1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: Të zgjatet mandati i Gjykatës Speciale

Bekim Shehu
25 Gusht 2020

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë u themelua në vitin 2015. Ajo vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, financohet nga BE-ja dhe është komplet me personel ndërkombëtar.

Kosovo Präsident Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Huby

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u kërkoi deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t'ia zgjasin mandatin Gjykatës Speciale, apo siç njihet me emrin zyrtar, Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë kërkesë presidenti e bëri përmes një video-mesazhi në profilin e tij social, drejtuar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke shpresuar që deputetët do ta mbështesin kërkesën e tij. Mandati i Gjykatës Speciale përmes një ligji të miratuar në Kuvendin e Kosovës është pesë vjet dhe ai skadon këtë vit.

Rruga e drejtësisë

"Sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte si dhe rruga e pastrimit të njollave të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë dhe veçanërisht mbi UÇK-në, nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë”, tha presidenti Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në fund të qershorit publikoi një aktakuzë ende të pakonfirmuar që e ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Akuza akoma nuk është konfirmuar nga Gjykatësi i Procedurës paraprake që ka afat deri në fillim të muajit tetor. Presidenti më herët ka deklaruar se ai do të japë dorëheqje nga posti i tij nëse konfirmohet kjo aktakuzë.

Kuvendi i KosovësFotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Mandati pesëvjeçar i Gjykatës Speciale përmendet në amendamentin kushtetues numër 24, në bazë të së cilit edhe është formuar gjykata. "Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse lajmërimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët, në përputhje me Ligjin numër 04/ L- 274”. Paragrafi pasues thekson që në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit, mandati do të vazhdojë deri në njoftimin për përfundim të mandatit, që do të publikohet në përputhje me të njëjtin ligj dhe në konsultim me qeverinë.

Fundi i mandatit varet nga BE

Në Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i Gjykatës Speciale do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të njoftojë për një gjë të tillë institucionet e Kosovës. "I kam kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës. Jam i bindur se deputetët e kuvendit do ta mbështesin këtë kërkesë të arsyeshme dhe mbetem thellësisht i bindur se mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin e Kosovës, dhe rrit përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Gjykata Speciale u themelua me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës sipas ligjeve të Kosovës, por, aty punojnë tërësisht staf ndërkombëtar dhe asnjë kosovar. Ajo financohet nga Bashkimi Evropian. Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike, civilëve por edhe rivalëve politikë. Këto pretendime përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është një senator zviceran Dick Marty. Deri tash mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara. I ftuari i fundit nga Gjykata Speciale si i dyshuar është ish-pjesëtari i UÇK-së, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Shala.