Po aq të rëndësishme, sa edhe vetë ajri, që thithim
4 Nëntor 2010
Gjermania është një ndër vendet, që harxhojnë më tepër lëndë të të para në botë. Statistikat thonë se gjatë jetës së tij çdo banor i Gjermanisë harxhon rreth 1.000 tonë lëndë të para. Gjermania ka mjaft lëndë të tilla, si qymyrguri, kripëra, rërë, apo zhavorr. Por ajo është e varur shumë prej importeve për lëndë të tilla si bakri, kobalti, platini dhe të ashtuquajturat minerale të rralla, që përdoren për teknologjinë e lartë. Por për shkak të rritjes së kërkesës për lëndë të tilla në tregun botëror, Gjermania duhet të mendojë një strategji për të siguruar vazhdimësinë e importimit të lëndëve të tilla.
Rritje eksplozive e çmimeve për metalin e hekurit
Edwin Eichler, kryetar i koncernit ThyssenKrupp, prodhuesit më të madh gjerman të çelikut, nuk është i kënaqur edhe pse biznesi i tij edhe në këtë kohë krize po ecën mirë. Kjo ka të bëjë me rritjen eksplozive të çmimeve për metalin e hekurit, lëndës së parë më të rëndësishme për prodhimin e çelikut.
"Tregu për mineralin e hekurit ka ndryshur këtë vit krejtësisht. Që prej prillit çmimet janë dyfishuar. Kjo për shkak se tre furnizuesit tanë kanë vendosur të rishikojnë indeksin e çmimeve. Në vitet 50-të çmimet caktoheshin për një vit. Tani çmimet vendosen çdo tre muaj dhe janë rritur deri në 100%, duke u orientuar prej indeksit kinez, i cili tani vlen edhe për ne."
Problem përbën sigurimi i metaleve të rralla
Nxjerrja e mineralit të hekurit në botë është e përqendruar në katër vende dhe në duart e tri shoqërish minierash. Kjo përbën problem për degë të tilla, që kanë nevojë për lëndë të parë. Po ashtu problematike është gjendja edhe për prodhuesit e teknologjive të larta, të cilët kanë nevojë për 17 mineralet e rralla, që kanë cilësi elektro-magentike. Ndër to bëjnë pjesë p.sh. litiumi, apo siliciumi. Për automobilët, që përdorin si karburant energjinë elektrike, nevojitet litiumi, kurse për prodhimin energjisë diellore siliciumi. 97% e sasisë botërore të mineraleve të rralla vjen nga Kina. Por kinezët e kanë kufizuar muajt e fundit së tepërmi tregtinë e mineraleve të tilla. Kjo ka bërë që industria gjermane e fotovoltaikës të mos furnizohet më me mineralin e rrallë lanthan dhe që prodhimi i qelizave solare të mos jetë më në gjendje t'i përgjigjet kërkesës së tregut.
Shumë vende në ekspansion ekonomik përpiqen që me vendosjen e kuotave për eksportin, doganat dhe lehtësimet për importet të subvencionojnë industrinë e tyre. Me këtë ato i ndryshojnë pamjen konkurrencës ndërkombëtare, por vendet e industrilizuara, që nuk kanë shumë pasuri minerale, nuk kanë se si t'u kundërvihen qëndrimeve të tilla.
Gjithësesi vendet e industrializuara nuk janë pa faj për këtë gjendje. Para vitit 1990 më tepër se një e treta e mineraleve të rralla vinte në tregun botëror nga SHBA. Por meqë këto minerale janë helmuese dhe nxjerrja e tyre e komplikuar dhe Kina i ofronte ato me çmim të ulët, SHBA e ndërpreu në vitin 1990 nxjerrjen e tyre. Tani shumë koncerne minierash kanë shpallur se do të fillojnë me nxjerrjen e këtyre mineraleve në vende të ndryshme të botës. Ministri gjerman i Ekonomisë, Rainer Brüderle, dëshiron që industria gjermane të marrë pjesë në aksione të tilla.
Por vetëm pjesëmarrja e industrisë gjermane në aksione të tilla nuk do të jetë e mjaftueshme, sepse Gjermania importon çdo vit lëndë të para me vlerë deri në rreth 80 miliardë euro. Për këtë qeveria gjermane miratoi në fund të tetorit një strategji për lëndët e para, që bazohet në një partneritet më të fortë me vende në zhvillim dhe të tilla në ekspansion ekonomik, të cilat janë të pasura me minerale dhe lëndë të para.
Autor: Sabine Kinkartz/Pandeli Pani
Redaktoi: Angjelina Verbica