Policia gjermane: Njerëzit të përgatitur mirë për kontrollet
3 Gusht 2021Edhe një orë deri në kufirin gjermano-polak, rreth 80 kilometra. Treni Eurocity nga Varshava qëndron në qytetin Zbaszynek, një qytet me 5000 banorë. Nuk ka shumë pasagjerë, udhëtarët e paktë gati humbasin nëpër vagona. Në këtë stacion ngjiten Klara Tomashkevitsh dhe miku i saj, Fabio. Të dy jetojnë në Vjenë, kanë qenë në Poloni për vizitë dhe tani do të shkojnë në Berlin. Një udhëtim gati 2 orësh i pret.
Kontrollet në tren dhe në qarkullimin me automjete
Të dy e dinë, se brenda Europës në të vërtetë pa kufij, tanimë mund t'u kërkohet të paraqesin "statusin" e tyre në lidhje me Coronën. Deri të dielën (01.08) kontrollet kryheshin vetëm në aeroporte, kurse nga fundjava autoritetet e policisë gjermane bëjnë kontrolle edhe në trena e autostrada. Të dy austriakët nuk kanë gjë kundër kontrolleve. "Mendoj, se këto masa janë të mira, është gjëra e duhur dhe për ne nuk është problem, sepse jemi tërësisht të vaksinuar", thotë Klara. Edhe Fabio që nuk do të thotë mbiemrin e tij është dakord me ashpërsimin e masave kudo në Europë. "Mendoj se është një gjë e mirë, po të shohësh si veprojnë vendet si Gjermania me masat kundër Coronës. Në Poloni shumë shumë njerëz nuk e mbanin maskën. Dhe shifrat e e infektimeve sipas qeverisë janë të ulta."
"E shoh si masë parandaluese"
A kanë dëgjuar Klara dhe Fabio, se çfarë shkruajnë mediat në Gjermani? Se me rregullat e ashpërsuara, që prekin më shumë udhëtarët gjermanë, do duhet të rritet gatishmëria për vaksinim që aktualisht në Gjermani nuk është aq e lartë? Klara Tomashkevitsh reagon e habitur. "Kështu nuk e kam kuptuar", thotë ajo. "E shoh si masë parandaluese. Mendoj se ka masa të tjera për t'i bërë njerëzit të vaksinohen." Detyrim për vaksinim, në sektorin shëndetësor apo në kontakt me pacientë të rrezikuar siç po vepron Franca. Gjermania e ka refuzuar këtë deri më tani.
Virologët i shohin udhëtarët si katalizatorë të infektimeve
Masat e ashpërsuara janë në fuqi nga fundjava e parë e gushtit. Arsye për këtë ishte rritja e infektimeve, sidomos përhapja e variantit Delta. Dhe deklarata e qartë e autoritetit më të lartë për infektime, Institutit Robert Koch se janë sidomos udhëtarët ata që i rrisin infektimet.
Treni nga Varshava ka mbërritur ndërkohë në Frankfurt mbi Oder.
Ndoshta është herët të bëhet një bilanc, se cili është rezultati i kontrolleve. Por kryekomisari i policisë, Andre Behlendrof në drejtorinë e policisë në Frankfurt mbi Oder bën një vlerësim paraprak. "Ne iu drejtohemi njerëzve qartë, se duhet ta kenë me vete vërtetimin e shërimit nga Corona, vaksinimin e plotë, ose testin negativ. Kemi përvojë shumë të mirë deri tani. Shumica e njerëzve janë të përgatitur mirë për këtë situatë dhe janë informuar mirë."
Po qe se jo? "Këta persona këshillohen të shkojnë në qendrat e testimit në rajon. Ne mund të informojmë edhe autoritetet përkatëse, që t''i kërkojnë personit të testohet. Por nuk kemi më punë me këtë më vonë."
Në raste ekstreme, ka kërcënuar missitri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer në gazetën "Bild", do ketë gjoba, por njëherë rekomandohet miqësisht qendra e testimit.
Në udhëtimet e shkurtra bie detyrimi i testit
Edhe nga rajone të tjera autoritetet njoftojnë se nuk kanë probleme me kontrollet. Zëdhënësja e policisë federale në Rosenheim, i tha gazetës "Münchner Merkur", mbi situatën e kontrolleve në kufirin me Austrinë, se "shumë na i tregojnë dokumentet pa i pyetur, kur ne iu afrohemi automjeteve në pikat e kontrollit."
Më i kujdesshëm se sa duhet ishte reporteri i Deutsche Welles. Të dielën ai mori testin negativ të Coronës në një qendër në Berlin, qëndroi shkoi shkurt në Poloni dhe u kthye sërish brenda disa orësh. Udhëtar që kthehet apo jo? Por në rregulloret e reja nuk futen udhëtimet që kryhen nën 24 orë.