1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polonia në prag zgjedhjesh parlamentare të parakohshme

Jan Pallokat11 Gusht 2007

Për shkak të krizës qeveritare kryeministri polak shpalli organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet e rregullta në Poloni duhet të zhvilloheshin në vitin 2009.

Kryeministri polak, Jaroslaw Kaczynski, duke shpallur organizimin e zgjedhjeve të reja.Fotografi: AP

Kryeministri polak Jaroslav Kazhinski (Jaroslaw Kaczynski) shpalli në fundjavë se për shkak të krizës së rëndë qeveritare në vjeshtë të këtij viti në vend do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Si datë për zgjedhjet ai përmendi 21 tetorin.

Partia e Kazhinskit "Ligj dhe Drejtësi" bashkëqeveris në koalicion me dy parti të vogla. Mosmarrëveshjet me to lindën, sepse kryeministri liroi nga detyra disa ministra si dhe zëvendës- kryeministrin. Duke shpallur organizimin e zgjedhjeve të reja Kazhinski e justifikoi edhe një herë politikën e tij të mujave të fundit, sidomos në drejtim të luftimit të korrupsionit: "Ne u premtuam polakëve se do të luftojmë korrupsionin, këtë superepidemi të shoqërisë sonë. Këtë premtim e mbajtëm dhe zgjedhjet e reja do të jenë një plebishit ku do të shtrohet pyetja: "Ç'Poloni duam ne? Një Poloni e cila lufton korrupsionin, apo një Poloni si e kërkojnë kundërshtarët tanë. Besoj se sapo populli ta kuptojë përmbajtjen e kësaj pyetjeje, përgjigja do të jetë e qartë!"

Kazhinksi kishte kërcënuar disa herë me organizimin e zgjedhjeve të reja, por deri tani nuk kishte guxuar ta ndërmerrte këtë hap. Sipas anketimeve partia e Kazhinksit pritet të dalë e dyta në radhë në zgjedhjet e reja duke u renditur pas Platformës Liberale Qytetare. Madje diferenca mes tyre pritet të jetë e madhe.

Sipas vëzhguesve në Varshavë mosmarrëveshjet ekzistuese brenda qeverisë Kazhinksi ishin bërë kohët e fundit tepër të dukshme. Largimi i ministrave nga postet nën akuzën e mungesës së besnikërisë dhe luajalitetit ia kishin ngushtuar shumë rrezen e veprimit Kazhinskit.

Publicisti Tomash Volek (Tomasz Wolek) mendon se atij nuk i kishte mbetur rrugë tjetër veç organizimit të zgjedhjeve të parakohshme: “Agonia po bëhej e rrezikshme dhe shpërbërja e qeverisë nuk mund të ndalej më. Ndoshta kryeministri arriti në fund të përfundimin se po të vazhdonte kështu mund ta shkatërronte përfundimisht partinë e tij dhe se ishte më mirë që megjithë rrezikun të organizonte zgjedhje të parakoshme."

Për organizimin e zgjedhjeve të reja është i nevojshëm edhe vendimi i parlamentit dhe në këtë pikë mund të ketë probleme. Para disa javësh u bënë publike të dhëna nga hetimet e policisë së posaçme CBA, të cilat shkaktuan një valë akuzash të ndërsjella mes partive të koalicionit dhe ministrave të tyre. Pas kësaj ngjarjeje partia postkomuniste polake SLD, partia agrare "Samoobrona" dhe "Lidhja e familjeve polake" LPR kërkojnë që përpara organizimit të zgjedhjeve të reja të ngrihet një komision parlamentar i posaçëm për sqarimin e kësaj çështjeje.

Në këtë mes pra mund të krijohet një konstelacion i tillë, që në parlament të mos bëhen dot votat e nevojshme për organizimin e zgjedhgjeve të parakoshme dhe vendimin për shpërndarjen e parlamentit aktual.