Prishtinë: Manifestim për lirinë e shtypit e konferencë
3 Maj 2017"Fol, mos ki frikë!". Edhe në Kosovë përfaqësues të mediave dolën sot në rrugë për lirinë e shtypit. Në manifestimin para ndërtesës së qeverisë në Prishtinë, disa qindra pjesëmarrës kërkuan më shumë transparencë dhe liri mendimi në Kosovë. Në listën e "Reporterëve pa Kufi" Kosova ndodhet në vendin e 92-të nga 199 shtetet dhe në këtë mënyrë ndodhet në vendet e pasme të shteteve evropiane.
Për lirinë e medies, për shumëllojshmërinë dhe konvergjencën e saj u fol sot edhe në një konferencë të organizuar në Prishtinë nga Universiteti i Prishtinës dhe SEEMO (South East Europe Media Organisation) . Liria e shprehjes në Evropën Juglindore dhe tranzicioni i medies në Evropën Juglindore ishte tema qendrore e 1. Prishtina Media Days. Nga panelistët e shumtë u tha se liria e shprehjes në vendet e Evropës Juglindore ka disa vite që nuk ka përmirësime, megjithë lëvizjet e vogla pozitive, që kanë shënuar këto vende në indeksin e matjeve të organizatave ndërkombetare, që hulumtojnë lirinë e shprehjes. Adelheid Feilcke, Drejtuese e Sektorit të Evropës në Deutsche Welle drejtoi panelin me tematikë sfidat dhe strategjitë në transformimin nga mediet tradicionale, në mediet e reja.