Priten në Tiranë vëzhguesit ndërkombëtarë
13 Maj 2013Në Tiranë mbërrin sot ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it që do të ndjekë nga afër zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri. Ekipi kryesohet nga ekspertja amerikane për zgjedhjet Conny McCormack, e angazhuar në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor amerikan. Ajo ka qenë pjesë e ekipeve të vëzhguesve të zgjedhjeve në Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri.
Ekipi do të misë misionin e tij me vëzhgimin e fushatës elektorale, zbatimin e legjislacionit dhe monitorimin e medias. Në fokus të misionit do të jenë listat e përpiluara për zgjedhjet, regjistrimi dhe verifikimi i votuesve, që konsiderohen një rrezik potencial për një manipulim të mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve me anë të dublimit dhe përfshirjes në votime të njerëzve që e kanë emrin edhe në vend tjetër apo që votojnë me dokument jo të rregullt identifikimi.
ODIHR parashikon që ditën e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, në Shqipëri të jenë në terren më shumë se 400 vëzhgues.
Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit konsiderohen testi më i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri. Zhvillim i tyre sipas standardeve ndërkombëtare dhe pranimi i rezultatit nga pala humbëse do të jetë kriteri kryesor për BE lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim.