1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia e Kosovës qëllon me armë pasi u godit në veri

23 Janar 2023

Policia e Kosovës tha, se në një fshat afër Leposaviqit, një veturë civile goditi veturën e policisë e kjo u detyrua të qëllojë me armë zjarri. Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha, se një serb është plagosur.

Logo Polizei Kosovo

Zyrtarë të policisë së Kosovës thanë, se një njësi policore shtiu me armë zjarri  ndaj një makine në veri të Kosovës, pasi dy persona që po ngisnin makinën goditën qëllimisht veturën e policisë. Autoritet e Serbisë ndërkaq, thanë se një person i përkatësisë serbe është plagosur me këtë rast. Incidenti ndodhi pasi Policia e Kosovës kishte vendosur një pikë kontrolli për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike në një fshat të quajtur Bistricë të komunës së Leposaviqit.

"Gjatë realizimit të detyrave policore, patrulla ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve të policisë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personat së bashku me veturën u larguan në drejtim të panjohur, tha policia. Ndërkohë, zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë në një njoftim të saj, tha se një pjesëtar i komunitetit serb është plagosur nga të shtënat e policisë së Kosovës.

Petar Petkoviç shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë,  tha se "i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës, në jug të Serbisë. Njësitë policore kanë qëlluar mbi makinë me të cilën po udhëtonin dy qytetarë serbë, vetëm sepse ata nuk kanë dashur të lejojnë që policia t'i keqtrajtojë pa asnjë arsye”, tha Petar Petkoviq.  Reagim pati edhe nga  partia kryesore politike e serbëve, ‘Lista Serbe', e cila nëpërmjet në njoftimi për medie, tha se "njësitë speciale të policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu” duke nënvizuar se "prania e tyre mund të çojë në një spirale ngjarjesh që do të kërcënojnë në mënyrë të pakthyeshme paqen në këto zona".

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, nga ana e tij, tha se dy personat që ishin në veturën në fjalë, qëllimisht goditën automjetin e Policisë së Kosovës.

"Jemi të brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t'i shmangen postbllokut policor. Ata kanë goditur me dashje veturën e Policisë së Kosovës dhe kanë vënë në rrezik jetën e policëve. Policët u detyruan të shtijnë në drejtim të kësaj veture për të neutralizuar situatën”, tha ministri  Sveҫla duke bërë të qartë se "asnjë formë dhune ndaj policisë  nuk do të tolerohet”.

Incidenti i së hënës (23.01)  në veri të Kosovës ndodhi pas një periudhe të tensionuar në fund të vitit të shkuar ku serbët për tri javë mbajtën të bllokuara rrugët në veri duke protestuar kundër arrestimit të një ish-pjesëtari të policisë nën dyshimet për sulm mbi KQZ-në. Tensionet e fundit bënë që autoritetet ndërkombëtare të vihen në lëvizje dhe të bëjnë përpjekje për një rifillim bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke përcjellë një propozim mbi marrëveshjen finale të njohur si nisma franko-gjermane.Të dyja palët tashmë planin  e kanë në tavolinë.