1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i Rangin Dadfar-Spanta-s

Christoph Heinzle22 Prill 2006

Gjermano-afganasi 53-vjeçar do të jetë ministri ri i jashtëm i Afganistanit

Dr. Rangin Dadfar-Spanta
Dr. Rangin Dadfar-SpantaFotografi: S.R.Yasir

Politikani afganas i kthyer nga mërgimi në Gjermani, Rangin Dadfar-Spanta, është konfirmuar nga parlamenti në Kabul si ministër i ri i jashtëm i vendit. Deputetët votuan për 20 nga gjithsej 25 anëtarët e kabinetit të propozuar nga presidenti Hamid Karzai. Dadfar-Spanta ishte larguar nga vendi në vitin 1982 gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit. Gjatë mërgimit në Gjermani ai kreu studimet e larta për shkenca politike dhe më pas ka dhënë mësim në shkollën e lartë profesionale teknike të Ahenit. Pas rrëzimit të rregjimit fondamentalist të talebanëve ai u kthye në vendlindje ku kohët e fundit ka qenë këshilltar i presidentit Hamid Karzai për çështje të politikës së jashtme.

Rangin Dadfar-Spanta është një personazh jo komod: intelektual, vizionar, kritik. Ai nuk kursen askënd dhe ky qëndrim nuk i ka sjellë vetëm miq. Nga Aheni gjerman studiuesi i shkencave politike dhe aktivisti kritikonte ashpër baronët e luftës dhe islamistët në Afganistan, si këshilltar i presidentit afgan gjuha e tij u bë diplomatike por zërin nuk e uli. Dadfar-Spanta kritikon vazhdimisht ndërhyrjen e Pakistanit në Afganistan dhe e bën fqinjin e madh bashkëpërgjegjës për gjendjen e paqëndrueshme të sigurisë në vend:"Nëse luftën do ta drejtonim kundër shkaqeve dhe folesë ku terrorizmi mbrujtet, këto janë mederesetë dhe disa shërbime sekrete, brenda një ose dy vjetësh do të triumfonim mbi të."

Dadfar-Spanta ka lindur 53 vjet më parë në qytetin Herat në perëndim të Afganistanit si biri i një biznesmeni të pasur dhe me influencë. Tradita feudale nuk ka për të asnjë vlerë por kujtimet e fëmijërisë në Afganistanin përpara luftës dhe shkatërrimit kanë mbetur të gjalla: "Këto janë kujtimet më të bukura të jetës sime, prej tyre nuk mund të çlirohem. Një nga arsyet për këtë është se vendi është ose ka qenë jashtëzakonisht i bukur. Njerëzit ishin shumë të dashur, ndihmonin shumë njëri-tjetrin, shumë të sjellshëm. Të gjitha këto kanë lënë gjurmë tek unë. Formimi im si qënie sociale ka nisur dhe ka përfunduar në Afganistan."

Dadfar-Spanta ka studiuar në Kabul, Ankara dhe në përfundim në Ahen. 23 vjet ka jetuar ai si student e më pas si docent në landin e Rinit gjatë luftës së gjatë e të përgjakshme civile në Afganistan. Dadfar-Spanta u angazhua në grupet në mërgim për një Afganistan modern dhe demokratik, por ndikimi i kësaj lëvizjeje ishte i dobët në krahasim me atë të komunistëve dhe muxhahedinëve:"Në fillim por edhe më vonë existonte edhe një qëndresë intelektuale dhe demokratike. Qëllimi ishte zhvillimi i një qëndrese demokratike si rrugë e tretë, si alternativë, por trysnia nga të dy palët ishte shumë e madhe, demokratët nuk kishin mundësi të mbroheshin dhe mbështetja e solidariteti nga jashtë ishin shumë, shumë të pakta."

Pas rënies së talebanëve në vitin 2001 aktivisti dhe studiuesi Dadfar-Spanta ndërmori udhëtime të gjata në vendin e tij. Ai dëshironte të kontribuonte në Afganistanin e ri. Në fillim të vitit të kaluar Hamid Karzai e emëroi këshilltarin e tij, ndërsa tani ministër të jashtëm. Dadfar-Spanta mendon se jo të gjitha iniciativat e presidentit kanë përfunduar me sukses. Ai do të dëshëronte p.sh. më shumë mbështetje për partitë në vend dhe reduktim të influencës së baronëve të fuqishëm të luftës. Por në përgjithësi ai flet për suksese: për vajzat afganase që shkojnë përsëri në shkollë, për kushtetutën e re të vendit, për ushtrinë, parlamentin, deputetet e shumta femra: "Këto janë arritje të mëdha. Krahasimi i Afganistanit të sotëm me atë katër vjet më parë as që mund të bëhet. Sukseset janë gjigande dhe më japin shpresë e

Rangin Dadfar-Spanta ka dy nënshtetësi: gjermane dhe afganase. Burri i thinjur me buzëqeshjen miqësore ka zgjedhur vendlindjen por atdheu i tij i dytë Gjermania ka lënë tek ai gjurmë të thella: "Kam studiuar politikë në Gjermani dhe për vite me rradhë kam dhënë mësim në shkenca politike. Për këtë arsye ka të ngjarë që politika ime të ndikohet nga ajo çfarë kam studiuar dhe u kam mësuar të tjerëve. Fjala megjithatë nuk është për politikën gjermane por për shkencën."