Polonia nën drejtimin e binjakëve Kazhinski
8 Korrik 2006Pas dorëheqjes së tij të premten në darkë kryeministri polak Kazhimir Marcinkiewitz vazhdon të mbulohet me një perde heshtjeje. E vetmja gjë që merret vesh prej selisë së partisë Ligj dhe Drejtësi është se ai ka propozuar si pasardhës për postin e kryeminstirit kryetarin e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në qeveri Jaroslav Kazhinskin. Zëdhënësi i kësaj partie Adam Bielan sqaron:
"Kryetari i PiS-së, Jaroslav Kashinski ishte kandidati kryesor i partisë në zgjedhje. Dhe zgjedhjet PiS i fitoi me Kazhinskin. Prandaj unë besoj se ky vedim është krejtësisht normal."
Versioni zyrtar i konservatorëve polakë sipas së cilit ata i kishin kërkuar Marcinkiewicit që të jepte dorëheqjen, sepse me bisedimet me opozitën liberal-konservatore e kishte fyer partinë e vet PiS, po bëhet gjithnjë e më i dyshimtë. Partneri i koalicionit të PiS, Roman Giertich, i partisë Lidhja nacionaliste e familjeve polake, deklaroi se Jaroslav Kazhinski i kishte informuar që të mërkurën e kaluar krerët e partive të koalicionit qeverisës në lidhje me ndryshimin e qeverisë duke sqaruar se do të ishte vetë kandidat për postin e kryeministrit.
"Këtë gjë e morëm vesh gjatë një takimi të partnerëve të koalicionit. Ne vetëm na u morr mendim dhe unë thashë se ne e respektojmë të drejtën e partisë që fitoi numrin më të madh të votave, që të propozojë kandidatin për këtë post. Personalisht unë gëzohem që ky kandidat është Jaroslav Kashinski." - tha Giertich.
Sipas kësaj del që ndryshimi në kreun e qeverisë polake ka të bëjë vetëm me dëshirën e Jaroslav Kazhinskit, që të zërë pas presidentit të vendit, vëllait të tij binjak Lech Kazhinski, vendin e dytë më të rëndësishëm në Poloni, atë të kryeminsitrit.
Lufta e brendshme politike në radhët e PiS do t'u japë krahë ekstremeve dhe armiqve të Evropës në politikën polake, thekson Rishard Kalish, Ministër i Brendshëm në qeverinë Belka:
"Ky është një sinjal i keq. Një Jaroslaw Kazhinski si kryeministër do të thotë për Poloninë izolim. Një izolim sidomos kundrejt Evropës, sepse me vendet e tjera të BE-së nuk do të kooperim, por armiqësim. Armiqësi do të ketë madje me të gjithë botën e jashtme. Këtyre u shtohet mungesa e logjikës së Kazhinskit pët të gjitha problemet dhe çështjet e tregut të lirë."
Ndërkohë partnerët ekstremistë të koalicionit po e shfrytëzojnë situatën për të forcuar pozitën e tyre brenda radhëve të qeverisë. Për të arritur koalicionin e ardhshëm me populistët dhe nacionalistët Jaroslav Kazhinskit do t'i duhet me hir a me pahir që t'ua plotësojë kërkesat ultra të djathtëve.