1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polemika për pullën e gjelbër në ambalazhe

Günter Birkenstock / Eliana Xhani10 Korrik 2013

Pulla e gjelbër prej 20 vjetësh simbolizon ndarjen e mbeturinave në të riciklueshme ose jo. Tani komunat duan të merren vetë me ndarjen dhe riciklimin e mbeturinave.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Ekzistenca e pullës së gjelbër është vënë shpesh në dyshim. Tani një shoqatë sipërmarrjesh komunale kërkon të shfuqizohet sistemi i deritanishëm i ndarjes, mbledhjes dhe riciklimit të mbeturinave. Qytetet dhe komunat gjermane duan më mirë të merren vetëm me proceset e trajtimit dhe riciklimit.

Pulla e gjelbër është po aq e vjetër sa urdhëresa gjermane për ambalazhet, e cila u bë e detyrueshme në 1991. Ministri i atëhershëm i Mjedisit Klaus Töpfer (CDU), i obligoi të gjithë prodhuesit dhe ofruesit, të merrnin mbrapsht ambalazhet e përdorura. Fjala ishte për të vënë në kontroll malet në rritje të plehrave dhe për të rifituar nga mbeturinat materialet e riciklueshme, në vend që ato të hidheshin në deponitë e plehrave dhe të groposeshin në tokë. Impiantet për djegien e plehrave në atë kohë ishin ende diçka e rrallë. Riciklimi i qelqit, letrës dhe plastikës duhej të kontribuonte jo vetëm në mbrojtjen e ambjentit por edhe ta bënte Gjermaninë më pak të varur nga importet e shtrenjta të lëndëve të para.

Fillimi si monopolist

Pak para se të hynte në fuqi urdhëresa për ambalazhet, sektori i tregtisë dhe mallrave të konsumit, themeloi Sistemin Dual Gjermani (DSD). Sipërmarrja futi pullën e gjelbër, e cila tani gjendet në të gjitha kutitë e konservave, kosit apo qumështit. Prodhuesit dhe tregtuesit e produkteve duhet të paguajnë një shumë për liçensën, për të marrë lejen e vendosjes së simbolit të mjedisit, në ambalazhet e produkteve të tyre. Qysh atëherë konsumatorët kanë një hobi të ri: ndarjen e mbeturinave.

Pulla e gjelbërFotografi: picture-alliance/dpa

Tani ambalazhi i përdorur përfundon veçmas në koshat e plehrave, sipas rastit në një kosh të verdhë apo në një qese të verdhë, në kosha qelqi apo letre. DSD ngarkon sipërmarrje për të mbledhur lëndët e riciklueshme të ndara në koshat apo thasët e caktuar. Fillimish Sistemi Dual Gjermani kishte një pozicion monopoli në Republikën Federale, por kësaj i dha fund në vitin 2004 Zyra Federale kundër Karteleve. Ndërkohë janë dhjetë ofrues që organizojnë riciklimin e ambalazheve të përdorura.

Rregullim ligjor për riciklimin

"DSD-ja në kohën e vendosjes së urdhëresës së ambalazhimit, kishte një funksion kleringu: merrte dhe jepte para liçensash", thotë Patrick Hasenkamp, zv/president i Shoqatës së Sipërmarrjeve Komunale, VKU. Por më pas DSD gjithnjë e më shumë  vendosi në plan të parë interesat e veta ekonomike dhe realizon ndërkohë fitime të larta. Për këtë shkak cilësia e riciklimit ka mbetur në vend dhe kostot për konsumatorët shumë të larta. Hasenkampf propozon një lloj autoriteti, i i cili të menaxhojë në vend të DSD-së riciklimin e mbeturinave. "Ne duam të kemi një qendër pa këtë funksion operativ, që ta kthejmë mbrapsht zhvillimin e deritanishëm", thotë Hasenkamp në bisedë me Deutsche Welle-n. Për më shumë riciklim sipas përfytyrimit të shoqatës, duhet të kujdesen kuota të përcaktuara ligjërisht. Sidoqoftë trajtimi i mbeturinave duhet të rirregullohet ligjërisht edhe sepse për lëndë si qelqi, letra dhe metali ka tashmë një treg dhe nuk mund të trajtohen me anë të një sistemi taksash.

Hobi i shumë gjermanëve: ndarja e ambalazheve të përdoruraFotografi: picture-alliance/dpa

Konkurrencë dhe efiçencë

Zëdhënësi i DSD-së, Norbert Völl e konsideron të padrejtë kritikën. Një sipërmarrje ekonomike nuk mund të akuzohet nga askush për faktin se realizon fitim. Veç kësaj kostot për qytetarët kanë rënë vazhdimisht vitet e fundit si rrjedhojë e konkurrencës. Një vështrim në Francë ku përgjegjëse janë komunat,tregon se trajtimi i mbeturinave atje nuk është aspak më i lirë. "Në Francë mblidhet më pak ambalazh i përdorur por kostot janë po aq të larta e madje pjesërisht më të larta se në Gjermani, pasi atje nuk ka kontroll të efiçencës dhe detyrim për efiçencë." Një efekti të ngjashëm i druhet Völl edhe në Gjermani, nëse komunat do të merrnin përsipër riciklimin.

Zëdhënësi i DSD-së, Norbert Völl.Fotografi: DSD

Pulla e gjelbër e pranishme në gjithë Evropën

Për Norbert Völl suksesi i pullës së gjelbër është i qartë. Rregullat e përcaktuara në urdhëresën për ambalazhet ndiqen me përpikmëri në Gjermani. Thuajsë në asnjë vend tjetër të Evropës nuk është kaq i përparuar trajtimi dhe riciklimi i ambalazheve të përdorura.

Pulla e gjelbër përdoret sot si shenjë e financimit të një trajtimi ekologjik të ambalazheve të përdorura, në 26 vende të Evropës, pa lidhje ekonomike me DSD-në gjermane. Edhe në vende jashtë BE-së si në Turqi dhe Norvegji simboli është i përfaqësuar, por mënyra e riciklimit në këto vende është megjithatë shumë e ndryshme. Në Britani të Madhe dhe Itali pulla e gjelbër nuk përdoret. "Atje vendoset nga komunat e veçanta nëse dhe çfarë grumbullohet", thotë zëdhënësi i DSD-së Völl. Rezultati janë norma shumë të ulëta riciklimi që janë shumë pak mbi minimunim e kërkuar nga BE-ja.

Domosdoshmëria e një trajtimi të mbeturinave duke respektuar ambjentin është sot e pakontestuar. Por nëse ndarja e mbeturinave nga dora e qytetarit do të vazhdojë është e pasigurt. Ndërkohë ekzistojnë makineri që mund të seleksionojnë më mirë dhe më shumë se sa njeriu. Mbetet vetëm pyetja se kush duhet t'i blejë dhe përdorë makineritë inteligjente: komunat apo firmat private.