Probleme me diplomat në Kosovë
14 Maj 2011
Ajla Radonçiq nga Prizreni përfundon gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm. I mbetet pastaj provimi i maturës shtetërore, marrja e diplomës në të cilën shkruan Republika e Kosovës dhe regjistrimi në fakultet. Dëshira e saj në jetë është që të studiojë mjekësinë. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në gjuhën amtare, në gjuhën boshnjake. Ky është problemi i saj më i madh. "Fakultetin nuk mund ta regjistroj në Serbi apo Bosnjë e Hercegovinë për shkak të mosnjohjes së Republikës së Kosovës. Unë mund të regjsitrohem në Universitetin e Prishtinës, po aty nuk ka fakultet në gjuhën boshnjake. Unë nuk mund të studioj në gjuhë të huaj", thotë Ajla.
I detyruar të studiojë në Prishtinë edhe pse nuk e di gjuhën shqipe
Edhe shoku i saj i klasës Haris Tafiloviqi, ballafaqohet me problemin e njëjtë. Për shkak se nuk mundet ndryshe do të jetë i detyruar që një vit të mësoj gjuhën shqipe në mënyrë që pastaj të vazhdoj studimet në Prishtinë. "Unë me kënaqësi do të regjistrohesha në universitetin e Mitrovicës por as atje nuk i pranojnë diplomat tona. Do të jem i detyruar të regjistrohem në Prishtinë edhe pse nuk e njoh sa duhet gjuhën shqipe", thotë Harisi.
Prindërit janë në situatë me të vërtetë të vështirë. Ata nuk e dijnë se si të veprojnë. Nuk kanë shumë mundësi ndërsa koha kalon shpejt. Sejbeta Radonçiq, nëna e Ajlinës thekson: "Flokët më ngrihen përpjetë - çfarë të bëjmë me të, është nxënëse e shkëlqyeshme. Ka ambicie të studiojë, të arrijë diçka në jetë. Nëse nuk regjistrohet në fakultet, nëse mbetet në shtëpi, nuk i mbetet asgjë tjetër veçse të martohet. Po çfarë martese, jashtë vendit, viza... Nuk e dijmë çfarë të bëjmë..."
Ata nuk pranojnë diplomat tona ne nuk i pranojmë të atyre
Amir Hogjiqi është mjek. Ka përfunduar studimet në një qytet të Serbisë. Babai i tij ka shitur pronat për ta shkolluar atë dhe tani është një pikëpyetje e madhe se a do të ushtrojë ndonjëherë profesionin për të cilin ai është shkolluar. "Fakultetin e kam përfunduar para një viti dhe e kam dorëzuar diplomën për nostrifikim. Më kanë thënë se nostrifikimi do të bëhet për katër muaj ndërkohë që tashmë ka kaluar një vit. Unë jam i papunë, kam përfunduar vetëm praktikën. Na kanë thënë se nuk do të ketë asnjë nga nostrifikimi për shkak të reciprocitetit. Thonë, ata nuk pranojnë diplomat tona e as ne nuk do t'i pranojmë këto diploma deri sa të përfundojnë bisedimet", sqaron Amiri.
Sejbeta Radonçiqi ka një porosi siç thotë ajo për zyrtarët në Prishtinë dhe në Beograd:
"Si nënë, si prind, apeloj tek pushtetet që të zgjidhet problemi i Prishtinës, Beogradit, Sarajevës. Të gjinde ndonjë zgjidhje, e cila do t'iu ofronte shanse fëmijëve tanë që të arrijnë diçka në jetë."
Autor: Refki Alija / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama