1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i Ukrainës: „S’ka vend për panik“

29 Janar 2022

Në konfliktin me Rusinë gjendja, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Selenskyj nuk është më e tensionuar se më parë. Ndërkohë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi, se nuk synon përshkallëzim.

Ukraine Parlament Präsident Selenskyj
Fotografi: Efrem Lukatsky/AP Photo/picture alliance

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Selenskyj tërhoqi vëmendjen që të mos ketë frikëra të ekzagjeruara lidhur me konfliktin me Rusinë. „Unë tani nuk e konsideroj gjendjen më të tensionuar se më parë", tha kreu i shtetit duke iu referuar përgjigjeve zyrtare të SHBA-së dhe NATO-s ndaj kërkesave të Rusisë për garanci për sigurinë.

"Në botën e jashtme dominon përshtypja, se këtu mbizotëron lufta. Por nuk është kështu." Ai tha më tej, se nuk mund ta përjashtojë një përshkallëzim të situatës.Por nuk ka vend për panik, sipas Selenskyjt. Rreziku kryesor për Ukrainën dhe sovranitetin e saj është një destabilizim brenda vendit, e kjo mund të jetë edhe një krizë ekonomike.

Rusia ka grumbulluar në afërsi të kufirit me Ukrainën mbi 100.000 ushtarë. Perëndimi e konsideron këtë si përgatitje për një invazion të mundshëm. Rusia kërkon garanci për sigurinë si dhe premtimin, që NATO të mos e pranojë asnjëherë Ukrainën në radhët e saj. Por aleanca e refuzon këtë kërkesë të Rusisë.

Ndërkohë Rusia është duke e shqyrtuar përgjigjen e Perëndimit lidhur me garancitë për sigurinë të këkruara nga Rusia. Ndonëse qeveria në Moskë deklaroi, se nuk janë plotësuar kërkesat thelbësore, ka gatishmëri për të vazhduar dialogun.

Gatishmëri për çtensonim?

Gjatë një bisede rreth një orë në telefon presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti francez Emmanuel Macron theksuan „domosdoshmërinë për çtensionim". „Putin nuk ka përmendur aspak synime ofensive, u tha pas bisedës në Elysée. Ai ka bërë të qartë, se nuk kërkon konfrontimin.

Për të arritur në çtensionim, duhet të vazhdojnë si bisedimet bilaterale mes krerëve të shteteve ashtu edhe bisedimet në të ashtuquajturin Formati i Normandisë, ku Gjermania dhe Franca ndërmjetësojnë mes Rusisë dhe Ukrainës.

NATO: Rusia mund të sulmojë në mënyra të ndryshme

NATO sipas të dhënave të Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg po përgatitet për variante të ndryshme të një agresioni të mundshëm të Rusisë. Sikurse u shpreh Stoltenberg në Bruksel në një konferencë online organizuar nga SHBA-ja, përqendrimi i trupave në kufirin ukrainas dhe në Bjellorusi mund të pasohet nga një invazion. Por edhe një sulm kibernetik p.sh. mund të jetë i mundshëm, ose një grusht shtetit apo sabotazh.

Stoltenberg tha, se Rusia vetëm në territorin e aleates së vet Bjellorusisë ka dërguar mijëra ushtarë të gatshëm për veprim si dhe aeroplanë e sisteme armatimi. "Nga ana e NATO-s jemi të gatshëm për dialog politik", theksoi Stoltenberg. „Por ne jemi të gatshëm edhe për një përgjigje, nëse Rusia zgjedh konfrontimin në formën e një konflikti të armatosur."

Rreth 40 përqind e gazit që përdoret në Europë vjen nga Rusia përmes UkrainësFotografi: Sergey Dolzhenko/dpa/picture alliance

SHBA dhe BE përgatisin furnizimet me gaz për në Europë

Në këtë sfond SHBA dhe BE duan të sigurojnë burime shtesë për gazin natyror. Uashingtoni dhe Brukseli po punojnë bashkarisht për „furnizime të mëtejshme dhe në afat të BE-së me gaz natyror nga mbarë globi”, thuhet në një deklaratë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Synohet që të shmanget ndonjë „shok furnizimi", që mund të krijohet në rast të një invazioni rus në Ukrainë. Ndërkohë SHBA është „furnizuesja më e madhe me gaz të lëngshëm natyror" për BE-në. Bashkë me qeveritë dhe pjestarët në treg në BE po punohet për të furnizuar në Europë „sasi shtesë të gazit natyror" nga e gjithë bota.

Rreth 40 përqind e gazit që përdoret në Europë vjen nga Rusia. Ekziston frika, se Rusia mund ta përdorë energjinë si mjet presioni ndaj SHBA-së.

Ndalim i udhëtimeve për përfaqësues të BE-së

Në sfondin e konfliktit me Ukrainën Rusia u ka ndaluar udhëtimin nëpunësve të lartë europianë. Të prekur janë përfaqësues të autoriteteve të ndjekjes penale si dhe të organeve të legjislativit dhe ekzekutivit, thuhet në një komunikim të Ministrisë së Jashtme ruse. Në të thuhet, se ky është një reagim ndaj politikës „absurde" dhe „restriksioneve të njëanshme"nga Brukseli.

 

uh/sti (dpa, rtr, afp)