1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti iranian Rohani nuk dëshiron ndërhyrje

23 Shtator 2019

Kur të flasë këtë javë Presidenti iranian në Kombet e Bashkuara do të dëgjojnë me kujdes me siguri, jo vetëm zyrtarët amerikanë. Paraprakisht, Rohani tregon vullnet të mirë. Dhe këtë e bën në një paradë ushtarake!

Iran Militärparade in Teheran | Präsident Hassan Rohani
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Iranian Presidency Office

Presidenti iranian Hassan Rohani dëshiron të bëjë propozime për siguri dhe paqe në Ngushticën e Hormuzit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York. "Me iniciativën e "Koalicionit të Shpresës", ne duam të paraqesim në OKB një plan paqeje për Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit," tha Rohani në një paradë ushtarake në Teheran. Sipas kësaj, me një koalicion të Shteteve të Gjirit dhe pa fuqi të huaj mbrojtëse Irani dëshiron të kujdeset për sigurinë e transportit në Gjirin Persik.

Miqësi dhe vëllazëri

"Ndërhyrja nga jashtë është problematike dhe e rrezikshme për Gjirin Persik," vazhdoi Rohani. Kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm në kuadër rajonal. Për këtë Irani është i gatshëm t'i zgjidhë të gjitha dallimet me shtetet e Gjirit. Teherani dëshiron miqësi dhe vëllazëri me të gjitha shtetet në rajon dhe "zgjat në këtë mënyrë edhe dorën", tha Presidenti, fjalimi i të cilit në New York është caktuar për ditën e mërkurë.

Gjiri Persik dhe veçanërisht Ngushtica e Hormuzit, nëpërmjet së cilës transportohet gati një e treta e eksporteve të naftës në botë, ka kaluar më fort në qendër të vëmendjes muajt e fundit. Shkaku është konflikti midis SHBA dhe Iranit. Në veçanti, bëhet fjalë për sanksione kundër eksportit të naftës nga Irani, të vendosura nga Presidenti i SHBA Donald Trump, burimi kryesor i të ardhurave të Iranit.

"Nëse një ditë SHBA do ta bllokojnë me të vërtetë eksportin iranian të naftës, atëherë nuk do të eksportohet më fare naftë nga Gjiri Persik," tha Rohani vitin e kaluar, duke kërcënuar indirekt se do të bllokojë Ngushticën e Hormuzit. Në korrik të këtij viti, Irani konfiskoi një anije cisternë britanike me naftë në Gji, të cilën ende nuk e ka liruar. Që atëherë, ka pasur diskutime të forta për krijimin e një misioni ushtarak ndërkombëtar për lundrim të sigurt në Gjirin Persik dhe kundër ndikimit ushtarak të Iranit. SHBA ka forcuar praninë e saj ushtarake në rajon.

Fjalimi i Rohanit ishte pjesë e një parade të madhe ushtarake, me të cilën Irani përkujtoi në të gjithë vendin 39 vjetorin e luftës kundër Irakut (1980-1988). Përvjetori i pushtimit ushtarak të sundimtarit të atëhershëm irakian, Saddam Hussein kremtohet në Iran çdo vit, më 22 shtator, si "Dita e Mbrojtjes së Shenjtë".

 

Anija cisternë britanike "Stena Impero" rrethohet Ngushticën e Hormuzit nga anije të shpejta të Gardës Revolucionare të IranitFotografi: picture alliance/dpa/ISNA/M. Akhoundi

 

ml/jv (dpa, afp)