1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia shqiptare ndalon një rrjet të trafikut të drogës

Odise Kote14 Shtator 2007

300 kg drogë janë kapur prej policisë në afërsi të pikëkalimit kufitar të Qafëbotës në Sarandë. Rrjeti kriminal i trafikut të drogës drejtohej nga një punonjës policie.

Policia ShqiptareFotografi: AP Photo

Trafiku i drogës drejt Greqisë vijon të mbetet një nga problemet ende të pazgjidhura të policisë shqiptare megjithë operacionet e njëpasnjëshme të organizuara edhe në bashkëpunim me homologët grekë të rajonit të veriut. Sërish policia shqiptare ndalon një rrjet të trafikut të drogës. 300 kg drogë janë kapur prej policisë në afërsi të pikëkalimit kufitar të Qafëbotës në Sarandë. Rrjeti kriminal i trafikut të drogës drejtohej përsëri nga një punonjës policie, thotë Dritan Mujo i cili e organizonte dhe e drejtonte vetë rrjetin. Zëdhënësi policisë në Gjirokastër Gentian Mullahi thotë se operacioni është kryer në bashkëpunim, pasi mendohet që sasia e drogës ishte marrë nga plantacionet e drogës të mbjella në komunën e Lazaratit. Në këtë komunë sipas informacioneve të policisë sasia e kultivimit të drogës është jashtëzakonisht e madhe, pasi ajo është e shtrirë në krejt sipërfaqen e komunës. Ndërkaq policia e Gjirokastrës ka përfunduar dosjen e Lazaratit, duke e dorëzuar atë në Prokurorinë e krimeve të rënda. Kjo dosje është hartuar duke shfrytëzuar të gjithë kasetat filmike që policia ka realizuar vetë gjatë ditës së 7 shtatorit, dita e sulmit të drejtorisë së policisë në Gjirokastër nga një grup banorësh të Lazaratit, ngjajre që u provokua nga vrasja prej forcave speciale të një të shumëkërkuari nga kjo komunë. Në dosjen e policisë e prokurorisë së Gjirokastrës përfshihen rreth 25 vetë të akuzuar për sulm ndaj institucioneve të rëndësishme shtetërore.