"Presioni i BE-së ul korrupsionin"
24 Shtator 2008
DW: Zoti Marshall, paralelisht me prezantimin e indeksit global të korrupsionit, që u bë në Berlin, ju perzantuat në Sofje edhe indeksin e korrupsionit për vendet e Evropës Juglindore. Cila është risia e këtyre vendeve?
Marshall: Lajmi i mirë për vendet e Ballkanit është që gradualisht situata po përmirësohet. E thënë në gjuhën e indeksit të korrupsionit do të thotë që vlerat nuk kanë rënë. Në krahasim me Bashkimin Evropian dhe me disa vende të zhvilluara evropiano-perëndimore, ku indeksi ka rënë në mënyrë dramatike, si për shembull në Britaninë e Madhe, në Finlandë ose në Norvegji, për mendimin tim ky është një zhvillim që ia vlen të përmendet.
DW: Niveli i transparencës në Shqipëri është rritur në krahasim me një vit më parë (nga 2,9 në 3,4). Si e shpjegoni ju këtë?
Marshall: Sigurisht që niveli është ende i ulët dhe nuk ka shkak për t'u gëzuar, por unë mendoj se kjo konfirmon kontributin e reformave kundër korrupsionit. Shqipëria ka filluar një program të fortë reformash: është përmirësuar klima e biznesit, janë marrë një sërë masash, si për shembull ngritja e një instance të vetme ("one-stop-shop") për regjistrimin e bizneseve, është forcuar sektori juridik, kështu që kam përshtypjen se ekziston një vullnet i madh politik për të reformuar vendin dhe për ta bërë atë më atraktiv për bizneset ndërkombëtare. Unë mendoj, se ky është shkaku kryesor për përmirësimin. Por e thënë në përgjithësi, afrimi me Bashkimin Evropian, perspektiva që këto vende dikur do të bëhen anëtare të klubit, pra ky presion i jashtëm ka pasoja pozitive.
DW: Është ky shkaku i keqësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë?
Marshall: Pikërisht kjo është arësyeja. Kur vendet hyjnë në BE, atëherë bie presioni i jashtëm. Kjo ndodhi në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë. Ky duhet të jetë një alarm i mirë për këdo. BE-ja duhet të ketë sisteme monitorimi dhe kontrolli edhe për vendet e anëtarësuara, në mënyrë që presioni të vazhdojë edhe mbas hyrjes në BE.
DW: Në listën tuaj Kosova mungon. Cila është arëyseja?
Marshall: Nuk kishim hulumtime në Kosovë, ndoshta do të kemi vitin e ardhshëm, sepse ne mund t'i vendosim vendet në indeks vetëm kur kemi të dhëna të bazuara në të paktën tre studime të pavarura.
DW: Në cilat studime jeni bazuar ju për vendet e Ballkanit?
Marshall: Ne zakonisht përdorim studimet e organizatave prestigjoze, si për shembull Forumi i Ekonomisë Botërore, Economist Intelligence Unit, Freedom House. Sa më shumë studime që përdorim aq më të besueshme janë të dhënat.
DW: A mund të themi se Indeksi i Per ceptimit të Korrupsionit pasqyron punën e qeverisë së një vendi?
Marshall: Është një lloj indeksi për qeverisjen, megjithëse duhet thënë se është një indeks relativisht i thjeshtë. Pra, ai nuk mund të zëvendësojë një analizë rrënjësore, dhe ne gjithmonë e theksojmë, që ai bazohet në opinionet dhe perceptimet e kryesisht biznesmenëve ndërkombëtare, por edhe të biznesmenëve lokalë për sektorin publik. Pra, kemi të bëjmë me një llojë note për mënyrën e funksionimit e sektorit publik, për eficiencën e qeverisë në garantimin e shtetit ligjor apo për ofertat e shërbimeve që i duhen ekonomisë private për të lulëzuar.