1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poetry Slam made in Tetovë

6 Dhjetor 2010

Të shkruarit e poezisë, ndarja e ideve në grupe të të rinjve nga kultura të ndryshme dhe performimi i poezisë në të njëjtën skenë është qëllimi kryesor i Poetry Slam.

Duke recituar në Poetry Slam
Duke recituar në Poetry SlamFotografi: solarplexus.ch/Lisa Küttel

Qendra për bashkëpunim ballkanik Loja nga Tetova, organizata joqeveritare Kontrapunkt nga Shkupi dhe Qendra multimedia nga Prishtina organizuan në Tetovë për herë të parë një aktivitet kulturor Poetry Slam. Të shkruarit e poezisë dhe performimi i saj në skenë të përbashkët, u mundëson të rinjve nga kultura të ndryshme që të njihen më mirë me njëri-tjetrin, vlerësuan pjesëmarësit në Poetry Slam.

Nxënës të shkollave të mesme dhe student nga Tetova, Shkupi, Prishtina dhe Struga ishin tubuar në Tetovë në një Poetry Slam të udhëhequr nga gjermano-iraniani Mishel Abdollahi nga Hamburgu. Të shkruarit e poezisë, ndarja e ideve në grupe të të rinjve nga kultura të ndryshme dhe performimi i poezisë në skenë të njëjtë është qëllimi kryesor të cilin dëshiron ta arrijë Poetry Slam.

Zhytja në artin e Poetry Slam duke punuar në tekste personale dhe duke i vlerësuar ato së bashku është arritja qëllimplotë e Poetry Slam thotë Mishel Abdollahi: "Njerëzit në këto hapësira kanë një shpirt të shëndoshë, janë paqësor, të qetë, por të rinjtë shqiptarë dhe maqedonas shumë pak komunikojnë ndërmjet veti, paraqitja në skenë të përbashkët përmes artit do t'u mundësojë atyre të bashkohen dhe të flasin për probleme të njejta“ - thotë Mishel Abdollahi.

Nita Hasani nga Prishtina ishte njëra nga pjesmarësit në Poetry Slam në Tetovë. Të folurit haptas për preokupimet e të rinjve përmes poezisë është një ide kuptimplote thotë ajo. Për herë të parë Nita se bashku ka shkruajtur poezi me kolegë maqedonas.

"Jemi të njëjtë edhe pse dallojmë nga kombësia, ne kemi probleme të njejta sikur ato politike apo ato shoqërore. Këto tubime kulturore janë shumë të rëndësishme sepse në to vërehet se ne nuk dallohemi mes njëri tjetrit, kemi shumë gjëra dhe probleme të përbashkëta”.

Albulena Zylbeari nga Tetova thotë se përmes poezisë së përbashkët të rinjtë krijojnë diçka të re që mundëson njohjen ndërmjet veti.

"Kështu krijojmë një njohuri ende më shumë për njerëz të ndryshëm dhe mënyra se si të bashkëjetojmë, se si të rrijmë bashkë me ta është shumë e vlefshme”.

Gorjana Jordanovska, studion letërsinë komparative, ajo për herë të parë mer pjesë në një eveniment të tillë kulturor. Gorjana nuk e kupton gjuhën shqipe, por Poetry Slam i ka mundësuar asaj që ta njeh poezinë e moshatarëve të saj.

"Mënyra e interpretimit të poezisë, shprehja e ndjenjave, gestikulimi, më mundëson ta kuptoj poezinë e kolegut. Të gjithëve na mundojnë probleme të njejta, për gjëra të njejta ëndërrojmë, nga të njëjtat dukuri frigohemi,dëshirat i kemi të përbashkëta”, thotë Gorjana Jordanovska.

Manifestimi Poetry Slam me pjesëmarrës që kanë dallime gjuhësore dhe kulturore ka për qëllim shlyerjen sa më shumë të dallimeve midis të rinjëve, thotë Silke Witing menaxhere kulturore nga fondacioni Robert Bosch.

“Projektet që kanë të bëjnë me artin mundësojnë që të ndërtohen urra lidhëse midis kulturave të ndryshme“, thotë Silke Witing.

Qendra për bashkëpunim ballkanik LOJA nga Tetova përmes manifestimit Poetry Slam dëshiron të vë në funksion ndërtimin e infrastrukturës kulturore që i mungojnë këtyre hapësirave.

"Ne punojmë me dallimet, dallimet, friga, idetë e tjetrit mund ti kuptosh vetëm nëse shoqërohesh dhe ndanë hapësirë dhe kohë të përbashkët“,shprehet Bujar Luma, drejtor i Qendrës për bashkëpunim ballkanik LOJA.

Autor: Fatos Musliu
Redaktor: Aida Cama