1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikanët shqiptarë nuk tregojnë pasurinë

Arben Muka16 Janar 2007

Deklarimi i pasurive të disa zyrtarëve dhe politikanëve jo i sinqertë

Ku i kanë fshehur pasuritë politikanët shqiptarë?
Ku i kanë fshehur pasuritë politikanët shqiptarë?Fotografi: DW

Prej tre vjetësh me ligj të posaçëm të parlamentit rreth 4500 zyrtarë të administratës publike, deputetë dhe të zgjedhur në pushtetin lokal bëjnë me detyrim deklarimin e pasurive personale dhe të familjes, si një masë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve me fondet publike.

Ndjekjen e këtij procesi e bën Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si institucion i pavaruar, i zgjedhur dhe kontrolluar nga parlamenti.
Por në të njëjtën kohë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë të angazhuar në këtë aspekt, për të ndjekur realizmin e deklarimeve që bëhen prej zyrtareve dhe politikanëve. Këtë synon dhe Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, nëpërmjet investigimeve dhe grumbullimit të të dhenave mbi deklarimet e pasurive.

Të martën Qendra publikoi rezultatet e një studimi mbi vëzhgimin e 120 deklarimeve që ishin bërë nga zyrtarë të niveleve të ndryshme në Shqipëri. Kjo, sipas drejtuesit të kësaj qendre, gazetarit Sami Neza, bëhet për të zbardhur sa të jetë e mundur ku dyshohet se deklarimet kanë elementë që janë fshehur ose që nuk tregojnë faktet reale.

Qendra për Transparencë dhe Informim të lirë nuk do të jetë vetëm konstatuese në vëzhgimet e saj, por të dhënat e grumbulluara ja paraqet Inspektoriatit te Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, institucioneve ose organeve ku punojnë zyrtarët e investiguar, si dhe prokurorisë, kryeministrisë, grupit parlamentar te opozitës etj.

Aktivistet e Qendrës janë të bindur se nëse të dhënat do të shikohen me seriozitet dhe me drejtësi nga ana e prokurorisë, atëhere per një pjesë të zyrtarëve mund të ketë dhe ndjekje penale.

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, një organizatë joqeveritare, e ka kryer vëzhgimin e 120 deklarimeve pasurore të zyrtarëve dhe të zgjedhurve në një hark kohor prej 1 viti, e mbështetur në këtë projekt nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.