1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Morsi i drejtohet popullit

Mimoza Cika-Kelmendi27 Qershor 2013

Presidenti egjiptian i drejtohet popullit. Ai premton reforma për të ardhmen duke ftuar edhe opozitën për dialog. Egjipti aktualisht është thellësisht i përçarë mes ithtarëve të Morsit dhe kundërshtarëve të tij.

Mohammed MursiFotografi: Reuters

Pak ditë para jubileut njëvjeçar në postin më të lartë të vendit, presidenti islamik i Egjiptit, Mohamed Mursi ka premtuar reforma dhe një "dialog kombëtar". Mursi  paralajmëroi në një fjalim të tij prej gati dy orësh në televizion për rrezikun e paralizimit dhe kaosit nga polarizimi në vend duke theksuar  se vazhdimi i trazirave rrezikon të paralizojë vendin. Morsi u shpreh i vetëdijshëm për disa gabime të bëra dhe për këtë u ofroi kundërshtarëve mundësinë për të bërë propozime për hartimin e kushtetutës së re. “Unë kisha të drejtë në disa raste, por e kisha gabim në disa të tjera. Gjatë një viti në detyrë kuptova se duhen reforma radikale që revolucioni të arrijë qëllimet e tij”, deklaroi Mursi. 

Përsëri protesta për largimin e presidentit

Egjipti aktualisht është thellësisht i përçarë mes ithtarëve të Moursit dhe kundërshtarëve të tij. Ushtria ditëve të kaluara kërcënoi se do të ndërhyjë nëse dhuna mes ithtarëve dhe kundërshtarëve të qeverisë islamike do të eskalojë edhe më tej. Forcat  ushtarake janë vendosur nëpër qytete në mbarë vendin pasi për të dielën është paralajmëruar zhvillimi i një proteste të madhe. Në prag të fjalimit të presidentit pati përleshje të dhunshme në qytetin verior të Mansurës. Dy persona u vranë dhe 170 të tjerë u plagosën.
Mursi, një anëtar i Vëllazërisë Myslimane u bë presidenti i parë islamik i Egjiptit më 30 qershor 2012, pasi fitoi zgjedhjet e konsideruara të lira e të ndershme.


 

Protesta kundër presidentit egjiptianFotografi: Reuters