Polonia i hap rrugë BE-së
23 Nëntor 2018Më në fund lajme të mira nga Polonia - të paktën sipas qëndrimit të Bashkimit Europian. Partia qeverisëse "Ligj dhe Drejtësi", PiS ka tërhequr nga Gjykata e Lartë Administrative pensionimin e detyruar të gjykatësve polakë. Presidentja e Gjykatës së Lartë, pas disa muajsh proteste do të kthehet në postin e saj. Për BE ky hap tregon, se shteti i së drejtës në Poloni nuk ka dështuar, po a është vërtet kështu?
Ruajtja e presionit të BE
Komisioni Europian në bazë të nenit 7 të marrëveshjeve të BE filloi procedurën kundër Polonisë me qëllim verifikimin e rivendosjen e rendit të së drejtës në vend. Kjo "bombë atomike politike" si thuhet në zhargonin e Brukselit, nuk e detyroi qeverinë e Varshavës të kthejë rrugë. Ishte urdhëresa e menjëhershme e Gjykatës Europiane në Luksemburg ajo që detyroi kreun e partisë nacional-konservatore, Jaroslëa Kaczynski të ndërrojë mendje. Muajin e kaluar kjo gjykatë kishte kërkuar rikthimin në punë të gjykatësve të lartë polakë deri sa të jetë marrë vendimi përfundimtar. Me forca të bashkuara, institucionet europiane ia dolën asaj që shumë vetë e quanin të pamundur.
Qeveria e Polonisë i kthehet arsyes dhe i nënshtrohet rregullave europiane. Nuk dihet, nëse kjo bëhet nga bindja, apo si manovër taktike për të përmirësuar marrëdhëniet me BE. Ndoshta edhe parashikimi për gjobat e ardhshme që Gjykata Europiane do mund t'i kishte vënë, ka luajtur rol për këtë kthesë. Por tek kjo kthesë mund të ketë çuar edhe rezultati jo i kënaqshëm që PiS mori në zgjedhjet lokale në tetor në Poloni.
Ligjshmëria nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike, një kusht i pamënjanueshëm që investitorët të ruajnë edhe më tej interesin për Poloninë. Pra bëhet fjalë për rritje ekonomike dhe vende pune. Edhe këtë duhet ta ketë kuptuar qeveria në Varshavë. Presidentja e Gjykatës së Lartë, Malgorzata Gersdorf e rikthyer në post është e kujdesshme. Para se t'i besojë PiS ajo do të shohë njëherë tekstin përfundimtar të ligjit përkatës. Ligji për kalimin e detyruar në pension të gjykatësve ndoshta të papëlqyer kaloi vetëm për pak orë për tre seanca në parlament. Opozita e kritikoi këtë procedurë.
Rregullat duhet të respektohen
Sa pozitiv është ky zhvillim në Poloni, po aq qartë duhet thënë që kjo është vetëm gjysma e punës. Pjesë të tjera të reformës në drejtësi të miratuara nga partia qeverisëse, si për shembull transferimi i kontrolluar i gjykatësve në gjykata më të vogla, mbetet ende në fuqi. Prandaj është herët që të ndërpritet procedura e BE-së për verifikimin e shtetit ligjor në Poloni. BE duhet të përpiqet që qeveria polake të bëjë korrigjime të tjera të kësaj reforme- Nëse kjo arrihet, vetëm për ndihmës së Gjykatës Europiane, mund të shihet si një shuplakë për qeverinë polake.
Mesazhi nga grindja BE-Poloni për populistët e nacionalistët duhet të jetë: Në fund të gjithë duhet të respektojnë rregullat, të cilat një vend që është bërë anëtar i BE i ka pranuar. Kjo nuk vlen vetëm për Poloninë, -Hungarinë apo tani Italinë, por për të gjitha vendet anëtare. Kush nuk e pranon këtë duhet të largohet nga BE, më mirë sot se nesër.