1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika e jashtme amerikane në fushatën zgjedhore në Gjermani

Spencer Kimball /Angjelina Verbica17 Shtator 2013

Afera e përgjimeve të NSA dhe konfliktit në Siri tendos marrëdhëniet Gjermani - SHBA.

Fotografi: Reuters/Anton Denisov/RIA Novosti

Në samitin e fundit të G-20 në Shën Petersburg pothuajse të gjitha vendet kryesore evropiane nënshkruan një deklaratë të përbashkët, në të cilin ata u shprehen në favor të politikës amerikane në Siri. Në të Asadi shpallet shkaktari më i mundshëm i sulmit me gaz helmues me 21 gusht 2013 në Damask dhe kërkohet një "reagim i fortë ndërkombëtar".
Vetëm Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës dhe me peshë të rëndësishme politike, kundërshtoi në fillim dhe nuk nënshkroi deklaratën. Një ditë më vonë Berlini vendosi ndryshe dhe nënshkroi.
Kështu pak para zgjedhjeve më 22 shtator 2013 opozita përpiqet me forcë të sfidojë kancelaren, e cila duket e paprekshme dhe që sipas sondazheve ka një pozicion të sigurtë. Dhe megjithëse politika e jashtme zakonisht luan një rol të vogël në fushata zgjedhore, ajo u ofron tani partive opozitare fushë për të sulmuar.
"Zonja Merkel ka bërë, që vendi më i madh europian të jetë pa drejtim dhe pa mbështetje në politikën e jashtme", tha për shembull sekretarja e përgjithshme e PSD, Andrea Nahles, pas samitit të G-20-ës.

Kjo nuk është hera e parë që politika amerikane bëhet temë debati midis partive në Gjermani. „Ky është një shteg i ngushtë, kandidatët nuk duhet të tregohen shumë bashkëpunues ndaj amerikanëve, sidomos kur është fjala për skandalin e NSA-së", thotë Stephen Szabo i Transatlantic Academy në bisedë me DW.

"Nga ana tjetër nuk duhet të duken shumë të distancuar, sepse SHBA është një nga partnerët tregtarë më të rëndësishëm të Gjermanisë. Edhe në politikën e sigurisë Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme për Gjermaninë", thotë Szabo.

Skandali i përgjimit në fushatë

Merkel thotë se ajo nuk ka ditur asgjë për programet e përgjimit të NSA para zbulimeve të Edward Snowdenit. Garancia e Shteteve të Bashkuara se respektojnë ligjet gjermane për mbrojtjen e privatësisë në tokën gjermane, i mjafton qeverisë federale, që e konsideron këtë temë të mbyllur.
Por opozita akuzon Merkelin se nuk luan me karta të hapuara para zgjedhësve.

Në Uashington konflikti sirian dhe debati rreth strategjisë së duhur ka larguar ndërkohë vemendjen nga çështjet e tjera, përfshirë këtu edhe skandalin e NSA-së. Szabo beson se kjo paqartësi në Uashington ia bën të vështirë edhe Gjermanisë që të pozicionohet.

"Qeveria gjermane e ka bërë të qartë se ajo, që ka ndodhur me Libinë, nuk do të ndodhë më, se ajo do të mbështesë një veprim të çfarëdo lloji të perëndimit apo të amerikanëve."


Në mars 2011 Gjermania abstenoi, kur Këshilli i Sigurimit aprovoi ndërhyrjen ushtarake në Libi, duke u izoluar kështu nga partnerët e saj amerikanë, britanikë dhe francezë.

Megjithatë në duelin televiziv si Merkel, ashtu edhe kandidati socialdemokrat Steinbrück u distancuan qartë nga ndërhyrja e trupave gjermane në Siri.

Kandidati socialdemokrat për kancelar Peer SteinbrückFotografi: Reuters

Drejtimi gjerman i kërkuar

Edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk presin shumë nga Gjermania, përsa i përket fuqisë ushtarake, Uashingtoni respekton fuqinë ekonomike të Gjermanisë dhe do të preferonte që Berlini ta shfaqte më fort ndikimin e tij, veçanërisht përsa i përket krizës së euros.


Duke pasur parasysh uljet dhe ngritjet në krizën evropiane të borxhit, në Uashington shtohen dyshimet, nëse evropianët janë në gjendje për të përballuar kriza, thotë Szabo. Prandaj qeveria amerikane shpreson se Gjermania do t'i dalë ballë krizës dhe të mbushë vakuumin e pushtetit.

"Për amerikanët është shumë e rëndësishme që të dinë, nëse Gjermania është e gatshme të jetë një fuqi udhëheqëse në Evropë dhe edhe më tej. Nëse do ta kompensojë Berlini pushtetin e tij të madh ekonomik me angazhimin përkatës politik”, thotë Szabo.
Një test i rëndësishëm janë negociatat për marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Transatlantike (TTIP), që do të krijonte zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë.

Szabo beson se një marrëveshje e tillë do t'i bënte të ditur edhe Kinës edhe Rusisë se perëndimi vazhdon të mbështetet në tregun e lirë, në kundërshtim me fuqitë gjithnjë e më të fuqishme nga Lindja.

Si ekonomia më e madhe e Evropë Gjermania luan një rol qendror, thotë Szabo. "Këtu nuk është fjala vetëm për biznesin dhe tregtinë, por për të vendosur dhe konsoliduar vlerat dhe standartet perëndimore në mbarë botën.”