Pornografia e fëmijëve: Dështim i shtetit dhe i politikave?
11 Qershor 2020Indinjata është e madhe: Policia zbuloi javën e kaluar sërish një rrjet të organizuar profesionalisht për abuzimin seksual të fëmijëve. Në një bahçe në Mynster dhunoheshin prej vitesh brutalisht fëmijë. Deri tani janë identifikuar tre viktima, në moshën 5, 10, 12-vjeçare, dhunuar në mënyrë brutale nga disa meshkuj, radhazi. Aktet filmoheshin dhe shiteshin në platformën illegale në internet, Darknet. 600 terrabyte kishte gjetur policia në shtëpinë përdhese të kopshtit, 30 vjet i nevojiten një njeriu për t’i parë. Njëra nga shtatë personat e arrestuar ishte mamaja e 27-vjeçarit. Deri në momentin e arrestimit ajo ishte mësuese kopshti, dhe dyshohet se ka qenë në dijeni të asaj që bënte i biri në atë kopsht.
Fenomen në rritje
Sigurisht, ky është një nga rastet më të rënda të abuzimit me fëmijë në Gjermani. Por nuk është i vetmi. Sipas statistikave të krimit, policia ka përpunuar vitin e kaluar mbi 12 000 raste të tilla vetëm në vitn 2019, 65 përqind më shumë se në vitin 2018. Numri i përgjithshëm i të gjitha rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve ishte rritur me rreth nëntë përqind në 15 900. Nëse do të bëjmë një llogari të thjeshtë, i bie që të ketë pasur afro 43 abuzime me të mitur në ditë.
Shumë vëzhgues sot shtrojnë pyetjen: Si është e mundur, që një shtet si Gjermania nuk është në gjendje të kujdeset për fëmijët e tij?
"Abuzuesit janë mjeshtër të mashtrimit"
Sipas ekspertëve, në të shumtën e rasteve abuzimet ndodhin brenda në familje: nga babai, vëllai, ungji, gjyshi, njerku, në shumë raste janë edhe vetë nënat ato që e tolerojnë, bëjnë sikur nuk kuptojnë, ose madje, në raste shumë të rralla, bashkëveprojnë në mënyrë aktive për dhunimin e fëmijëve.
Sidoqoftë, shpesh nuk është e lehtë për punonjësit e zyrave të mirëqenies rinore të identifikojnë abuzimin. "Shpesh nuk ka prova të dhunës seksuale," thotë Johannes-Wilhelm Rörig, i ngarkuari i qeverrisë gejrmane për Çështjet e Abuzimit Seksual. "Fëmijët dhe ata që kanë njohuri nga mjedisi shoqëror shpesh janë nën presion të madh për të heshtur. Abuzuesit janë mjeshtra të mashtrimit. Ata bëjnë gjithçka munden për të thurrur strategjitë e tyre aq sa rrethi shoqëror ose familja të mos kuptojë asgjë dhe që ata të mos zbulohen".
Ligji mbron familjen
Nga ana tjetër, në Gjermani nuk është aq e lehtë ta heqësh një fëmijë nga familja e tij, qoftë përkohësisht, qoftë përgjithmonë. "Në sfondin e përvojës së periudhës naziste, në Ligjin Themelor, thuhet se kujdesi dhe edukimi i fëmijëve janë e drejtë natyrore e prindërve," shpjegon Hans-Jürgen Schimke, profesor i njohur i të Drejtës në Universitetin e Mynsterit dhe një ekspert për të drejtat e fëmijëve. Të drejtën për të rritur fëmijën prindërve nuk ua jep shteti, por ajo është e drejtë njerëzore: " Shteti nuk duhet të ndërhyjë".
Gjermania është rast special edhe në krahasim me vendet e tjera: "Në SHBA, për shembull, nuk ka të drejta të tilla prindërore“, thotë Schimke. „Nëse dikush e lë fëmijën vetëm ose nuk e mbikëqyr në sheshin e lojërave, ai mund të dënohet“, thotë Schimke për DW.
"Në Danimarkë, fëmijët shoqërohen nga një kujdestare familare qysh nga lindja, dhe ajo natyrisht i njeh fare mire sjelljet e prindërve." Në Francë raporti mes shtetit dhe familjes është ndryshe, thotë Schimke: “Ata e quajnë rritjen e fëmijës si përgjegjësi publike, e jo përgjegjësi private."
