Presidentin sudanez al-Bashir e kërcënon padia e Gjykatës Ndërkombëtare Penale
15 Korrik 2008"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Kushdo që mendon me drejtësi do ta përshëndesë faktin, që me kërkesën për urdhër-arrest tani mund të hapet rruga për ngirtjen e akuzës kundër presidentit sudanez al-Bashir. Ai akuzohet për genocid, krime çnjerëzore dhe vrasje. S´ka dyshim, që al-Bashir si president i vendit të tij ka përgjegjësi politike për vrasjen e qindra mijëra njerëzve dhe dëbimin e disa miliona të tjerëve në rajonin e Darfurit. ..Trupa Ndërkombëtare e OKB-së për ruajtjen e paqes është jashtë mase e mbingarkuar për shkak të numrit të pakët të ushtarëve dhe vazhdimisht atë e kërcënojnë dhe i krijojnë vështirësi. Organizatat e ndihmës thuajse sistematikisht sulmohen dhe plaçkiten. Mjerimi në Darfur prej vitesh është alarmant, ky është shembulli më i rëndë për dështimin e bashkësisë ndërkombëtare..."
Komentatori i "Badische Tagblatt" shkruan: "Nëse tri gjyqtaret e Gjykatës Penale Ndërkombëtare vërtetë do ta publikojnë urdhër-arrestin kundër kreut të shtetit në post? Kjo ka rëndësi të dorës së dytë. Kryeprokurori Luis Moreno-Ocampo ka mbledhur dëshmi për tri vje tresht dhe ia ka paraqitur ato njerëzimit. Njerëzimi tani i turpëruar mund të kthejë kokën nga ana tjetër, por përballë historisë askush nuk mund të pretendojë, se nuk ka ditur për tmerrin e inskenuar në këtë vend afrikan."
Një citat nga komenti i "Landeszeitung": "Kur juristët i vënë përpara politikanët, dalin në pah gjërat e lëna pas dore. Urdhër-arresti në prag të formulimit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare kundër presidentit sudanez al-Bashir papritur sqaron, se si e ka neglizhuar bashkësia ndërkombëtare vrasjen në Darfur. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, i cili është gati edhe të përulet para sundimtarit islamik në Kartum, mundohet ta zbusë situatën duke tërhequr vëmendjen për pavarësinë e drejtësisë nga politika. Përpara 14 vjetësh OKB-ja tingëllonte më e vetëdijshme pas genocidit në Ruanda. Asnjëherë tjetër nuk duhet lejuar një genocid i tillë, përbetohej asokohe bashkësia ndërkombëtare. Fraza boshe këto. Demaskimi i al-Bashirit nuk do t´i japë fund vdekjes në Darfur. Por kjo do të zbulojë hiporkizinë, përmes së cilës përfituesit, klientët kryesorë të naftës si Kina dhe spektatorët, pra Perëndimi, kanë mbuluar vrasjen."