1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia ndërmerr aksion në veri të Kosovës

31 Gusht 2011

Gjatë aksionit të sotëm të policisë në veri të Kosovës konfirmohet se EULEX ka konfiskuar dokumentacion dhe armë ilegale. Kryeministri Thaçi bën përgjegjës Beogradin për strehimin e shkaktarëve të dhunës në veri.

Policë të misionit të BE-së në Kosovë, EULEX
Policë të misionit të BE-së në Kosovë, EULEXFotografi: AP

Konfiskohen prova ligjore

Policia e misionit EULEX, e mbështetur edhe nga forcat paqerujatëse dhe policia e Kosovës, bastisën të mërkurën në mëngjes disa shtëpi në fshatin Zupq të Komunës së Zubin Potokut, në përpjekje për të arrestuar personat që shkaktuan dhunë më datën 25 korrik gjatë aksionit të policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë. Nuk njoftohet për ndonjë person të arrestuar, mirëpo, konfirmohet se gjatë bastisjes në disa shtëpi janë konfiskuar dokumentacion dhe armë ilegale. Kështu tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në një seancë parlamentare duke njoftuar deputetët për aksionin e sotëm në veri.

“Janë konfiskuar evidenca të rëndësishme të funksionimit të strukturave kriminale ilegale dhe paramilitare serbe dhe armë të ndryshme që janë përdorur në veprimet e tyre terroriste”, thotë kryeministri Thaçi. Sipas kryeministrit Thaçi organet e hetuesisë së Kosovës tashmë kanë ngritur kallëzime penale kundër shumë personave, që ato i kanë identifikuar si persona që kanë marrë pjesë në sulme kundër organeve të rendit dhe në vrasjen e policit kosovar gjatë aksionit të policisë më 25 korrik në veri të Kosovës. Kryeministri Thaçi siguroi banorët serbë se aksionet e policisë nuk janë të drejtuara kundër tyre, por synimi është vendosja e rendit dhe ligjit në veri.

Qëllimi i aksionit: Rivendosja e ligjit

Kryeministri i Kosovës Hashim ThaçiFotografi: DW

“Unë dua t'i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti qytetarët e komunitetit serb, që jetojnë në veri të Kosovës se të gjitha veprimet tona shtetërore të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare kanë vetëm një qëllim, vendosjen e rendit dhe ligjit dhe kthimin e qetësisë dhe të jetës normale në veri”, thotë kryeministri Thaçi. Kryeministri Thaçi tha se Prishtina e bën përgjegjës Beogradin zyrtar, i cili po mbështet strukturat paralele serbe në veri. Ai kërkoi nga Beogradi që mos të strehojë personat që shkaktuan dhunë në veri dhe mos të mbështesë strukturat paralele, por të vazhdojë dialogun e filluar me Prishtinën për çështje teknike.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, tha për programin tonë se gjatë operacionit të sotëm të policisë në veri të Kosovës, serbët lokalë bllokuan rrugën magjistrale Mitrovicë-Zubin Potok dhe disa rrugë lokale. Pas tërheqjes së policisë, ai njoftoi se rrugët janë zhbllokuar dhe tashmë ato janë të kalueshme.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Elert Ajazaj