1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikë monetare pa Uashingtonin

Astrid Prange / E. Xhani13 Korrik 2014

Edhe pas Kampionatit Botëror të Futbollit dritat e skenës në Brazil do të mbeten të ndezura. Në samitin e BRICS Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut duan të iniciojnë një kthesë të politikës globale monetare.

Fortaleza
Fotografi: Yasuyoshi Chiba/AFP/Getty Images

Ndër synimet më të rëndësishme të takimit treditor në Fortaleza dhe Brazilia (14. - 16.07.2014), ku marrin pjesë të pesë kryetarët e shteteve të bashkimit ekonomik, bëjnë pjesë themelimi i një banke për zhvillim dhe një fondi monetar alternativ. "Themelimi i këtyre institucioneve financiare tregon se shtetet e BRICS duan të fitojnë influencë dhe këtë në mënyrë konstruktive. Ato janë reflektim i Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar", shpjegon José Alfredo Graça Lima, sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme braziliane.

Me bankën e re për zhvillim e cila do të ketë një kapital të vetin prej 50 miliardë dollarësh dhe një volum financimi prej 100 miliardë dollarësh, do të financohen projekte infrastrukture në të ashtuquajturat shtete të BRICS dhe në vendet në zhvillim.

Fondi i ri monetar do të ndihmojë vende me probleme në bilancin e pagesave. Në mediet braziliane spekulohet se Argjentina mund të ishte vendi i parë që do të kërkojë një kredi shpëtimi nga institucioni i ri. Presidentja Christina Kirchner ka konfirmuar ndërkohë pjesëmarrjen në takimin e kryetarëve të shteteve të BRICS në 16 korrik në Brazilia.

Kina është ajo që paguan më shumë

Megjithatë shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje. As selia e institucioneve të reja financiare dhe as emrat apo kriteret sipas të cilave do të akordohen kreditë nuk janë përcaktuar qartë. Vetëm volumi i mjeteve financiare është tashmë i përcaktuar. Sipas të dhëna të Ministrisë së Jashtme braziliane fondi është i pajisur me 100 miliardë dollarë: kapitali i derdhur nga Kina është 42 miliardë dollarë, Brazili, India dhe Rusia japin nga përkatësisht 18 miliardë dollarë dhe Afrika e Jugut paguan pesë miliardë dollarë.

Themelimi i fondit interpretohet jo vetëm në Brazil si një përgjigje ndaj bllokimit të reformave në FMN. Në takimin e pranverës të Bankës Botërore dhe FMN-së në prill të këtij viti, reformimi i FMN-së i miratuar në 2010 dështoi për shkak të vetos së Kongresit amerikan. Ajo parashikonte një rritje me 6 për qind të së drejtës së votës për vendet në zhvillim dhe ekspansion industrial.

Në kërkim të një identiteti të përbashkët

"Të gjithë duan më shumë fleksibilitet. Shtetet e BRICS i tregojnë SHBA-së se ndryshimet janë të mundshme", thotë specialistja e shkencave ekonomike Lia Valls Pereira nga instituti brazilian "Instituto Getúlio Vargas". Fondi dhe banka për zhvillim mund të kontribuojnë që grupi të krijojë një identitet të përbashkët.

Presidenti i Indisë Modi merr pjesë për herë të parë në samitin e BRICSFotografi: picture-alliance/dpa

Sekretari i shtetit pranë Ministrisë së Jashtme braziliane José Alfredo Graça Lima pranon se ky kërkim është vetëm në fillim. "Më e thjeshtë është të thuash se çfarë nuk janë vendet e BRICS se sa të thuash se çfarë janë", thotë Lima. "Ato nuk janë një organizatë ndërkombëtare, nuk janë union doganor dhe as zonë e lirë tregtare", bën të qartë ai. "Ata janë më shumë një mekanizëm i cili ka treguar se është i dobishëm për bashkëpunimin mes vendeve."

Kina është partneri më i madh tregtar i Brazilit

Deri tani bashkëpunimi përqendrohet tek të gjitha vendet anëtare tek tregtia me Kinën. Eksportet e Brazilit në Kinë janë rritur nga rreth 1 miliard dollarë në vitin 2000 në 46 miliardë dollarë në 2013. Që në 2012 Kina la prapa SHBA dhe u bë partneri më i madh tregtar i Brazilit.

Eksportet braziliane në vendet e tjera të BRICS Rusi, Afrikë e Jugut dhe Indi deri tani kanë qenë modeste. Sipas të dhënave të Ministrisë braziliane për Tregtinë e Jashtme, eksportet në Indi ishin në 2013 rreth 1,3 miliardë dollarë, në Rusi tre miliardë dollarë dhe në Afrikën e Jugut 1,8 miliardë dollarë.

Samit historik?

Politikisht vendet në ekspansion i bashkon vullneti për të ndryshuar rendin global me SHBA si fuqi hegjemoniale. Themelimi i institucioneve financiare të cilat synojnë të thyejnë sistemin e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore të Bretton-ëoods, rendin e ri ndërkombëtar valutor të themeluar atëherë, mund ta bënte samitin në Fortaleza një ngjarje historike.

Samiti i fundit i BRICS u zhvillua në Afrikën e JugutFotografi: picture-alliance/dpa

Për Brazilin pas Kampionatit Botëror të Futbollit kjo është ngjarja e dytë historike brenda pak ditësh. Deri tani gjithçka tregon se samiti i BRICS do të hyjë në histori. Pasi prania e Presidentit të Kinës Xi Jinping, kryeministrit të Indisë Narendra Modi dhe Presidentit të Rusisë Vladimir Putin e bën Brazilin për katër ditë me radhë skenë të politikës botërore.

Nëse në Fortaleza do të diskutohen edhe tema të politikës ndërkombëtare mbetet e pasigurtë. Jo vetëm Rusia dhe Kina, por edhe India, Afrika e Jugut dhe Brazili ndjekin në politikën e jashtme të njëjtën maksimë të mosndërhyrjes. Deklarata e ministrit të Jashtëm të Brazilit Luiz Alberto Figueiredo Machado është e shkurtër dhe e qartë: "BRICS dhe Ukraina janë tema që nuk duhet të përzihen me njëra-tjetrën."