1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina i cilëson deklararat e Vuçiçit si “luftënxitëse”

Bekim Shehu
12 Nëntor 2020

Në Prishtinë po shihen si kërcënim për luftë disa deklarata të presidentit të Serbisë, cili thotë se “një konflikt i llojit të Nagorni Karabahut mund të ndodhë në Kosovë, nëse përpjekjet për kompromis dështojnë”.  

Kosovo Premierminister Avdullah Hoti
Fotografi: Getty Images/A. Nimani

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës i cilësuan si luftënxitëse disa deklarata të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tha se "një konflikt i llojit të Nagorni Karabahut mund të ndodhë në Kosovë, nëse përpjekjet për kompromis dështojnë”. Vuҫiq tha se “zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ndaj kësaj deklarate duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë ndaj "kërcënimit” të presidentit të Serbisë, siҫ thotë për “luftë të dhunshme”.

 “Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t'i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiç”, shkroi në Twitter Vjosa Osmani.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiç, takoi në Beograd ambasadorët e vendeve më të industrializuara. Pas këtij takimi, në një konferencë për medie Vuҫiq tha se “zgjidhja më e mirë që mund të arrihet është nëpërmjet dialogut dhe se është më mirë të arrihet sa më herët sesa vonë e të ndodhë ndonjë konflikt.

“Shumëkush mund të mendojë se situata rreth Kosovës është më e mirë tash se më herët, për shkak të rrethanave të brendshme në Kosovë dhe se nuk mund të pritet presion më i madh mbi Serbinë deri në dhjetor dhe janar nga ana e fuqive të mëdha. Situata në Nagorni Karabah ka treguar se një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzojë në katastrofë të vërtetë kur dikush ta shkrijë atë”, tha Vuçiç, transmeton medium serb B92. Sipas tij, “Një nga mësimet është se nuk duhet që fëmijëve tanë t’u lëmë konflikt të ngrirë. Kompromisin nuk do të thotë se do ta arrijmë, pasi për këtë janë të nevojshme dy palë tha ai, duke shtuar se "pavarësisht se çfarë ndodh, Serbia në fund duhet të mbështetet në forcat e veta"

"Për këtë Serbia do të vazhdojë të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht. Mund të na ndodhë ndonjë konflikt, duhet të mbajmë kujdes për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen e Kosovës e Metohisë”, tha Aleksandër Vuçiç.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i qeverisë së Kosovës, e cila thotë se "këto deklarata s'janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.

"Ky deklarim është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancitë e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës e cila pret po ashtu nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja që "të reagojë ndaj këtyre provokimeve”.

"Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin për anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në NATO, Bashkimin Evropian dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, si një vlerë e shtuar për zhvillimin e demokracisë dhe paqes në botë”, përfundon reagimi i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr kryeministri Avdullah Hoti.

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë rinisur dialogun me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq janë takuar dy herë, ndërsa ekipet e ekspertëve  kanë vazhduar takimet për ҫështjet e të pagjeturve, pronat dhe ҫështje të tjera siҫ pretendohet që çojnë drejt një marrëveshjeje finale. Ndërkohë, pas zhvillimeve të fundit në Prishtinë dhe ngritjes së aktakuzave ndaj figurave kryesore të ish UÇK-së, që tashmë po gjykohen në Gjykatën Speciale, si duket dialogu është stopuar. Mosvazhdim të dialogut me Serbinë në këtë fazë e kërkoi në një intervistë për DW, ushtruesja e detyrës së presidentites  së Kosovës Vjosa Osmani.

"Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vete, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson”, deklaroi Vjosa Osmani. Por, Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Peter Stano, ka deklaruar se "dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe që të dyja palët duhet të jenë të gatshme për vazhdimin e tij”, ka thënë Peter Stano, duke komentuar qëndrimet e disa udhëheqësve politik në Kosovë, që po kërkojnë pezullim të dialogut me Serbinë në këtë fazë.

"BE-ja e vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit Avdullah Hoti, për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri, posaçërisht në këto kohë sfiduese”, deklaroi Peter Stano.