1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia shqiptare heton shkaqet e zjarreve ne disa rajone të vendit

Arben Muka/ Tiranë16 Korrik 2008

Për të përballuar vatrat e zjarrit, përveç ekipeve të zjarrëfikseve dhe të ushtrisë janë thirrur për ndihmë dhe helikopterë nga vendet fqinjë.

Fotografi: AP

Zëdhënësi i Policisë, Klodian Branko ishte i qartë në prononcimin e tij të fundit se nga uniformat blu janë marrë masa për të ndjekur rast pas rasti çdo ngjarje të zjarrëvënies, për të parandaluar apo goditur personat përgjegjës. Ai njoftoi për katër persona deri tani të ndaluar dhe disa të tjerë të shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë shkaktarë për përhapjen e vatrave të zjarrit në disa rajone të vendit. Sipas argumentimit të policisë në pjesën më të madhe të zjarreve nuk ka vetëm shkaqe rastësore nga ngritja e temperaturave, por dhe zjarrëvënie të qëllimshme.

Drejtori i Përgjithshmëm i Emergjencave Civile, pranë Ministrisë së Brendshme, Alfred Olli, pranon se për të përballuar situatën në Kavajë Rrogozhinë, Vlorë, Fier etj., përveç aktivizimit të ekipeve të zjarrfikësve nga toka, ka patur mbështetje nga ajri. Helikopterë kanë ardhur dhe nga vendet fqinjë, Italia dhe Greqia për shuarjen dhe izolimin e zjarreve.

Sipërfaqet digjen 'për të krijuar kullota, apo për shkaqe të pronësisë së diskutueshme'

Olli duke ju referuar rasteve të deritanishme shpjegon dukurinë më të përhapur, atë të djegies së sipërfaqeve "për të krijuar kullota, apo për shkaqe të pronësisë së diskutueshme". Autoritetet kanë paralajmëruar zbatimin rigoroz të ligjit për rastet kur vërtetohet zjarrëvënia e qëllimshme, që parashikon ndëshkime nga gjoba deri në heqje të lirisë deri në 5 vjet.

Dukuria e zjarreve u shfaq edhe vitin e kaluar ku nga policia u evidentuan disa raste kur vatrat e djegjes ishin shkaktuar qëllimisht nga banorët e zonës. Por deri më sot, asnjë prej rasteve që u bënë publike nuk janë dënuar nga gjykatat në bazë të kodit penal të republikës, pavarësisht nga dëmet te pallogaritshme që u shkaktuan.