1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indinjatë për poezinë e Grassit

5 Prill 2012

Politikanë, organizata hebreje dhe gazetarë: të gjithë reagojnë ashpër ndaj poezisë së Grass-it për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Ata thonë se Grassi është i "papërgjegjshëm" dhe ngatërron faktet.

Nobelisti Günter Grass
Nobelisti Günter GrassFotografi: dapd

Poezia e nobelistit 84 vjeçar gjerman, Günter Grass po shkakton me tej indinjatë. "Fuqia atomike Izraeli rrezikon paqen e brishtë", shkruante autori të mërkurën (04.04.2012) në poezinë e botuar në gazetën "Süddeutsche Zeitung" me titull "Çfarë duhet thënë". Kritikët e akuzojnë Grass-in se shtrëmbëron situatën. Jo Izraeli, por regjimi në Iran kërcënon paqen në botë.

I dërguari izraelit në Berlin, Emmanuel Nahshon, akuzon Grasin në faqen e internetit të ambasadës në Berlin, se ai përdor stereotipe antisemite. "Ajo, që duhet thënë, është se bën pjesë në traditën evropiane, për të akuzuar hebrejtë para festës së Pashkëve për ritualin e vrasjes." Sot nuk janë më të krishterët, por iranianët, që duan gjoja ta shuajnë popullin hebre. Nahshon thekson se izraelitët duan të jetojnë në paqe me fqinjët në rajon.

Günter Grass në faqen e parë të gazetës Süddeutsche ZeitungFotografi: picture-alliance/dpa

"Pamflet agresiv agjitativ"

Këshilli Qëndror i Hebrejve, organizata më e rëndësishme hebreje në Gjermani, e kritikon ashpër Grasin. Presidenti i Këshillit Qëndror, Dieter Graumann e quajti tekstin "një pamflet agresiv agjitativ". "Sajimet dhe ngatërrimet" e Grasit në demonizimin e Izraelit janë të papërgjegjshme. Kjo tregon se "një autor i shkëlqyer nuk është patjetër ekspert politik i shkëlqyer," tha ai.

Në vjershën e tij, që i ngjan më shumë një editoriali në strofa, Grass-i shkruan se Gjermania me shitjen e planifikuar të një nëndetëseje tjetër Izraelit mund të bëhet bashkëfajtore në shkatërrimin e popullit izraelit. Faktin që Izraeli nuk lejon kontrollin e potencialit të tij nuklear dhe bota hesht për këtë, ai e quan "një gënjeshtër të dëmshme", së cilës nuk do t'i nënshtrohet më tej. "Unë nuk hesht më, sepse jam i lodhur me hipokrizinë e Perëndimit," shkruan Grassi. Ai kritikon faktion që kritika ndaj Izraelit shpesh herë ngatërrohet me antisemitizmin.

Minimizim i rrezikut

Në lidhje me këto teza provokative ka reaguar edhe skena politike gjermane. Pa e përmendur Grass-in me emër, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle (partia liberale), tha se të minimizosh rreziqet e programit atomik iranian, do të thotë të mos e e kuptosh seriozitetin e situatës. Qeveria gjermane reagoi me qetësi: "Në Gjermani ekziston liria e artit dhe për fat të mirë ekziston edhe liria e qeverisë gjermane, për të mos u shprehur në lidhje me çdo krijim artistik", njoftoi qeveria përmes zëdhënësit të saj.

Zëdhënësi i grupit parlamentar socialdemokrat gjerman për politikën e Jashtme, Rolf Mützenich, e akuzoi  Grassin për njëanshmëri. Shkrimtari me siguri që nuk është antisemit, por në tekstin e tij rreziku vjen vetëm nga Izraeli. Për rreziqet, përballë të cilave ndodhet shteti izraelit, nga ana tjetër heshtet dhe rreziku nga presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad minimizohet.

Günter GrassFotografi: dapd

"Stil për të dhënë mend"

Edhe në shtypin gjerman nuk ka të rreshtur debati për poezinë e Grasit. Njëri nga botuesit e gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Frank Schirrmacher, e quajti një "Krijesë resentimentesh". Grass-i me siguri që të do shohë lindjen tani të një diskutimi, nëse si gjerman bën ta kritikosh Izraelin. Ai e akuzoi shkrimtarin, se e paraqet gjithë botën si viktimë të Izraelit, në mënyrë që Grassi vetë të mund të bëjë paqe me të kaluarën e tij.

Vetë kolegët shkrimtarë distancohen nga Grasi. Shkrimtarja nga Berlini, Tanja Dückers i tha  DW-sÙ në një intervistë: "Stili, me të cilin Grass-i del prej një kohe të gjatë në publik është një stil për të të dhënë mend. Dhe ky është një stil, që në përgjithësi nuk më duket se u përshtatet artistëve." Shkrimtarët nuk janë studiues shkencorë, ata sjellin në publik vetëm mendimet e tyre subjektive.

E drejta e lirisë së mendimit

Në debatin aktual ka edhe zëra, që marrin në mbrojtje Grass-in. "Duhet të jesh në gjendje të thuash një fjalë hapur, pa u denoncuar si armik i Izraelit", tha presidenti i Akademisë së Arteve, Klaus Staeck. Grasi ka të drejtën e lirisë së mendimit, tha ai.

Grasi në të kaluarën është shprehur edhe si autor politik, kështu që ai në Gjermani shpesh është cilësuar si instancë morale. Në vitin 2006 Grasit iu desh të pranojë, se në moshën 17 vjeçare kishte qenë anëtar i armatës SS të Adolf Hitlerit. Kjo i solli atij kritika të ashpra. Integriteti i tij moral u zbeh.

Autor: Jan Bruck/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi