1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Populistët e djathtë në Greqi pranohen gjithnjë e më shumë nga shoqëria

15 Nëntor 2011

Për herë të parë pas gati 40 vjetësh, në qeverisjen e Greqisë marrin pjesë edhe politikanë nacionalistë të djathtë. Lëvizja e djathtë populiste, (LAOS) e Jorgos Karaxhaferis, ka katër anëtarë në qeverinë e re.

Jorgos Karaxhaferis, Lëvizja Ortodokse Popullore në Greqi
Jorgos Karaxhaferis, Lëvizja Ortodokse Popullore në GreqiFotografi: AP

Karaxhaferis e drejton partinë LAOS ("Lëvizja popullore ortodokse"), i vetëm. Opinionet për të në Greqi janë të ndryshme, që nga ato që e cilësojnë njeri shumë gjaknxehtë e deri tek ato që thonë, se është oportunist i madh. Edhe vetë kundërshtarët politikë të tij pranojnë se Karaxhaferis, është njeri me nuhatje të madhe, që e kupton menjëherë ku ndodhen shancet për të përfituar dhe që i tregon kujtdo atë që do të dëgjojë.

Kështu për shembull kur e tregon veten si njeri të thjeshtë dhe tallet me "të rinjtë nga Bostoni", me kryeministrin e sapolarguar, Giorgos Papandreou dhe kundërshtarin e tij konservator Antonis Samaras, të cilët kanë studiuar në SHBA. Ata nuk kanë idenë nga jeta e vërtetë, shton Karatzaferis, ndryshe nga ai vetë, që ka lënë shkollën, por që dinte të çante në jetë duke punuar si gazetar, formulues tektesh reklamash, bodybuilder, sipërmarrës i vogël, pronar i një agjencie modelesh dhe pra si politikan.

Postera elektoralë të partisë LAOS në Greqi.Fotografi: AP

Karakteristika kryesore à la Karaxhaferis

Baza e tij politike ka qenë për shumë vjet partia qytetare konservatore "Nea Dimokratia". Kur kjo parti iu afrua më shumë qendrës në vitet nëntëdhjetë, nën kryesimin e kryeministrit Kostas Karamanlis, Karaxhaferis krijoi në vitin 2000 partinë e tij "Lëvizja popullore ortodokse", duke rënë në sy me shprehjet populiste të djathta dhe antisemitiste, të pashembullta në bërjen e politikës në Athinë.

Në vitin 2002, ai e përshkruante në këtë mënyrë karakteristikën e tij kryesore, të ndryshme nga Karamanlis dhe kryeministri i atëhershëm socialist, Kostas Simitis: "E para, unë nuk jam çifut. Do të doja që edhe Simitis të mund të thoshte të njëjtën gjë. E dyta, unë nuk jam komunist. Do të doja që edhe Karamanlis të mund ta pretendonte këtë. Edhe e treta, unë nuk jam homoseksuel, këtë mund ta thonë pak vetë për veten e tyre".

Karaxhaferis ka folur gjithnjë për mitin e një konspiracioni botëror sionist, për ndalimin e emigracionit në Greqi, dhe ka paralajmëruar për rrezikun turk në lindje të vendit. Komentatorët liberalë të majtë e venë në lojë si "udhëheqësi Karaxha" duke aluduar me Adolf Hitlerin, për shkak se mbaresa e mbiemrit tingëllon ngjashëm, feris në greqisht me "führer"- udhëheqës, në gjermanisht. Por, kryetari i LAOS-it, i kushton rëndësi përcaktimit, që thotë se ai nuk është "radikal i djathtë" dhe kushdo që do të pretendojë një gjë të tillë, do të çohet direkt në gjykatë.

Kolegë me të njëjtat ide

Ide të djathta kanë edhe kolegët e tij të partisë, si përshembull Mavroudis Voridis, një ish simpatizant i Jean Mari Le Pen-it dhe bashkëthemelues i organizatës nacionaliste "Fronti grek". Ose edhe avokati Adonis Georgiadis, i cili ka bërë emër si predikues televizioni dhe si botues i teksteve patriotike.

Por, Karaxhaferis nuk do të kishte qenë Karaxhaferis, nëse do të kënaqej me kaq. Pasi fitoi vota të mjaftueshme nga kampi i djathtë, ai iu kthye forcave të qendrës, dhe e bëri këtë në një moment kur opozita qytetaro- koservatore e kryesuar nga Antonis Samaras po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga e djathta.

Oportunist apo zëri i arsyes? - opinionet për Karaxhaferis janë të ndaraFotografi: AP

Katarsis me "zërin e arsyes"

Në teatrin politik të javës së kaluar për referendumin, zgjedhjet e reja dhe obsionin e një koalicioni të madh në Greqi, Karaxhaferis u hoq si burrë fisnik shteti. Dhe kur gjelat grindavecë Samaras dhe Papandreu manovronin me lojrat e tyre politike duke shkuar drejt qorrsokakut, shefi i LAOS-it, deklarohej gjithnjë për qeveri të bashkimit kombëtar duke apeluar tek presidenti i shtetit Karolos Papoulias, për të marrë inisiativën dhe vendosur të dy partitë popullore në vendin e vet. Gazetari me emër i Athinës, Alexis Papachelas nuk i besonte veshëve: "Ne kemi rënë sot kaq poshtë, saqë një si Karaxhaferis na mishëron tani zërin e arsyes", tha Papachelas për stacionin televiziv, Sky.

Tani Karaxhaferis është duke marrë frutet e taktikës së tij. Katër politikanë të LAOS-it marrin pjesë në qeverinë kalimtare: Mavroudis Voridis drejton ministrinë për Infrastrukturë dhe Transport, dy shokë të tjerë partie bëhen zëvendësministra dhe ish diplomati dhe deputeti evropian Giorgos Georgiou, bëhet zëvendësministër i Mbrojtjes.

Edhe në Greqi populistët e djathtë janë duke u pranuar më shumë. Nëse partitë e mëdha vazhdojnë të grinden, atëherë Karaxhaferis mund të shpresojë madhe edhe më tepër.

Autor: Jannis Papadimitriou/ Aida Cama

Redaktoi: E. Xhani