1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëPoloni

Fushatë zgjedhore në Poloni: Parrulla patriotike e premtime

13 Shtator 2023

Me zhvillimin e kongreseve fundjavën e fundit, të dy partitë kryesore të Polonisë u futën në fazën e nxehtë të fushatës zgjedhore. Fushatat drejtohen nga populisti i djathtë, Jaroslaw Kaszyncki dhe liberali Donald Tusk.

Pamje me pllakate e kongresit të koalicionit qytetar, drejtuar nga Donald Tusk
Kongresi i koalicionit qytetar drejtuar nga Donald TuskFotografi: Beata Zawrzel/NurPhoto/picture alliance

Poloni zhvillohen më 15 tetor zgjedhjet parlamentare. Javët e fundit përqëndrimi kryesor si i qeverisë dhe i opozitës kishte të bënte me çështjet e personelit. Për të fituar grupe të reja votuesisht, të dy rivalët kryesorë, partia nacionaliste e djathtë që mban pushtetin, Partia e Rendit dhe e Drejtësisë (PiS) dhe partia më e madhe opozitare, Platforma Liberale Qytetare, (PO) futën në garë disa emra kandidatësh të diskutueshëm. Për PiS kandidon për të marrë mandatin ekstremisti i djathtë, Robert Bakiewicz, që ka qenë i dënuar. Kurse udhëheqësi radikal i fshatarëve, Michal Kolodziejczyk, lufton për t'u futur në Sejm për partinë PO. Ai ka organizuar deri para pak kohësh protesta të ashpra kundër politikës agrare të BE-së.

Pas debateve për personalin ka ardhur koha e debateve për përmbajtjet

Pas regjistrimit të listave zgjedhore më 06.09.2023 erdhi më në fund koha për përmbajtjet, të cilat u diskutuan në kongreset e partive të dy kampeve politike. Pesë javë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, kryetari i PiS, Jaroslaw Kaczynski mblodhi përkrahësit e tij në kongresin e partisë, që u zhvillua në Konskie të Polonisë qendrore, duke shënuar një gol në portën e kundërshtarit, sepse ky qytet shihet si qendra e tyre.

Politikani konservator i PiS, Kaczynski kritikoin rivalin e tij Tusk, se kërkon ta verë vendin në varësi të Gjermanisë dhe Rusisë. Fotografi: Beata Zawrzel/NurPhoto/picture alliance

Kurse udhëheqësi i opozitës, Donald Tusk zgjodhi si vend për të zhvilluar kongresin e partisë së tij Platforma Qytetare, qytetin Tarnov në jug të vendit, një rajon shumë konservator dhe shumë i vështirë për t'i dhënë votat partisë së tij. Ai e di që votuesit kryesorë që vijnë nga qytetet e mëdha liberale nuk mjaftojnë për të fituar zgjedhjet. Prandaj ai duhet të bëjë për vete të pavendosurit. Studiuesit e opinionit vlerësojnë se nga 5 deri 18 përqind e votuesve nuk e dinë ende kujt do ia japin votën.

Fushatë zgjedhore me bamirësi sociale

Gjatë kongreseve të partive të dy kandidatët kryesorë ia kaluan njëri tjetrit me premtimet sociale që bënë, pa përmendur ndonjë burim konkret financimi.

Tusk prezantoi qindra masa që do të marrë njëqind ditët e para pas fitores së zgjedhjeve. Lista e gjatë përmban si lehtësime ekonomike për qytetarët dhe ndërmarrjet, ashtu edhe rivendosjen e principeve demokratike. Shoqëruar nga duartrokitje të mëdha, Tusk bëri të ditur se do të rrisë sasinë e parave që nuk taksohen nga 30 mijë në 60 mijë zllot (nga 6.500 në 13.000 euro), do të japë pushime të paguara për sipërmarrësit vetadministrues, do të përmirësojë sigurimin shëndetësor dhe do të rrisë rrogat e mësuesve.

Protesta në Poloni në 1-vjetorin e ndalimit të abortitFotografi: Czarek Sokolowski/AP/picture alliance

Një rol të rëndësishëm në programin e tij pritet të luajë përmirësimi i situatës së grave. Parashikohet që të bëhet liberalizimi i të drejtës së abortit, financimi shtetëror i fekondimit artificial si dhe anestezi falas gjatë lindjeve. Programi përmban edhe ndarjen e shtetit nga kisha.

Tusk, ish-president i Këshillit të Europës (2014 - 2019), premtoi dakordimin e shpejtë me BE për pagesat e ndihmave për zhvillim, dhënë për Coronën. Për shkak të grindjeve të qeverisë së PiS me Brukselin për shtetin ligjor, Polonisë i janë pezulluar ndihmat e premtuara prej 36 miliardë eurosh.

Projekti tjetër është ai nacional- katolik i Kaczynskit

Në qytetin e Konskiet, Kaczynski prezantoi programin e tij që është e kundërta e ideve liberale të Tuskit. Në qendër të programit të tij ndodhet familja tradicionale (me nënë dhe baba), mbrojtja e jetës, mes të cilave edhe e të palindurve, si dhe shteti i fortë nacional sovrane. Kryetari i PiS kritikoi gjykatat, që sipas tij janë institucione që kanë shumë pushtet, por ndodhen jashtë kontrollit dhe nuk zgjidhen. "Pushteti duhet të jetë në duart e kombit,” theksoi Kaczynski. Ai kritikoi rivalin e tij Tusk, se kërkon ta verë vendin në varësi të Gjermanisë dhe Rusisë. Kurse PiS kërkon të krijojë me Poloninë një "peshë të rëndë”. "Armiqtë tanë janë përpjekur ta shkatërrojnë Poloninë. Por ata kanë dështuar komplet,” tha ai. 

