votave. Normat e sigurimit të interesit për obligacionet shtetërore italiane janë rritur ndërkohë. Dijsselbloem pret nga qeveria italiane të mos harrojë përgjegjësinë për stabilizimin e eurozonës.
Franca shpreson për shtyrje
Por edhe Franca ka bërë të ngrihet tensioni i eurozonës. Ky vend nuk do të arijë të respektojë edhe këtë vit kufirin maksimal të deficitit të lejuar prej 3% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Me shume interes pritet nëse KE do të shtyjë me një vit shkeljen e kufirit deficitar, siç u bë me Spanjën. Komisioneri i BE-së për monedhën, Rehn la të kuptohet: "Tek disa vend vërtet është e justifikuar që të shtyhen afatet për ruajtjen e kufirit të deficitit." Kusht për Francën është që të vazhdojë reformat.
Irlanda si shembull
Ministri francez i Financave, Pierre Moscovici përsëriti formulën e tij tashmë të njohur për ruajtjen e ekuilibrit mes konsolidimit dhe rritjes ekonomike. "Duhet të mos lejojmë që recesioni të vijë nga kursimet, sepse kjo mbyt rritjen ekonomike, sepse kjo shton humbjen e besimit politik dhe social në Europë. Kjo mund të shtojë hendekun mes jugut dhe veriut të Europës."
Por KE megjithatë ka edhe shembuj pozitivë për të prezantuar. Olli Rehn u shpreh se Irlanda pritet të dalë nga programet e shpëtimit në vjeshtë dhe Portugalia pritet të mos ketë më nevojë për programet e shpëtimit në vjeshtën e ardhshme.
Autor: Christoph Hasselbach/ Lindita Arapi
Redaktoi: Auron Dodi