1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poloni: Kazhinsky sërish kërkon reparacione nga Gjermania

3 Shtator 2022

Marrëdhëniet gjermano-polake në krizë. Me kërkesën për reparacione nga Lufta e Dytë Botërore, kreu i PiS Jaroslav Kazhinsky po e nxit spiralen e përshkallëzimit. Bëhet fjalë për 1,3 bilionë euro.

PiS-Chef Kaczynski stellt Reparationsforderungen
Fotografi: Hubert Mathis/ZUMA/dpa/picture alliance

83 vjet pas sulmit të Gjermanisë së Hitlerit ndaj Polonisë më 1 shtator 1939 kryetari i partisë PiS (Partia për të Drejtën dhe Drejtësinë) që qeveris në Poloni, Jaroslav Kazhinsky, deklaroi bisedime me Berlinin për marrjen e zhdëmtimit human dhe material për humbjet e Polonisë në Luftën e Dytë Botërore nga pushtimi gjerman nga viti 1939 deri më 1945.

Kazhinsky u shpreh duke folur gjatë prezantimit të ekspertizës, që është përpiluar nga një grup i ngritur më 2017 i përbërë nga parlamentarë polakë dhe ekspertë të jashtëm të autorizuar nga kreu i PiS. Në këtë dokument përllogariten humbjet polake në një vlerë prej më shumë se 6,2 miliardë zloty polak (rreth 1,3 bilionë euro).

Kazhinsky: I bëjmë kërkesë Gjermanisë të fillojmë bisedimet për reparacione

"Qëllimi është, që në një proces që mund të jetë i gjatë dhe i vështirë, ne të arrijmë reparacionin për të gjitha ato që i ka bërë Gjermania, shteti gjerman dhe kombi gjerman Polonisë", tha Kazhinsky të enjten (01.09.2022) në Varshavë në kështjellën mbretërore. Ky vend ka rëndësi simbolike, sepse rezidenca e mbretërve polakë në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore u dëmtua rëndë dhe arriti të rindërtohet në vitet 1970.

Fotografi: KACPER PEMPEL/REUTERS

"Ne kemi marrë një vendim për mënyrën se si do të procedojmë më tej", tha Kazhinsky. „I bëjmë kërkesë Gjermanisë të fillojmë bisedimet për reparacione. Ekonomia gjermane mund ta përballojë këtë shumë, ajo nuk do të mbingarkohet në mënyrë disproporcionale me këtë. Ndaj ne e konsiderojmë si tërësisht realiste kërkesën tonë."

Politikani polak akuzon gjermanët, se nuk i kanë zbardhur krimet që kanë kryer në Poloni. Krimet gjermane në Luftën e Dytë Botërore asnjëherë nuk janë bërë komponent i ndërgjegjes së masave gjermane. "Qëllimi ynë është një rikonstruktim rrënjësor i ndërgjegjes së kombit gjerman", deklaroi Kazhinsky.

Në ekspertizën e përpiluar autorët e saj kanë regjistruar mbi 5,2 milionë polakë të vrarë nga gjermanët gjatë viteve të luftës, ndër ta bëjnë pjesë edhe shtetas me origjinë hebreje. Lidhur me këtë Kazhinsky i ofroi bisedime edhe Izraelit, nëse është i interesuar të marrë pjesë në negociatat me Berlinin. Hebrenjtë në kohën e Luftës së Dytë Botërore përbënin rreth 10 përqind të popullsisë polake.

Dietmar NietanFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

"Politikë agresive antigjermane"

Qeveria gjermane e konsideron të zgjidhur përfundimisht ligjërisht çështjen e reparacioneve – por pranon nga ana tjetër përgjegjësinë morale të Gjermanisë. "PiS e di, që nuk do të ketë pagesa reparacionesh, pavarësisht se kush qeveris në Berlin", thotë i ngarkuari i qeverisë gjermane për Poloninë Dietmar Nietan, në numrin e fundit të revistës „Përpara" të partisë socialdemokrate. Një padi nuk do të kishte shans për sukses në asnjë gjykatë të botës, shprehet ai.

Ne duhet tani t reagojmë duke e trajtuar në mënyrë proaktive politikisht këtë temë, thekson ai më tej. Politikani socialdemokrat e akuzon PiS për „një politikë agresive antigjermane". Edhe partia kristiandemokrate në opozitë, CDU, e mbështet pozicionin e qeverisë, sipas së cilë tashmë nuk ka bazë ligjore për negociata mbi reparacione të luftës me Poloninë.