Problemi i sigurisë së centraleve atomikë në Gjermani
13 Korrik 2007
Temë qëndrore e shtypit të sotëm gjerman është problemi i sigurisë së centraleve atomikë në Gjermani, që është vënë sërish në rend të ditës për shkak të disa defekteve në disa reaktorë atomikë dhe mungesës së gatishmërisë së shoqërive që drejtojnë këto centrale për të dhënë informacione për shkallën e rrezikshmërisë. Kjo temë trajtohet edhe në aspektin politik, sepse në radhët e koalicionit qeveritar nuk ka një mendim të përbashkët në lidhje me heqjen dorë prej energjisë atomike në Gjermani. Ndërsa partia CDU është pro vazhdimit të punës së centraleve atomikë, socialdemokratët duan që Gjermania të heqë dorë prej energjisë atmomike.
«Berliner Kurier» shkruan:
"Për një farë kohe u duk se energjia atomike kishte gjetur një aleat: mbrojtjen e ambientit dhe të klimës. Mqs. shkaktarë për ndryshimin e klimës janë njerëzit, filloi kërkimi për gjetjen e së keqes më të vogël. Papritur centralët atomikë u bënë sërish të lakmueshëm, sepse mendohej se e ndotin ambientin më pak se burimet e tjera të energjisë. Por kjo ide është mashtruese. Rastet e defekteve na sjellin sërish para syve realitetin dhe na kujtojnë se përse dikur dilnim rrugëve duke demonstruar nën moton "Jo, faleminderit, nuk kemi nevojë për energjinë atomike!" Centralët atomikë përmbajnë në vetvete një rrezik latent. Aty punojnë njerëz dhe njerëzit bëjnë edhe gabime. Mungesa e masave të rrepta të sigurisë në centralet atomike mund t'u kushtojë jetëm miliona njerëzve.
'Tagesspiegel' (Berlin) shkruan:
"Mosbesimi ndaj energjisë atomike po shtohet gjithnjë e më tepër, për disa shkaqe. Së pari centralët atomikë nuk duket se janë aq të sigurt sa pretendojnë koncernet e energjisë që i kanë në përdorim. Së dyti çmimet për energjinë elektrike po rriten edhe pse pretendohet që energjia e prodhuar përmes centralëve atomikë nuk është vetëm ekologjike, por edhe e lirë. Së treti në rast të zgjatjes së kontratave për furnizimin me energji elektrike, koncernet e centralëve atomikë fitojnë sipas të dhënave zyrtare për çdo ditë deri në një milionë euro shtesë. Të gjitha këto shkaqe flasin kundër rilindjes së idesë për shfrytëzimin e energjisë atomike në Gjermani. Nxitja e burimeve dhe e metodave për shfrytëzimin e energjive të riciklueshme është pa dyshim më e sigurt dhe në çdo drejtim edhe më ekonomike."
"Südwest Presse" (Ulm) shkruan:
"Mashtro, zbukuro, minimizo - këto janë maksimat sipas së cilave veprojnë koncernet e energjisë atomike. Një rast të veçantë në këtë drejtim përbën koncerni shtetëror suedez Vattenfall, i cili shquhet për të qenit i pabesueshëm. Në centralet atomikë të këtij koncerni ka vite që çështjeve të sigurisë nuk u kushtohet ndonjë vëmendje e madhe. Mënyra cinike se si po vepron ky koncern pas defekteve të qershorit, duke mos i bërë të qarta shkaqet nisur prej idesë së mbrojtjes së sferës private të punonjësve të tij, vështirë se mund të tejkalohet. Me sa duket ky koncern është i gatshëm t'i njohë ligjet dhe shtetin ligjor vetëm kur e detyrojnë për këtë. Në këtë mes prokurorëve dhe përfaqësuesve të zyrave të kontrrollit të energjisë bërthamore nuk u mbetet tjetër vetëm se të mos u besojnë më deklaratave të përfaqësueve të këtij koncerni. Rasti i defekteve të centralëve bërthamorë është një provë zjarri edhe për partinë CDU, sepse kush dëshiron që të mos heqë dorë prej energjisë atomike, duhet të jetë konsekuente edhe sa u përket çështjeve të sigurisë të centraleve atomikë."
Edhe "Wetzlarer Neue Zeitung" duke kritikuar politikën e Koncernit shtetëror suedez Vattenfall kërkon prej zyrës për kontrrollin e centralëve atomikë në Schleswig-Holstein që ta mbyllë centralin atomik të kësaj shoqërie:
"Në të dy centralët atomikë difektozë në Gjermani mund të ndodhin sërish defekte të reja. Koncernit shtetëror suedez Vattenfall, i cili ka marrë në shfrytëzim disa prej reaktorëve atomikë në Gjermani duket se i janë veshur sytë prej serisë së defekteve dhe të problemeve. Në vend që të shprehet hapur për problemet që ka reaktori në Kümmel, i cili ka 24 vjet që është ndërtuar, koncerni më i madh i energjisë në Evropë, hedh në opinion bomba tymuese. Zyrës për kontrrollin e centralëve atomikë në Schleswig-Holstein nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se ta mbyllë këtë central atomik."