1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkarje djathtas?

6 Prill 2012

Jean-Marie le Pen dhe Jörg Haider - për shumë vite ata ishin populistët më të njohur të krahut të djathtë në Evropë. Por edhe në vende të tjera evropiane po forcohen partitë e djathta populiste.

Jean-Marie Le Pen, populisti i njohur djathtist francez
Jean-Marie Le Pen, populisti i njohur djathtist francez

Kriza ekonomike po e rëndon Evropën dhe si pasojë sjell shkarjen nga e djathta? Ky shpjegim është shumë i thjeshtë, thotë Florian Hartleb nga Qendra për Studime Evropiane në Bruksel (CES). Sidomos për shkakun se populistët e krahut të djathtë nuk kanë strategji për të luftuar krizën, përveç thirrjes për izolim kombëtar dhe kritikave kundër globalizimit.

Shkarje djathtas në shtetet e pasura

Për shembull, në vendet skandinave ndikimi i krizës së borxheve as që ndjehet. As emigracioni ilegal nuk është problem i madh. Megjithatë forcohen partitë e djathta populiste. Në Finlandë "Finlandezët e vërtetë" korrën në zgjedhjet e fundit suksese. Me sloganin "Ne nuk e kuptojmë se përse të paguajmë për Portugalinë", ata arritën të merrnin 20 për qind të votave, e shpjegon Florian Hartleb strategjinë e të djathtëve evropianoveriorë. Dhe në Suedi populistët e djathtë "Demokratët e Suedisë" hynë në vitin 2010 për herë të parë në parlament.

Populisti tjetër që nxit ndjenjat kundër të huajve në Europë, holandezi Geert WildersFotografi: AP

Në vendet e pasura ata shfrytëzuan frikën e qytetarëve se mund t'u ndryshojë statusi. "Amoku i ekstremistit të djathtë Anders Breivik në verën e vitit 2011 në Norvegji është megjithatë akt i një individi dhe jo shprehje e fuqizimit të së djathtës së dhunshme", vlerëson Florian Hartleb.

Edhe në Gjermani aktet e dhunshme të motivuara nga pikëpamje ekstremiste të djathta tronditën vendin. Më shumë se një dhjetëvjeçar një treshe, e cila e quante veten sfondi nacionalsocialist (NSU), kreu vrasje, derisa autoritetet ranë në gjurmët e tyre. Gjurmët çojnë edhe në Partinë Nacionaldemokrate të Gjermanisë, NPD, e cila klasifikohet në mënyrë të qartë si antikushtetuese dhe jo vetëm si populiste e djathtë, por si parti ekstremiste e djathtë, thotë Hartleb. Por ai është skeptik lidhur me ndalimin e NPD-së: "Në Gjermani nuk është problem forcimi i partive të djathta, por problem janë aktet e dhunës së krahut të djathtë dhe një subkulturë, që është përgjegjëse për vrasjet.".

Shkarje djathtas në shoqëritë liberale

Nga ana tjetër në vendet fqinje të Gjermanisë ka një prirje të qartë nga e djathta në peizazhin politik. Në Belgjikë partia raciste e ekstremit të djathtë, Vlaams Belang, e quajtur deri në vitin 2004 Vlaams Blok, është prej gati 20 vjetësh një ndër tri partitë më të suksesshme. Edhe në Holandë, qeveria e përbërë nga kristiandemokratët dhe liberalët e djathtë nën kryeministrin Mark Rutte qëndron, vetëm se tolerohet nga partia e djathtë populiste e Geert Wilders. "Geert Wilders i fton hollandezët në një faqe interneti, të shënojnë se çfarë krimi është kryer nga evropianolindorët", shpjegon Florian Hartleb strategjinë e krahut të djathtë të populistëve holandezë. "Me këtë ai e nxit frikën".

Pikërisht tradita liberale e këtyre vendeve duhet të ketë çuar në forcimin e të djathtëve, thotë Stefan Seidendorf, historian dhe drejtor i sektorit për Evropën në Institutin gjermano-francez në Ludwigsburg. Ai punon në një studim mbarëevropian mbi populizmin e djathtë dhe mendon: "Ky vizion liberal pör një popullsi të përcaktuar në mënyrë shumë universale ka treguar vitet e fundit dobësinë e saj, ngaqë nuk korrespondonte me realitetin." Kjo është vënë re edhe në Francë, ku diskutohej për një klasë të mesme universale, ndërsa në periferi krijoheshin getot, thotë Seidenhofer.

Ndërsa populisti i djathtë Geert Wilders toleron qeverinë, Partia austriake e Lirisë me kryetarin e atëhershëm Jörg Haider në vitin 2000 bëri edhe koalicion me Partinë Popullore Konservatore, ÖVP.

Ekstremizmi i djathtë në Hungari. Anëtarë të grupit militarist, garda hungareze nxisin ndjenjat kundër romëveFotografi: picture-alliance/dpa

Shkarje djathtas në vendet në transformacion

Edhe në Lindje të Evropës po forcohen partitë e djathta. Shumë vëzhgues e konsiderojnë këtë një fenomen të modernizimit dhe transformacionit. Pas Luftës së Dytë Botërore edhe në Evropën Perëndimore ka patur parti ekstremiste të skajit të majtë dhe të djathtë, thotë Stefan Seidendorf: "Eshtë dashur të kalojë një brez, për të modernizuar dhe konsoliduar sistemet partiake dhe për të larguar tundimet ekstremiste të së kaluarës." Një gjë e ngjashme mund të vihet re edhe në Evropën Lindore.

Sfidë për Europën

Fare pa ndikim në forcimin e populizmit të djathtë kriza ekonomike nuk është, thotë historiani Stefan Seidendorf. Të ashtuquajturit humbës të modernizimit janë orientuar gjithnjë e më shumë nga partitë e djathta. Dhe një tjetër faktor i shton përkrahësit e të djathtëve, thotë Seidendorf: Evropa duhet të përballojë rritjen e emigracionit, por pa patur një politikë të përbashkët evropiane të imigracionit.

Nëse partitë në pushtet nuk dinë si të veprojnë, njerëzit kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre tek lëvizjet ekstreme, thotë ai. Florian Hartleb thotë se në Bashkimin Evropian, institucionet dhe partitë kanë një detyrë: "Politika nuk duhet vetëm të administrojë", thotë Hartleb. Ne kemi nevojë për vizione. BE-ja duhet të përgjigjet, se ku do të jetë Evropa në vitin 2020. "Vizione të tilla të mëdha shkaktojnë optimizëm dhe ndihmojnë për të kapërcyer frikën", thotë Hartleb.

Autor: Daphne Grathwohl/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi