1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merz: Të Gjelbrit janë më afër me CDU sesa SPD

4 Dhjetor 2024

Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz thotë se të Gjelbrit aktualisht kanë më shumë qëndrime të përbashkëta me CDU në politikën e jashtme. Të Gjelbërit u distancuan më parë nga politika e Scholz-it ndaj Ukrainës.

Friedrich Merz në Ukrainë, para godinave të rrënuara
Friedrich Merz në Ukrainë Fotografi: Efrem Lukatsky/AP Photo/picture alliance

Unioni CDU/CSU, sipas kandidatit të tij për kancelar Friedrich Merz, ka më shumë pikëpamje të përbashkëta në politikën e jashtme me Të Gjelbërit sesa me SPD. I pyetur se me kë mund të bashkëpunonte më mirë pas fitores eventuale në zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Gjermani, politikani i CDU tha për gazetën Bild: "Në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sigurisht që ka më shumë pika të përbashkëta me të Gjelbërit sesa me SPD-në”.

Megjithatë, në çështjet e politikës ekonomike, Unioni CDU/CSU dhe të Gjelbrit kanë qëndrime shumë të ndryshme. "Këtu na duhet një kthesë thelbësore”, tha Merz. Ai theksoi se votuesit e kanë fjalën e fundit dhe se Unioni nuk bën fushatë zgjedhore për koalicione. "Ne po luftojmë për çdo votë me partitë demokratike të qendrës politike se si të arrihet kjo kthesë”, shtoi ai.

Friedrich MerzFotografi: Bernd Thissen/dpa/picture alliance

Kryetari i të Gjelbërve thekson pikat e përbashkëta

Gjatë fundjavës, kryetarja e të Gjelbërve, Franziska Brantner, sinjalizoi një marrëveshje më të mundshme me Merz sesa me kancelarin aktual Olaf Scholz(SPD) në lidhje me luftën në Ukrainë. Ajo foli për qëndrime më të afërta me Unionin ndaj Ukrainës, ku e pyetën: "A mund të punosh më mirë me Merzin sesa me Scholzin për këtë çështje?"

Bashkëkryetari i të Gjelbërve, Felix Banaszak, foli po ashtu në mënyrë kritike për qasjen e Scholzit dhe të SPD ndaj Ukrainës. "Unë shoh se Unioni CDU/CSU e mbështet pozicionin tonë më fuqishëm sesa të tjerët në Berlin për momentin," tha ai.

Habeck kërkon "qartësi dhe ndershmëri" nga Scholz

Kandidati i të Gjelbërve për kancelar, Robert Habeck, i bëri thirrje kancelarit Scholz për "qartësi dhe ndershmëri" në politikën ndaj Ukrainës. "Qartësia është gjithmonë e drejtë dhe më e mirë," tha Habeck të hënën gjatë një vizite në Kenia, ku mori pjesë në bisedimet për zhvillimet ekonomike. Megjithatë, ai theksoi se "nuk është e pranueshme t'i përkulemi Putinit". "Kjo do të thotë të sigurosh paqen në Evropë duke ruajtur lirinë", theksoi ai.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert HabeckFotografi: Kira Hofmann/photothek.de/picture alliance

Habeck shtoi se në politikën ndaj Ukrainës "nuk është plotësisht e qartë se ku dëshiron të shkojë SPD" dhe se ka "rryma të ndryshme" brenda kësaj partie. Habeck iu referua edhe propozimeve të kancelarit Scholz për industrinë. Në fundjavë ai foli në një takim të SPD-së për nevojën e nxitjes së investimeve, në të ashtuquajturin "Bonus Made in Germany". "M'u desh të qeshja pak, sepse ky propozim korrespondon pothuajse saktësisht me propozimin tim që kam bërë rreth katër javë më parë,” komentoi Habeck. "Sigurisht, jam i lumtur që kancelari e pranon tani këtë propozim dhe koncept".

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë