Prishet një monument i fitores sovjetike në Riga
24 Gusht 2022Për 37 vjet, statujat monumentale kanë qëndruar në pozicionin e fitores rreth një obelisku në parkun Uzvaras në perëndim të Rigës. Ato tani kanë një fund të palavdishëm. Autoritetet në kryeqytetin e Letonisë kanë filluar të çmontojnë Monumentin e Fitores Sovjetike. Të martën, punëtorët hoqën disa nga statujat prej bronzi nga monumenti i diskutueshëm duke përdorur makineri ndërtimi. Zona ishte e rrethuar me mbrojtje vizuale dhe e rrethuar nga policia.
Nuk dihet ende se kur do të prishet obelisku 79 metra i lartë me yllin sovjetik në krye. Përgatitjet janë duke u zhvilluar. Sipas informacioneve nga komuna, nuk ka plane për përdorimin e lëndës shpërthyese.
"Për letonët, ky monument është një simbol i pushtimit të Letonisë pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ne nuk mund ta tolerojmë më", tha drejtori i qytetit të Rigës, Janis Lange, për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Zbatimi i një vendimi parlamentar
Në Letoni, një vendim i Parlamentit vendosi çmontimin përpara datës 15 nëntor të të gjitha objekteve që glorifikojnë regjimet totalitare. Rregullat synojnë gjithashtu në mënyrë specifike prishjen e Monumentit të Fitores Sovjetike. Rusia protestoi ashpër kundër këtij vendimi. Monumenti u ngrit në vitin 1985 në 40-vjetorin e fitores sovjetike mbi Gjermaninë Hitleriane në Luftën e Dytë Botërore - si një "monument për çlirimtarët e Letonisë Sovjetike dhe Rigës nga pushtuesit fashistë gjermanë".
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Letonia u pushtua në kohë të ndryshmne nga Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik. Pas përfundimit të luftës, shteti baltik u bë në mënyrë të pavullnetshme pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1991. Prandaj, shumica e letonëve nuk e shohin monumentin si një simbol të fitores ndaj Gjermanisë së Hitlerit, por më tepër të pushtimit të ri të vendit të tyre nga Bashkimi Sovjetik. Ndërsa çdo vit më 9 maj, rusët etnikë në Letoni festojnë "Ditën e Fitores", një festë ruse, përpara monumentit.
Protesta të qytetarëve me origjinë ruse
"Jam i trishtuar, sepse si gjyshërit e mi, gjyshet dhe stërgjyshi im ishin ushtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata luftuan për liri kundër nazistëve”, kritikoi Dmitrij Prokopenko, një grup që protestonte kundër çmontimit të monumentit në një intervistë me AP. "Stërgjyshi im ra në Lituani në vitin 1944. Për mua, pra, është gjithashtu një monument i veprimeve tona, i luftës së tyre".
Në këtë vend fqinj të Rusisë, një e katërta e popullsisë përbëhet nga rusë etnikë. Disa persona u arrestuan të hënën në mbrëmje gjatë një demonstrate të vogël të paautorizuar kundër prishjes së monumentit. Drejtësia ruse në Moskë ka hapur proces penal për prishjen e monumentit.
aud/AR/wa (dpa, ap, ebu)