Kaczynski vlerësoi lart ndihmat sociale të vëna tashmë në jetë, sidomos paratë për fëmijët në nivelin e 500 sloti (110 euro), që pritet të rriten mbas vitit të kaluar në 800 sloti (173 euro). Përveç kësaj ai propozoi futjen e moshës së pensionit për gratë pas 38 vjetësh pune dhe për burrat pas 43 viteve të punës. Kjo ide është përmendur herë pas here vitet e kualuara, por nuk është realizuar për shkak të kostove të larta.

Pllakat zgjedhor në KrakovFotografi: Klaudia Radecka/NurPhoto/picture alliance

Reklama e çuditshme zgjedhore antigjermane e PiS

Ndërkohë në qarkullim është futur një reklamë zgjedhore e PiS, në të cilën një gjoja ambasador gjerman merr në telefon Kaczynskin, për t'i dhënë udhëzime nga Berlini. Në të bëhet po ashtu fjalë për futjen e moshës së pensionit.

Reklama aludon një bisedë që Tusk, ka patur në vitin 2011 kur ka qenë kryetar qeverie me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel. Merkel i ka kërkuar atij të rrisë moshën e pensionit në Poloni. Në reklamë Kaczynksi nuk i pranon ndërhyrjet nga Berlini dhe e mbyll telefonin duke shprehur vendosmëri.

Dueli televiziv midis kandidatëve kryesorë

Edhe kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, e sulmoi verbalisht rivalin e tij, Tusk. Ai e quajti atë politikan të rrezikshëm, që përfaqëson interesat e të huajve. Morawiecki akuzoi Tuskun se ka bërë plane t'ia shesë pasuritë polake të huajve. "Ai kërkon të shesë madhe Detin Baltik dhe Tatran,” paralajmëroi politikani i PiS. "Ne duhet t'i themi Tuskut Jo, dhe nëse ai nuk e kupton këtë në polonisht, atëherë do t'ia themi këtë edhe në gjermanisht,” tha ai duke u tallur.

Akuzat e tij Morawiecki do i përsërisë edhe në një duel televiziv me Tuskun, që do të mbahet para zgjedhjeve. Konfrontim direkt midis kryetarit të PiS, Kaszynski dhe udhëheqësit të opozitës nuk do të ketë. Tusk ka propozuar disa herë, por kryetari i PiS e ka hedhur çdo here poshtë propozimin e tij.

Përgjigja e tij ka qenë me sarkazëm, se nëse do të zhvillonte ndonjë debat, Kaczynksi do ta zhvillonte me "shefin gjerman të Tuskut”, Manfred Weberin, kryetarin e partive popullore europiane. Në të vërtetë Kaczynski ka mundësi të mos jetë shëruar nga trauma që pësoi në debatin televiziv të vitit 2007. Kryetari i PiS e pati humbur në atë kohë debatin televiziv dhe bashkë me të edhe zgjedhjet. 

Para Kaczynskit?

Kaczynski është i vetëdijshëm se i nuk i ka letra të mira, nëse bën krahasim direkt me Tuskun e rafinuar dhe me përvojë. Prandaj kësaj here ai ka hequr dorë nga kandidimi në kryeqytetin e Varshavës, ku kandidon edhe Tusk, dhe ka shkuar në Kielce, në Poloninë qendrore. Atje fitorja e tij shihet si e garantuar.

"Duelin partiak të të shtunës e fitoi partia e Donald Tuskut,” shkruante të hënën (11.09.2023) publicisti Michal Szuldrzynski, duke komentuar kongreset e partive të fundjavës. Ai shkruante në gazetën kryesore polake Rzeczpospolita: "Tani PO ndodhet para një detyre të vështirë. Ajo duhet të bindë njerëzit se është e besueshme dhe do i mbajë premtimet zgjedhore.”

Zgjedhje të lira – po edhe të ndershme?

Në sondazhe PiS ka rezultat pak më të mirë se PO. Me siguri që asnjëra nga partitë nuk do të jetë në gjendje të krijojë e vetme qeverinë. Më 1 tetor në Varshavë zhvillohet "marshimi i një milionëve”, marshim për të drejtat e grave. Ai është organizuar nga kryetari i opozitës, Tusk. Ai shpreson që marshimi të mobilizojë përkrahësit e tij dhe ta sjellë partinë në rezultat më të mirë.

Por PiS ka hedhur në betejë zgjedhore të gjitha burimet që ka në dispozicion, përfshirë mediat shtetërore dhe rezervat shtetërore financiare. Së bashku me zgjedhjet parlamentare do të zhvillohet edhe një referendum për financimin e tyre, për të cilin ndryshe nga zgjedhjet nuk ka rregulla të forta. Prandaj, kjo është një nga arsyet pse shumë polakë mendojnë se këto zgjedhje do të jenë të lira por jo të ndershme.