1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika pret bashkëpunim konstruktiv prej shoqatave myslimane

12 Korrik 2007

Dy temat e përzgjedhura nga shtypi gjerman janë samiti i sotëm i integrimit dhe lirimi i një pengu gjerman në Irak

Angela Merkel flet më 14 qershor 2006 me pjestarë të takimit për integriminFotografi: AP

Në lidhje me samitin e sotëm për integrimin e të huajve në Gjermani Frankurter Allgemeine Zeitung komenton:

Gjatë ftesës së saj të parë para një viti qeveria u nis nga një parakusht i pavërtetuar. Ajo mendoi se të gjithë të huajt që vijnë në Gjermani nga shtete joanëtarë të Bashkimit Evropian dhe kanë qëllim të qëndrojnë këtu duan të integrohen. Por nuk është kështu. (...) Qeveria duhet të jetë e ndershme kundrejt vetes dhe qytetarëve dhe duhet të pranojë se ka bashkëqytetarë të huaj me vullnet për tu integruar dhe nga ata pa vullnet për tu integruar. Të parëve ajo mund t'u japë paradhënie besimi, shumë para për kurse integrimi dhe ndihma të tjera; por me të tjerët, veçanërisht me ata që e mbështesin refuzimin e tyre edhe nga pikëpamja e organizimit, ajo duhet të flasë hapur. Sepse Gjermania nuk është vend imigrimi, por vend integrimi.

Ndërsa po për këtë temë lexojmë në Kölner Stadt-Anzeiger:

Bojkotimi shkon me tablonë e përgjithshme. Funksionarët e shoqatave turke ndjehen nën trysni të vazhdueshme dhe të trajtuar padrejtësisht. Kjo është teori përbetimi, pasi interesat e myslimanëve dëgjohen dhe merren seriozisht në Gjermani. Kur ligjet kalojnë çdo kufi për ta, atëherë ata mund të protestojnë ose t'u drejtohen gjykatave. Të bojkotosh samitin kur nuk të pëlqen ligji vetëm sa konfirmon mentalitetin e bunkerit të përhapur në shoqata. Ai shprehet edhe në faktin që ndihen të trajtuar në mënyrë antikushtetuese funksionarë, të cilët gjatë konferencës mbi fenë myslimane nuk ishin të gatshëm që të pranonin përparësinë e ligjit kushtetues. Politika pret bashkëpunim konstruktiv prej shoqatave myslimane. Me sa duket për disa prej tyre kjo e kalon masën. Në qoshen e pakënaqësisë atyre nuk u duhet të marrin përsipër përgjegjësi.

Handelsblatt që botohet në Dyseldorf shkruan:

Që grindja fryhet kaq shumë ka disa arye. Nga njëra anë duket se ekziston një keqkuptim rrënjësor për proceset demokratike. Kush kërkon në mënyrë ultimatumi ndryshime në të drejtën e imigrimit, harron që këtu bëhet fjalë për një ligj të legjitimuar prej dhomës së ulët dhe të sipërme të parlamentit. Kancelarja Merkel nuk mund të ndryshojë thjesht disa rregulla. Nga ana tjetër shoqatat turke kanë të drejtë kur ankohen për trajtim të pabarabartë në ligjin e imigrimit. Me të vërtetë nuk mund të kuptohet përse kanadezët të trajtohen ndryshe nga turqit në provimin e njohurive të gjuhës. Argumenti, ja që kanadezi integrohet më shpejt në Gjermani sesa turku, është një grusht i pafalshëm nën mes për turqit e shumtë të integruar prej dekadash mirë në Gjermani.

Kalojmë në temën e dytë, atë të lirimit të gjermanes së marrë peng në Irak në shkurt.

General-Anzeiger e Bonit komenton:

Fizikisht Hannelore Krause mund të jetë në liri. Megjithatë, për sa kohë djali i saj, Sinani, mbahet peng për kërcënimet e rrëmbyesve islamistë kundrejt qeverisë gjermane, ajo vazhdon të jetë krejtësisht e varur prej tyre, siç e demonstron atmosfera mbytëse e intervistës televizive. Të ashtuquajturat 'brigada për veprim të drejtë' kanë gjetur një marionetë, me të cilën kërkesa për tërheqjen e ushtarëve gjermanë nga Afganistani mund të paraqitet më efektshëm sesa me bisedime ku të mbajnë me premtime. Por strategjia është e destinuar të dështojë, sepse Berlini nuk lë pikë dyshimi që nuk është i gatshëm për lëshime në kërkesat e pengmarrësve.