1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140710 Indien Pakistan

15 Korrik 2010

Të enjten takohen ministrat e Jashtëm të Indisë dhe Pakistanit në Islamabad. Marrja e masave për krijimin e atmosferës së mirëbesimit, gjë që mund të çojë në rifillimin e negociatave të paqes - në qendër të takimit.

Bisedime Indi- Pakisan
Bisedime Indi- PakisanFotografi: AP

Dialogu mes Indisë dhe Pakistanit prej vitesh vuan nga fakti që të dyja palët kanë përfytyrime të ndryshme se cilat tema do të duhet të qëndrojnë në krye të axhendës së ditës. Në kohën që për Pakistanin problemi kyç mes shteteve fqinje është konflikti i Kashmirit, për Indinë është ë rëndësishëm tematizimi i implikimit të Pakistanit në sulmet terroriste dhe aktivitetet e grupeve militante në Indi.

Pas sulmeve spektakolare terroriste në metropolin indian Mumbai në nëntor 2008, India fajësoi terroristët që e kishin strehën në Pakistan dhe prej nga ku planifikuan masakrën e përgjakshme. Pakistanezi Ajmal Kasab, i vetmi atentator i mbijetuar u dënua me vdekje në maj në Mumbai.

Ajmal Kasab, i vetmi atentator i mbijetuar u dënua me vdekje në maj në MumbaiFotografi: AP

Pozicioni i Indisë: Shteti pakistanez di më shumë se sa pranon

Por India mendon se Kasab ishte vetëm një hallkë e vogël në një plan të madh. Ajo hedh dyshime mbi grupin islamist Lashkar e-Taiba të ndaluar në Pakistan dhe udhëheqësin e tij, Hafiz Saed. Meqënëse Lashkar e-Taiba prej kohësh ka pasur lidhje të ngushta me shërbimin sekret pakistanez, edhe Nju Delhi prej kohësh spekulon se shteti pakistanez ka ditur më shumë për planet terroriste se sa pranon.

Ministri i Jashtëm indian, Krishna në takimin me Catherine Ashton, Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme,Fotografi: UNI

Nju Delhi pret pra nga Islamabadi përgjigje. Ministri i Jashtëm i Indisë, S.M. Krishna ka bërë të qartë se ai i jep një vend të veçantë kësaj teme në takimin me homologun pakistanez, shah Mehmud Kureshi.

Megjithatë në Indi sundon bindja se ndërprerja e plotë e dialogut nuk ndihmon. Eksperti për marrëdhëniet bilaterale në nju Delhi D. Suba Çandran sqaron: "Pakistani nuk do t'i dorëzojë kurrë këta njerëz. Ky është një problem politik. India e ka bërë të qartë pozicionin e saj dhe ka mbështetje ndërkombëtare. Por nuk mund të bëhet më shumë në këtë moment. Ndërkohë është bërë një barrë që jemi të fiksuar vetëm në këtë çështje. India duhet më në fund të flasë për këtë me fqinjin e saj."

Pozicioni i Pakistanit: Kashmiri pika kyçe për përparime

Nga ana tjetër Pakistani do të trajtojë temën e Kashmirit, aq më tepër që në javët e fundit në pjesën e administruar nga India në përleshjet e rrugës mes demonstruesve dhe forcave indiane të sigurisë janë vrarë më shumë se një duzinë civilësh.

Ushtarë indianë gjatë një parade në KashmirFotografi: AP

Gazetari pakistanez, dhe Sekretar i Përgjithshëm i Asosacionit për Median e Lirë në Azinë e Jugut, Imtiaz Alam nuk është optimist: "Kjo temë është prej 60 vitesh në axhendën politike. Do të ishte e nxituar të prisje nga takim një përqëndrim tek tema e Kashmirit. Ky është një problem që mund të zgjidhet vetëm në plan afatgjatë."

Askush nuk pret që çelësi i suksesit të ndodhet në takimin mes dy ministrave të Jashtëm nga Pakistani dhe India. Por është e mundur që të dy ministrat të angazhohen për lidhje më të mira në trafikun e shnave apo të autobuzëve apo për lehtësimin e tregtisë në të dyja anët e Kashmirit.

Autor: Thomas Bärtlein/Lindita Arapi

Redaktoi: Elert Ajazaj