1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poloni: Skepticizëm ndaj euros

Pandeli Pani21 Korrik 2013

Deri tani polakët ishin në Evropën Lindore mbështetësit më të mëdhenj të euros. Por kriza e monedhes së përbashkët po çon në zhdukjen e kësaj mbështetje.

Fotografi: DW/B.Cöllen

Marysia Obczak shet pantofla lëkure në tregun e qytetit polak Poznan. Ato i prodhon në shtëpi fqinji i saj. Ajo i shet ato për 25 zloty, pra rreth 6 euro. Marysia do që në Poloni të mbetet zloty si monedhë vendase. "Unë i përkas brezit të vjetër dhe ne kemi pasur gjithmonë zloty dhe jemi mësuar me të. Unë s'dua para tjetër, një monedhë të re vetëm sa do të na ngatërrojë." - thotë Marysia Obczak.

Fotografi: picture-alliance / dpa

Përfitim për kompanitë polake të eksportit

Prej vitesh kursi i këmbimit të zlotyt me euron luhatet në 1 me 4. Për 100 euro, merr herë më shumë e herë më pak se 400 zloty. Nga kursi i qëndrueshëm i këmbimit përfitojnë kompanitë polake të eksportit, si Solaris që prodhon autobusë. Kjo kompani eksporton kryesisht në zonën e euros. Në Gjermani ajo mbulon prej gati 40 për qind të tregut të autobusëve. Modeli i suksesit është kombinim i pagave të ulëta dhe i teknologjisë moderne. Shumë komponentë importohen nga Evropa Perëndimore, p.sh. motori. Me futjen e euros do të ngrihen dhe pagat, mendon shefi i financave të kompanisë Solaris, Zbigniew Palencia, dhe pastaj biznesi s'do të jetë më dot kaq i suksesshëm.

Autobusë nga kompania SolarisFotografi: Solaris Bus & Coach S.A.

"Hyrja në eurozonë do t'i bëjë blerjet e komponentëve shumë më të lira për ne. Por kjo do të çojë edhe në shtrenjtimin e fuqisë sonë punëtore, se do të rrisë pagat. Kjo do të thotë se anëtarësimi në eurozonë ka si avantazhe dhe disavantazhe." - mendon Zbigniew Palencia.

Sipas planeve zyrtare të Bashkimit Evropian, euroja mund të futet në Poloni në vitin 2019.

Bie euforia

Deri tani polakët ishin mbështetësit më të mëdhenj të një monedhe të përbashkët në Evropën Lindore. Por ne krizën e euros kjo mbështetje po zhduket. Madje edhe te shumë studentë të Universitetit Ekonomik në Poznan. "Me euron ne nuk do të kemi më kontroll mbi monedhën tonë, çdo gjë do të përcaktohet në Frankfurt, jo në Varshavë." - mendon një studente. "Unë mendoj se ne kemi nevojë edhe për 10 ose 20 vjet të tjerë për ta përgatitur ekonominë tonë për monedhën e përbashkët." - shton një tjetër.