1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prodhimi nga energjia e rinovueshme tejkalon qymyrin

10 Tetor 2025

Sipas një studimi të ri, kapacitetet diellore dhe të erës po rriten më shpejt se kërkesa për energjinë elektrike në shkallë botërore.

Turbina ere në fushat e Afrikës së Jugut. Fotografi e shkrepur gjatë muzgut.
Energjia diellore dhe ajo e erës po rriten me ritme të shpejta për të përballuar oreksin e vazhdueshëm botërorFotografi: Nic Bothma/Matrix Images/picture alliance

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, energjia e rinovueshme e tejkaloi për herë të parë qymyrin, i cili deri tani ka qenë burimi më i madh për provimin e energjisë elektrike. Studiuesit e quajnë "ndryshim historik”.

Qendra kërkimore për energjinë botërore, "Ember”, analizoi të dhënat e 88 shteteve, të cilat në tërësi përbëjnë 93% të kërkesës botërore për energji elektrike. "Po shohim shenjat e para të një pike kthese me rëndësi thelbësore” – tha në një deklaratë Małgorzata Wiatros-Motyka, analiste me përvojë e energjisë. "Energjia diellore dhe ajo e erës po rriten me ritme të shpejta për të përballuar oreksin e vazhdueshëm botëror. Kjo shënon kthesën historike, pasi energjia e pastër po ecën paralelisht me kërkesën në rritje”.

Sipas analizës së saj, prirja e re botërore ishte dukshëm e mbizotëruar nga ekonomitë më të mëdha botërore. Në vende si India dhe Kina, rritja e madhe e energjisë së rinovueshme nënkupton përdorim më të ulët të qymyrit dhe gazit.

Sidoqoftë, në Shtetet e Bashkuaradhe Bashkimin Europian, u rrit varësia tek burimet ndotëse. Në gjysmën e parë të këtij viti, SHBA-të patën një rritje të kërkesës për energji, e cila tejkaloi zgjerimin e energjisë së rinovueshme dhe çoi në përdorimin më të madh të lëndëve djegëse fosile.

Kina është bërë lider botëror në rritjen e infrastrukturës së energjisë së rinovueshmeFotografi: AFP

Rritje e fortë dhe e vazhdueshme e energjisë së rinovueshme

Sipas një studimi të kryer nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), ritmi i rritjes së energjisë së rinovueshme do të vazhdojë të jetë i lartë edhe gjatë viteve të ardhshme. Energjia diellore parashikohet të udhëheqë pjesën më të madhe të kësaj rritjeje, veçanërisht nga kostot e ulëta dhe proceset më të shpejta të miratimit.

E dyta renditet energjia e erës, e ndjekur nga burimet hidrike, bioenergjia dhe energjia gjeo-termale.

Tregjet në zhvillim si Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika po udhëheqin zgjerimin e shpejtë të energjisë së rinovueshme. Kjo po mundësohet nga qeveritë e këtyre rajoneve, të cilat po zbatojnë reforma që favorizojnë burimet e energjisë së gjelbër dhe po vendosin objektiva ambicioze.

Veçanërisht në Kinë, rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme është e fortë, sepse vetëm gjatë vitit 2024, vendi investoi në këtë sektor 625 miliardë dollarë (535 miliardë euro) në shkallë botërore.

Në total, energjia diellore dhe ajo e erës u rritën më shpejt se kërkesa për energji. Analistët e „Ember" thonë se ky është tregues se në planin afatmesëm, burimet e energjisë së pastër do të zëvendësojnë burimet e lëndëve djegëse fosile.

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW