Këshilltari i Selenskyj:"Bisedime pas humbjes së Rusisë"
4 Gusht 2022DW: Zoti Podoljak, më shumë se pesë muaj më parë ka filluar sulmi rus kundër Ukrainës. A ndieni lodhje nga lufta ju personalisht, shoqëria, apo ushtria?
Mihajlo Podoljak: Keni të drejtë të flisni për lodhje. Kemi të bëjmë me luftë e në luftë nuk duhet të ekzistojë lodhja. Synimi kryesor i Rusisë është të shkatërrojë institucionet shtetërore ukrainase. Kjo gjë nuk është arritur. Prandaj kërkohet të arrihet një synim tjetër, që është pushtimi dhe shkatërrimi i sa më shumë territoreve ukrainase që të jetë e mundur.
Lodhja është më shumë një iluzion i krijuar nga mediat, gjë për të cilën flasin gazetarët. Shoqëria jonë do të luftojë definitivisht deri në fund, (dhe do të japë gjithçka për të arritur fitoren- shënim i redaktorit), sepse është e ndërgjegjshme për pasojat e humbjes. Publiku europian do të jetë me siguri prezent deri në fund, sepse ai është duke i kuptuar gjithnjë e më shumë rreziqet që dalin nëse Rusia vazhdon të mbetet në formën e tanishme, një shtet agresiv, ekspasionist, shovinist.
"Rusia nuk është Europa"
Sidoqoftë, publiku europian i trembet dimrit të ftohtë, që mund të kalojë nëse ndalohen furnizimet me gaz nga Rusia.
Publiku europian është i ndërgjegjshëm për rreziqet që sjell lufta me vete. Dhe ai nuk e pranon monopolin e Rusisë mbi energjinë. Që do të thotë se ai e kupton, që Rusia nuk mund të jetë partner. Për t'i dhënë fund kësaj varësie energjetike, duhen kapërcyer vështirësitë dhe Europa është e gatshme ta bëjë këtë gjë.
Puna erdhi deri tek lufta, sepse Rusia nuk u dënua në vitin 2008 kur u fut në Gjeorgjinë sovrane dhe pushtoi një pjesë të territorit të saj. Rusia nuk u dënua as në vitin 2014, kur aneksoi Krimenë dhe pushtoi një pjesë të Donjeckut dhe Luhanskit. Në atë kohë duhej të kishte mbështetje më të madhe të parimeve dhe duhej të ishte hequr dorë nga koncepti, sipas të cilit Rusia është pjesë e Europës. Rusia nuk është Europa. Sot, bota e kupton këtë falë Ukrainës, e cila po e paguan një çmim të lartë.
Le të flasim për ngjarjet e fundit në Ukrainë, shkarkimin e Iryna Venediktovës nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm und të Ivan Bakanovit nga posti i Drejtorit të Shërbimit Sekret të Ukrainës (SBU). Pse u morrën këto vendime pikërisht tani?
Unë nuk shoh ndonjë problem tek shkarkimet. Për ne Prokuroria e Përgjithshme është e rëndësishme, për të dokumentuar të gjitha krimet e kryera nga Rusia në Ukrainë. Kjo është një detyrë e madhe, që duket kryer me sa më shumë efektivitet dhe nuk duhet kthyer në teatër, por duhet të çojë tek procese gjyqësore ndërkombëtare. Tek SBU pati ndryshime në kryesi dhe në rajone, sepse puna e shërbimeve sekrete duhet kryer me agresivitet më të madh. Kemi të bëjmë me pengimin e separatizmit. Në shoqërinë civile ndryshimi i një manaxheri apo një tjetri nuk është konspiracion, por është përpjekje për të gjetur drejtuesit më efektivë.
HIMARS "i kanë ndryshuar shumë" luftimet
Para disa javësh presidenti ukrainas Selenskyj bëri të ditur fillimin e një kundër-ofensive në jug të vendit. Cilat janë arsyet që kjo ofensivë të ketë sukses?
Detajet për këtë mund t'i japë vetëm Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti i Shtabit. Unë nuk mund të flas për ofensivat, kur dhe si do të kryhet një ofensivë ose një kundër-ofensivë. Natyrisht që ajo do të kryhet. Sepse në fund të fundit këto territore nuk mund t'i lihen thjesht Rusisë.
Kjo do të thotë që kundërofensiva nuk ka filluar ende?
Ajo është duke u kryer gjatë gjithë kohës. Forcat e armatosura ruse e paguajnë shumë të lartë çmimin për çdo kilometër të marrë në territoret ukrainase. Shumë mirë që ndodh kështu, sepse kjo e lodh ushtrinë ruse.
Njëkohësisht ne kemi marrë HIMARS (High Mobility Artillery Rocket System, raketahedhësit e shumëfishtë amerikanë, shënim i moderatorit), të cilat e kanë ndryshuar shumë pamjen e luftimeve në krahasim me dy muajt e parë.
Artileria ruse preku shumë pozicione tona, sepse kishte në dispozicion një rrjet të paprekur logjistik. Artileria ruse qëllonte çdo ditë deri në 50 mijë goditje. Goditjet janë reduktuar në një të pestën ose një të gjashtën, që kur është vënë në përdorim HIMARS, i cili ka shkatërruar qendrat e logjistikës dhe depot e municioneve.
Kur të shtohen mundësitë e artilerisë sonë me rreze të gjatë veprimi, përfshirë raketahedhësit, Rusia do të largohet nga territori ynë. Një shembull konkret për një "vullnet të mirë” të kësaj natyre ne e pamë në Ishullin e gjarpërinjve. (Simbol "të vullnetit të mirë” e quajtën forcat e armatosura ruse tërheqjen e tyre nga Ishulli i gjarpërinjve në Detin e Zi, të ndërmarrë pas sulmeve ukrainase, shënim i redaktorit). Një shembull tjetër mund të japë shumë shpejt ura legjendare Antonivka në rajonin e Cherson-it. Kur mbi urë të mos kalohet dot më, Rusia do tregojë sërish "vullnetin e mirë” dhe do të largohet nga Cherson-i.
Kur të ndryshojnë kaq shumë raportet e forcave, a shihni ndonjë arsye për rifillimin e bisedimeve me Rusinë?
Jo, nuk ka asnjë arsye. Rusia jeton në një botë tjetër, me iluzionin e një vendi të madh.
Në të vërtetë Rusia është një vend i vogël, pa dobi, me potencial të pakët intelektual. Ajo ka vetëm armë atomike, shumë armë konvencionale dhe burime energjetike. Ata njohin vetëm gjuhën e ultimatumeve. Ata nuk bëjnë bisedime, siç është e zakonshme në diplomaci. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka thënë se synimi i të ashtuquajturave "operacione ushtarake” ka ndryshuar. Dyshohet se ata nuk pretendojnë tani vetëm të ashtuquajturat "Republika popullore”, por pretendojnë edhe territore të tjera të Ukrainës.
"Rusia duhet të përgatitet për për disfata ushtarake"
Cilat janë kushtet që do të bënin të mundura bisedimet?
Fitore të mëdha taktike të ushtrisë ukrainase në drejtim të jugut dhe lindjes së vendit. Fitore në Cherson, Berdjansk, në daljen në Detin Azov, në rimarrjen e Mariupolit. Nuk bëhet më fjalë për tërheqjen taktike të ushtrisë ruse, por për mënjanimin e maksimumit të forcave dhe armatimeve. Në mënyrë që shoqëria në Rusi të pyesë: "Për çfarë paguhet një çmim kaq i madh me jetë njerëzish?" Prandaj duhet që para uljes sonë në tavolinën e bisedimeve, Rusia të përgatitet për disfata ushtarake.
Intervista është bërë më 21 korrik nga Anna Fil në gjuhën ukrainase dhe është publikuar në një version më të detajuar në gjuhën ukrainase dhe ruse.