Prishtinë: edhe ceremonia e presidentit me gaz lotsjellës
8 Prill 2016Në sheshin qendror të Prishtinës dhe në prani të mbi 1000 mijë mysafirëve nga vendi dhe bota, u zhvillua ceremonia e marrjes së postit nga Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ceremonia e inaugurimit të Presidentit Thaçi u bojkotua nga partitë politike opozitare.
Presidentja e deritashme e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila përmbylli të plotë mandatin e saj pesë vjeçar, i dorëzoi Presidentit të ri Hashim Thaçi Kushtetutën e Republikës, për të shënuar kështu siç u tha "simbolin e nderit të detyrës së Presidentit të Kosovës".
"Jua dorëzoj Kushtetutën e Kosovës që përcakton ardhmërinë e Kosovës, si shtet të lirë, të pavarur, si shtet demokratik dhe paqedashës dhe shtet i barabartë për të gjithë qytetarët", tha Jahjaga, duke i dorëzuar kushtetutën presidentit të ri.
Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua se do ta mbrojë Kushtetutën të cilën e quajti "simbol dhe bazë elementare të shtetësisë së Kosovës".
"Nga momenti kur e dhashë betimin dje në kuvend unë jam një roje, një mbrojtës i dokumentit tonë themeltar. Këto nuk janë vetëm fjalë dhe vetëm gjeste, simbolet janë fuqi sepse kanë domethënie dhe interpretimin e tyre. Do të publikoj fort për forcimin e identitetit shtetëror. Jam i vetëdijshëm se muajt e fundit kemi pasur debate të hapura dhe me tone divergjente politike. Si roje e kushtetutës unë do të jem i paanshëm politikisht, do të ofroj agjendë dialogu aktiv në mes të përfaqësuesve të popullit pa dallime partiake. Do të përdor instrumente këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet jo shumicë. Tranzicioni presidencial nuk përbën ndryshim të sistemit por është vetëm ndryshim personash të dedikuar që ta ruajnë sistemin", tha ndër të tjera në një fjalim të gjatë presidenti Hashim Thaçi.
Ndërkohë që të ftuarit zinin vendet e tyre në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, disa persona nga jashtë perimetrit të sigurisë hodhën gaz lotsjellës në mesin e të ftuarve. Përgjegjësinë e mori lëvizja Vetëvendosje, e cila në një njoftim për media tha se ky subjekt politik "nuk e njeh Hashim Thaçin si President të Kosovës. Policia arrestoi pesë persona lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës.
"Hashim Thaçi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë president i Republikës së Kosovës. Ai u zgjodh si rezultat i shantazhit dhe blerjes së deputetëve të LDK-së dhe si rezultat i kompromiseve ndaj Listës Serbe të Serbisë. Ai u zgjodh vetëm pasi anuloi demokracinë, duke nxjerrë dhunshëm nga Kuvendi dhe duke arrestuar deputetët e opozitës", thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Edhe subjekti tjetër politik opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se "Hashim Thaçi nuk është president i unitetit".
Në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, krahas mysafirëve nga vendi ishin ftuar edhe përfaqësues nga 50 shtete të botës. Të pranishëm, ishin presidenti i Shqipërisë, kryeministri dhe kryetari i kuvendit të Shqipërisë, Presidentja e Kroacisë, zëvendës sekretari amerikan i shtetit të SHBA-së për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, drejtori në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për Ballkanin Perendimor, Ernst Reichel dhe shumë përfaqësues shtetesh të ndryshme përfshirë edhe disa nga Lindja e Mesme. Masat e sigurisë ishin shumë të larta dhe policia tha se ka ndërtuar një perimetër sigurie që përfshiu një pjesë të madhe të qendrës së kryeqytetit Prishtinë.
Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës nga deputetët e kuvendit më 26 shkurt në një seancë, pa pjesëmarrjen e opozitës, ndërkohë që përreth Kuvendit të Kosovës përkrahësit e opozitës protestonin kundër zgjedhjes së tij. Hashim Thaçi, pas tri raundesh votimi mori 71 vota nga 120 deputet të parlamentit. Hashim Thaçi, menjëherë pas zgjedhjes president, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e drejtoi për 17 vjet.
Hashim Thaçi, është Presidenti i pestë në Kosovë që nga përfundimi i luftës.