Polakët të lehtësuar mbas kompromisit
23 Qershor 2007
Polakët duken të lehtësuar mbas kompromisit të arritur gjatë natës në samitin e Brukselit. "Polonia nuk tha 'jo'" - shkruan në faqe të parë e përditshmja liberale e majtë "Gazeta Wyborcza". Ndërsa konservatorja “Rzeczpospolita” e përshkruan maratonën evropiane të negociatave me fjalët: ”Tmerr, kompromis, dhe përsëri tmerr". Zëvendësministri i jashtëm i Polonisë, Pawel Kowal, e vlerësoi marrëveshjen e Brukselit si rezultat i gatishmërisë polake për kompromis: "Unë mendoj se çdokush në Evropë do të kuptojë që ky rezultat është sukses i kryenegociatorëve polakë", deklaroi ai.
Se kush ishte ky kryenegociator polak në bisedat e samitit, Kowal këtë e la të hapur. Sepse, ndërsa presidenti Lech Kaczynski negocionte mbas dyerve të mbyllura në Bruksel me kancelaren Angela Merkel, binjaku i Kaczynskit deklaronte në Varshavë se bisedimet kanë dështuar.
Jo vetëm opozita liberalo-konservatore flet për një falimentim të politikës së udhëheqjes polake për pushtet. Grzegorz Schetyna, ekspert i opozitës për Evropën, thotë se kompromisi është meritë e kryesisë gjermane të BE-së: "Gjermanët me të vërtetë që bënë gjithçka për të arritur kompromin. Dhe për ta ishte shumë e rëndësishme që edhe polakët të përfshiheshin në të", argumenton ai.
Opinioni polak reagoi i çliruar që presisdenti Lech Kaczynski nuk e përdori veton me të cilën kishte kërcënuar vazhdimisht. Sipas një ankete të bërë pak para samitit, 60 për qind e popullsisë polake ishin shprehur kundër bllokimit të procesit reformues.
Tani të gjithë do ta paraqesin rezultatin në vendet e tyre si sukses të madh, është i bindur politologu Marek Sarjusz Wolski: "Kështu ka qenë gjithmonë në Evropë. Por për mua ka rëndësi që askush nuk e ndjen veten të ofenduar dhe që nuk ka as humbës e as fitues. Por duhet lejuar pyetja, se përse Polonia e prishi atmosferën para samitit? A e kishte të nevojshme Polonia të prishte imazhin e saj në Evropë për të arritur një rezultat të tillë?"