1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika në Kosovë paraqitet e bashkuar

Bekim Shehu13 Shkurt 2006

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe udhëheqësi i opozitës kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, deklaruan sot, se decentralizimi do të diskutohet në Vjenë të Austrisë me datën 20 të këtij muaji

Fatmir Sejdiu
Fatmir SejdiuFotografi: dpa

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në ditën e parë të punës si president i vendit, takoi udhëheqësin e opozitës në Kosovë, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi. Presidenti Sejdiu, premtoi bashkëpunim me të gjitha forcat politike, ndërsa, opozitën në Kosovë ai e cilësoi si pjesë të mandatit të përbashkët për të realizuar siç tha pavarësinë e Kosovës.

"Ju e dini se kemi një mandat të përbashkët të gjithë, si brez, si popull dhe si institucione që të realizojmë pavarësinë e Kosovës sovranitetin e saj të plotë dhe në këtë drejtim është për t'u përshëndetur gatishmëria e shprehur nga PDK-ja, jo vetëm si opozitë por, si një segment i rëndësishëm i jetës politike dhe institucionale në Kosovë", tha presidenti, Fatmir Sejdiu.

Kryetari i PDK-së, në opozitë Hashim Thaçi, është anëtar i Grupit Negociator të Kosovës. Ai tha se me presidentin e ri të Kosovës do të ketë bashkëpunim të ngushtë, ndërsa, situatën politike në Kosovë ai e cilësoi shumë të relaksuar.

"Kosova ka ndryshuar. Situata politike është shumë e relaksuar në këtë vit të vendimit historik për pavarësinë e Kosovës. Me kryetarin e ri Fatmir Sejdiun, njihemi që një kohë të gjatë dhe kemi pasur mirëkuptim në angazhimin e proceseve tona të përbashkëta për shtetin e pavararur dhe sovran të Kosovës", tha Hashim Thaçi.

Presidenti i ri i Kosovës, Fatmir Sejdiu, menjëherë pas zgjedhjes së tij president i vendit, takoi Grupin Negociator të Kosovës. Të gjithë anëtarët e grupit u dakorduan që çështja e decentralizimit të bisedohet më palën serbe në Vjenë të Austrisë më datën 20 Shkurt. Grupi Negociator miratoi edhe dokumentin e Prishtinës për reformën e pushtetit lokal dhe më këtë dokument pala shqiptare do të paraqitet në takimin e Vjenës.

Grupi politik strategjik i cili ndihmon bisedimet për statusin po takohet sërish ndërsa, shumë shpejt do të caktohet edhe përbërja e delegacionit të Kosovës që do të udhëtojë për në Vjenë të Austrisë më datën 20 shkurt.


Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW