Problemet e Kroacisë pas zgjedhjeve parlamentare
7 Korrik 2020Rreth 10 % ka fituar "Lëvizja për atdheun", një parti radikale e drejtuar nga Mirosllav Shkoro, një parti e cila ka zgjuar më së shumti vëmendje tek zgjedhësit jashtë Kroacisë - që nuk është ndonjë befasi tepër e madhe. Gati gjithandej në Evropë kanë forcuar partitë nacionaliste - në Gjermani, Francë, Holandë, Britani të Madhe, Austri, Danimarkë apo dhe Slloveni. E megjithatë një rezultat për shqetësim.
E djathta radikale në Kroaci ka një histori më të ndryshme se në vendet tjera - ajo qeverisë me idetë nacionale. Sa herë që në Kroaci bëhet fjalë për çështjet nacionale, e në këtë rajon shpesh trajtohet kjo çështje, zgjedhësit votojnë për partitë e djathta radikale dhe konceptet ultranacionaliste. Partia HDZ e kryeministrit Andrej Plenkoviq është deklaruar shpesh kundër minoriteteve, ka respektuar fashistët dhe ka hedhur kritika ndaj vendeve fqinje. E gjithmonë kur kjo parti ka zbutur qëndrimet është sulmuar nga e djathta nacionaliste – sikur në këto zgjedhje.
Disa pjesë të HDZ me qëndrime radikale
HDZ ka fituar më shumë vota sesa që është pritur dhe kjo ka të bëjë me përpjekjet për vendosjen e normalitetit në kohën e krizës së Coronës. Por Plenkoviqit i duhet një partner për qeverisje. Një pjesë e partisë, me orientim djathtist, me dëshirë do të bashkëpunonte me të djathtën ekstreme, sepse ata kanë qëndrime të ngjashme. Një koalicion i tillë do të kishte edhe mbështetjen e kishës katolike.
Por kryeministri do të gabonte nëse dakordohet. Nëse Shkoro futet në qeveri, atëherë njerëzit e tij do të forcojnë thirrjet për lojë me letra nacionaliste, kundër Brukselit dhe do të provokojnë vendet fqinje, si Bonjë-Hercegovinën, Slloveninë apo Serbinë. Plenkoviqi do ta kishte shumë vështirë të pozicionohet kundër një politike të këtillë.
Koalicion i madh? Jo faleminderit
Krijimi i një koalicioni të madh me socialdemokratët do të arrinte një shumicë prej dy të tretat në parlament. Por kjo nuk është ide e mirë. Një koalicion i tillë në Kroaci, ku kaherë ekzistojnë mbështetje të klientelizmave, do të shndërrohej në një ndarje të pushtetit dhe posteve, ku secili do të bënte çfarë të donte.
Ndërkohë që dy partitë e mëdha kanë nuk kanë as dallime shumë të mëdha programore, siç mendohet. Këto parti nuk ofrojnë ide, koncepte dhe programe të ndryshme. Askush nuk e di se si mund të ndalet ekzodi i të rinjve. Ato mund të grinden vetëm për heqjen e masave kufizuese kundër pandemisë Corona dhe çfarë mund të bëjnë me paratë e Bashkimit Evropian. Ndaj rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje për rreth 8 % nuk është ndonjë befasi. Kundërshtarët politikë gjatë fushatës, Plenkoviq dhe kundërshtari i tij socialdemokrat Davor Bernardiq, më shumë kanë qenë të koncentruar tek çështjet simbolike, si raporti ndaj Bosnjes, abortimet dhesimbolikat e përshëndetjeve kroate gjatë kohës së nazizmit, të cilat një pakicë e vogël do t'i legalizonte me dëshirë.
Mundësitë
Simpatizantët e 40-vjeçarit Bernardiq - të mençur, të përgatitur në mënyrë perfekte dhe të profilizuar politikisht - mendojnë se ai nuk ka bërë gabime gjatë fushatës.Por ai nuk arriti të fitojë. Ata të cilët vërtet donin një Kroaci më ndryshe, kanë votuar për partinë "Možemo" ("Mundemi" apo "Yes, we can"), një parti e re, liberale e majtë, e cila ka shënuar rezultate të mira në rajonet e dominuara nga socialdemokratët.
Plenkoviqi do ta vazhdojë mbase politikën e deritanishme - ndoshta me partinë konservatore "Most", por këtë parti e akuzon për korrupsion dhe përbëhet nga përfaqësuesit e minoriteteve. Me këtë parti me siguri që nuk do të mund t'i realizojë disa nga synimet për çështjet nacionale, heronjtë dhe veteranët e luftës. Por zgjedhësit në Kroaci kanë të paktën për katër vitet e ardhshme një alternativë tjetër nga ajo e ekstremistet Shkoro.