1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Preferencat e tregut gjerman për produktet bujqësore shqiptare

20 Shtator 2011

Eksportet e produkteve “Made in Albania” drejt tregut gjerman në 8 muajt e parë të 2011 janë rritur me 20% krahasuar me një vit më parë. Interes tregu gjerman tregon për perimet e hershme dhe produktet bio

Treg në Tiranë
Treg në TiranëFotografi: DW/A.Muka

Eksportet shqiptare për në Gjermani u rritën  

Autoritetet zyrtare të bujqësisë në Shqipëri kalkulojnë një rritje të eksportit të produkteve bujqësore që destinohen në tregun e vendeve fqinje ose atyre të BE-së. Gjatë 8 muajve të parë të vitit 2011, eksportet janë rritur 40 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ndërkohë që masa e importeve është 15 përqind më e lartë. Duke ju referuar të dhënave që sapo ka publikuar Ministria e Bujqësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, produktet bujqësore shqiptare janë të preferuara ndër vendet e rajonit nga Kosova, Serbia, Maqedonia etj., ndërkohë që eksportet janë orientuar dhe drejt Gjermanisë, Sllovenisë dhe shteteve balltike.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe i Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Faslia, duke folur për gamën e produkteve që eksportohen thotë për DW se bëhet fjalë për perimet e hershme të serave, kryesisht nga Lushnja e Berati, shalqiri nga zona e Divjakës, bimët mjekësore aromatike, vezët, vajrat vegjetale etj.

Ndoc Faslia, zëvendësministri i Bujqësisë dhe i Mbrojtjes së KonsumatoritFotografi: Press Office of Albanian Ministry

Përsa u takon preferencave të tregut gjerman Faslia thotë: “Eksportet me Gjermaninë kanë rritje nga viti në vit dhe ka interes për perimet e hershme dhe produktet bujqësore bio. Ne jemi prezentë në tregun gjerman, por dhe në tregjet përreth saj, kam parasysh këtu Zvicrën dhe Austrinë, por edhe Slloveninë me vajin e ullirit bio dhe mendoj se do të konkurojmë dhe me tregje të tjera me sukses. Jo vetëm me vajin e ullirit, por dhe me produkte të tjera bio si një sektor që po zhvillohet vrullshëm vitet e fundit në Shqipëri. Për vitin 2010, totali i eksporteve drejt Gjemanisë ka qënë 8 milion dollarë, ndërkohë që për këtë vit ato priten të shkojnë në afër 10 milion dollarë. Tetë muajt e parë të vitit 2011 mbyllen me një rritje rreth 20 përqind dhe pjesën më të madhe në gamën e eksporteve drejt këtij vendi e zënë perimet e hershme  dhe bimët medicinale, ose sic thirren bimët mjekësore aromatike,”

Rritja e eksportit varet nga format kooperuese të fermerëve

Për rritjen e produkteve bujqësore dhe nxitjen e eksportimit të tyre ka disa projekte dhe programe nga organizata dhe kompani europiane. Një prej tyre është dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ shpk. Ajo prej kohësh është e angazhuar në projekte që kanë financim direkt nga Gjermania ose nga BE për sektorin agroushqimor shqiptar. GIZ ka mbështetur dhënien e subvencioneve për fermerët, si dhe në asistencën e kompanive shqiptare për sistemin e menaxhimit të cilësisë së produkteve të tyre me standartet ndërkombëtare si ISO etj.

Ismail Beka, GIZFotografi: DW/A.Muka

Zëvëndësdrejtori i zyrës së GIZ në Shqipëri, Ismail Beka, mendon se pa arritjen e standarteve ndërkombëtare nuk mund të kuptohet siguria ushqimore dhe nuk mund të ketë rezultate në eksportimin e produkteve bujqësore. Sipas tij kushtet klimatike të favorshme në Shqipëri përbëjnë një faktor pozitiv për prodhimet e hershme në fushë dhe ne sera, prodhime që janë të destinuara për eksportin. Por eksporti nuk duhet të konsiderohet si një veprimtari e fermerëve të veçuar dhe të realizohet në mënyrë spontane, por të punohet me infrastrukturë të qëndrueshme, thotë Ismail Beka për DW.

“Eksporti nuk është një temë që i përket fermës. Eksporti mendoj se është një temë që i përket një strukture. Në Shqipëri për fat të keq nuk ekziston dhe nuk po gjendet rruga e kooperimit, që fermerët të jenë vetë të organizuar dhe të jenë në gjendje të krijojnë shoqata kooperuese dhe jo thjesht shoqata biznesi. Eksporti nuk mund të bëhet me një fermer të veçuar, por duhet të ketë skema mbështetëse grupi. Sepse duhet të kesh sasi për të eksportuar. Por dhe sepse këtij prodhimi i duhet ajo që njihet si ‘teknologjia e pas vjeljes', që do të thotë seleksionim, ambalazhim, ruajtje në frigorifer, pasi transporti bëhet në disa ditë dhe më e rëndësishmja është procesi i përpunimit të tyre. Sepse ka disa kompani që bëjnë konservimin e perimeve, që është vlerë e shtuar në eksport, por dhe produkti reziston më shumë nga shitësi tek blerësi në një shtet tjetër”.

Legjislacioni shqiptar përafrohet me atë të BE

Problemin e rritjes së eksporteve të produkteve bujqësore zëvëndësministri i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Faslia, e shikon si një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Ai përmend rritjen e sipërfaqeve të serave diellore për kultivimin e perimeve të hershme me afër 15 hektarë më shumë vetëm në dy vitet e fundit. Por sipas tij problem është standarti dhe cilësia e produkteve.

“Kemi punuar me legjislacionin duke e përafruar me atë të BE-së, gjithashtu dhe përpilimin e rregulloreve dhe ngritjen e sistemit të agjencive sipas modelit të tyre, duke përfshirë autoritetin kombëtar të ushqimit, agjencinë për zhvillimin bujqësor e rural, strukturën e menaxhimit të fondeve të sektorit bujqësor nga buxheti i shtetit apo nga ato që akordohen nga BE-ja etj”.

Faslia përmend dhe ndërtimin e sistemeve monitoruese laboratorike, ku dhe këtu është prezente ndihma dhe suporti i donatorëve të huaj.


Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi