Politika kosovare i drejton thirrje partive politike shqiptare në Maqedoni
27 Qershor 2006![Hashim Thaçi, Kryetar i PDK,](https://static.dw.com/image/328574_800.webp)
Udhëheqësit politik kosovar thonë se vetëm suksesi i zgjedhjeve të lira garanton stabilitetin politik në Maqedoni dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Në këtë linjë ata u bëjnë thirrje partive shqiptare në Maqedoni që të zhvillojnë një fushatë të qetë zgjedhore dhe pa incidente. Këto thirrje të udhëheqësve politik kosovar drejtuar partive shqiptare në Maqedoni u bënë pas një seri incidentesh që ndodhën ndërmjet përkrahësve të dy partive më të mëdha shqiptare në Maqedoni ku pati edhe disa persona të lënduar.
Poashtu, kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buqkovski, ka kërkuar nga lideri i PDK-së, në opozitë, Hashim Thaqi që të shtrijë ndikimin e tij tek partitë shiptare maqedonase për të zhvilluar një fushatë të qetë dhe pa incidente. Vlora Qitaku është zëdhënëse e PDK-së: Nga vullneti i sinqertë ftojmë subjektet politike në Maqedoni që të organizojnë një fushatë parazgjedhore demokratike, të qetë dhe pa incidente. Po ashtu PDK-ja fton të gjitha grupimet politike dhe individë nga Kosova që të mos involvohen në procesin demokratik zgjedhor në Maqedoni. Suksesi i zgjedhjeve të lira garanton stabilitetin politik në Maqedoni. Stabiliteti dhe demokracia në Maqedoni e ndihmon zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, bashkëpunimin e ngushtë Maqedoni-Kosovë, ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i politikës kosovare.
Partia Demokratike e Kosovës fton të gjitha grupimet politike ose jopolitike apo individë nga Kosova që të mos involvohen apo ndërhyjnë në procesin demokratik zgjedhor në Maqedoni. Nuk duhet që njerëz të inkriminuar, e të imunizuar nga grupimet politike të përcaktojnë rezultatin zgjedhor, por vota e lirë e
qytetarëve.
Ndërkohë, edhe AAK-së, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është angazhuar dhe u bënë thirrje partive shqiptare në Maqedoni që të zhvillojnë një fushatë të qetë zgjedhore. Në një deklaratë të kësaj partie thuhet se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me shqetësim i përcolli zhvillimet fundit në Maqedoni dhe manifestimin e akteve të dhunës që karakterizuan raportet midis dy partive më të mëdha politike të shqiptarëve. Në këtë linjë AAK-së, u bën thirrje partive politike në Maqedoni, sidomos atyre shqiptare, që të distancohen nga aktet e dhunës dhe i fton mekanizmat e rendit që bartësit dhe aktorët e të gjitha këtyre incidenteve t'i kapin dhe t'i nxjerrin
përpara drejtësisë. AAK-së, respekton vetëm zhvillimet demokratike gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni. Dy partitë politike të Kosovës PDK dhe AAK-së, janë shprehur se ngadhënjimi i vlerave demokratike, stabiliteti demokratik, sundimi i ligjit, rendi siguria dhe reformat demokratike duhet të jetë përkushtim i të gjitha forcave politike në rajon.