Gjykatësit pa përvojë
Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2018 jetonin rreth 175 000 fëmijë në qendra për mbrojtjen e të rinjve ose në familje kujdestarie. Kalimin në strehimore ose në familje kujdestarie e sugjeron Zyra e të Rinjve. Por ajo nuk ka në dorë më shumë se të këshillojë. Vendimin e marrin gjykatat. E shumë gjyqtarë janë të papërvojë: "Gjyqtarët duhet të gjejnë arsye për të tërhequr kujdestarinë e prindërve dhe ata janë të prirur t’u besojnë nënave se ato kujdesen për fëmijët e tyre dhe duan vetëm më të mirën për ta", thotë Schimke nga përvoja e vet si avokat.
Edhe pse Zyra e të Rinjve mund të ketë punuar për një kohë shumë të gjatë me familjen dhe e di fare mirë se ç’ndodh aty, shumë shpesh u jepet e drejta fëmijëve. Prindërit dalin aty të veshur mire dhe shoqërohen nga avokatët. Pastaj gjykatësi thotë: "Çfarë doni ju? Ata janë për së mbari", thotë Schimke: "Ky është problemi më i madh dhe themelor, sepse gjyqtarët shpesh janë të papërvojë dhe nuk i njohin humnerat e ekzistencës njerëzore ".
Rasti i Mynsterit ishte i tillë. Abuzuesi nuk ishte i panjohur për organet zyrtare. Madje, vite më parë, Enti për të Rinjtë, ishte përpjekur që ta ndalonte 27-vjeçarin e sotëm të kishte kontakt me njërin prej të abuzuarve, që sot është 10-vjeçar, pikërisht sepse asokohe 22-vjeçari ishte dënuar si i ri për shpërndarje pornografish. Por Gjykata e Familjes e kishte refuzuar kërkesën e Zyrës së Të Rinjve.
Kur gjykata e familjes gjykon kundër rekomandimit të Zyrës së Rinisë, kjo e fundit i ka duart e lidhura. Në një rast të tillë, Zyra e Rinisë, mund t’i drejtohet një autoriteti tjetër, por kjo kushton kohë të vlefshme në të cilën fëmija vazhdon të jetojë në familje.
Më brutale dhe gjithnjë e më shumë?
Gjatë këtij viti janë zbuluar disa raste të rënda abuzimesh me fëmijë. Lind pyetja se a është rritja statistikore për faktin se policia zbulon më shumë raste sesa disa vjet më parë, apo janë abuzuar më shumë fëmijë sot sesa dikur? Në fakt, policia në shtetin e Renanisë Veriore-Vestfali, ku ndodhet Mynsteri, është modernizuar me teknologjinë e hetimit. Nga ana tjetër, është shumë më e lehtë të shesësh materiale pornografike në epokën e Internetit. Kërkesa rritet. Kryetarja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, thotë se tregu është shumë i madh, është „industri“.
Kramp-Karrenbauer, dëshiron të ashpërsojë ligjin penal në një hap të parë. Ndërsa në Gjermani abuzimi i rëndë seksual i fëmijëve mund të dënohet me deri 15 vjet burg, sigurimi i materialit me pornografi për fëmijë dënohet shumë pak. "Është e papranueshme që një vjedhje e thjeshtë në një dyqan, të dënohet më shumë se blerja ose mbledhja e materialeve me pornografi për fëmijë“, thotë Kramp Karrenbauer.
Mbrojtja e të dhënave, mbrojtja e abuzuesit?
Fakt, është që në shumicën e rasteve, në rrjetet e internetit ilegal ku këmbejnë fotografi pedofilët, mund të hysh vetëm nëse ofron vetë material poronografik. Kështu që jo rrallë, konsumimi i materialit pornografik është i lidhur me abuzimin e drejtpëdrejtë të një të mituri, thonë kriminalistët. Prandaj, politikanët dhe aktivistët për mbrojtjen e fëmijëve i bëjnë thirrje shoqërisë që të tregohet më e vëmendshme dhe, në rast dyshimi, të informojë agjencitë qeveritare ose organizatat në ndihmë të fëmijëve.
Kryetarja e CDU-së, Kramp-Karrenbauer po bën presion për të reformuar edhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave. Mënyra më e mirë për të sqaruar në mënyrë efektive përhapjen e pornografisë së fëmijëve në internet është aksesi në të dhënat e ruajtura nga trafiku i firmave të komunikimit. Ajo argumenton: "Unë e di se tema e së ashtuquajturës ruajtje të të dhënave është një çështje delikate, por nëse ka një fushë ku mbrotja e të dhënave është mbrojtja e abuzuesve, kjo është pikërisht pornografia e të miturve“.