1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i artistit turk Ismail Çoban

Sabine Damashke 21 Janar 2008

Ai është lindur dhe është rritur në Turqi, por jeton qysh prej 40 vjetësh në Gjermani. Ismail Çoban e ka filluar karrierën e tij si artist nga hiçi.

Sot, në moshën 62 vjeçare ai mund t'i shohë veprat e tij në të gjitha muzetë e botës. Por në vend që të dalë në pension, Çobani angazhohet veçanërisht për talentet e reja nga vendet e tjera. "Shumë vetë kanë fjetur dhe kanë ngrënë në këtë divan, e kanë punuar në studio. Shumë galeristë dhe artistë madje kanë ardhur këtu me dyshekun e tyre."

Dhe Çobani tregon banesën dhe dhomën e tij të punës: Në një sipërfaqe prej 600 metra katrorësh. Në studion e tij në Vupertal ka vend të mjaftueshëm për telajo dhe skulptura të larta. Ajo ndodhet në fund të një qorrsokaku, në hyrje të një pylli të vogël. Kolegë nga e gjithë bota vijnë për ta vizituar Çobanin ose për të punuar në studion e tij. Njëri prej tyre është Amouzou Glipka. Skulptori afrikan e vlerëson teknikën dhe stilin e grafikave të Çobanit: „Më pëlqejnë akuafortet e tij, sepse në to zbuloj gjithmonë ndonjë të fshehtë", thotë ai.

Amouzou Glikpa ka jetuar 12 vjet në Kinë dhe ka studiuar në Akademinë për Artet e Bukura në Pekin, gjë që ka ndikuar edhe mbi punimet e tij. „Unë tani po vëzhgoj kulturat, atë aziatike, evropiane dhe afrikane, për t'i lidhur ato me njëra tjetrën në punimet e mia."

Evolucioni është njëra nga temat

Njerëzit që duan të jenë në harmoni me natyrën, por që nuk e dinë se si mund të realizohet kjo. Në vizatimet e Glipkës gjen burra dhe gra të kapërthyer me njëri tjetrin. Ato duken si hije para një panorame afrikane, bari i të cilës përbëhet prej shkronjash. Edhe në punimet e Çobanit sheh njerëz të kacafytur në përqafime të pafundme. Por nuk janë pamjet e dashurisë ato që e bënë Çobanin me famë botërore. Ishte cikli i tij me titullin „Fegefeuer", të cilat ai i tregoi për herë të parë në panairini e Bazelit në vitin 1981.

"Stenda ime ishte plot me njerëz. Që atëherë u bëra i njohur. Por, të them të drejtën, isha paksa i trishtuar. Përse të bëhet shkak një ngjarje kaq e hidhur si ajo që kisha ilustruar unë, Holokausti ose purgatori, për ta ndryshuar një artist kaq shumë? Që atëherë fillova të merresha me dashurinë."

Dashuria po ashtu

Në punimet e Çobanit ajo është shpesh e lidhur me përvoja të skajshme, ndjenjën e izolimit dhe të qenit pa atdhe. Pra me përvoja, të cilat edhe vetë artisti i ka bërë: „Në fillim ishte shumë e vështirë. Kur erdha në Gjermani kisha vetëm një palë pantallona dhe një këmishë. Asgjë tjetër. Kisha dhjetë libra dhe disa sende për të pikturuar. Për një kohë të gjatë u enda rrugëve si vagabond."

Në Turqi Çobani kishte qenë mësues dhe gazetar. Por u detyrua të largohej nga Turqia për shkak të një artikulli kundër regjimit, për të cilin mund të dënohej me tetë vjet burg. Ishte viti 1969. Në Gjermani ai filloi të punonte në një fabrikë për të financuar studiimet. Dhe është pikërisht ky fillim i vështirë i tij, që e ka shtyrë atë të ndihmojë financiarisht artistë si Amouzuou Glipka.

Para një viti ai themeloi një fondacion

„Më janë dashur 25, 30 vjet për themelimin e tij. E kam financaur vetë dhe me të u kam ndihmuar edhe artistëve që nuk kishin as para për të udhëtuar nga Mynihu për në Vupertal. Ky angazhim duhet të vazhdojë."

Çobani tani pret që t'i vijë një grup profesorësh arti nga Azerbaixhani për të marrë përvojë në Gjermani, të cilën do t'ua transmetojnë më vonë studentëve të tyre. Çobani është i sigurtë se ndonjë talent i ri njëditë do ta gjejë rrugën deri në studion e tij.